Detaje të reja janë zbadhur në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi Shkodrën pasditen e djeshme ku babë e bir, nga Dukagjini u ekzekutuan në pritë, teksa kishin shkuar për të parë banesën e tyre të djegur në fshatin Bruçaj pasi jetonin në Shkodër.
57-vjeçari Gjokë Gurra dhe djali i tij 31-vjeçar Eduart Gurra, sipas policisë së Shkodrës ka rezultuar se janë qëlluar me 8 plumba kallashnikovi.
Deri në këtë fazë të hetimit, dyshohet se në këtë krim të rëndë ka marë pjesë një person i vetëm. 8 gëzhojat janë çuar për ekspertizë balistike dhe daktiloskopike me shoresën e gjetjes së gjurmëve të gishtave.
Babë e bir janë qëlluar të dy në makinë, dhe policia kur ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka konstatuar të dyja viktimat brenda në makinë. Deri tani një person dyshohet si autor i vrasjes, ndërsa ende nuk bëhet publik emri i tij.
Babë e bir udhëtonin së bashku me foristradë drejt fshatit të origjinës Sumë, me qëllim për të parë banesën e tyre të djegur qëllimisht. Por gjatë rrugës në hyrje të fshatit ata kanë rënë në pritë duke u qëlluar befasisht me kallashnikov.
Një prej pistave kryesore të këtij hetimi lidhet me dhënien e informacionit të shtetasit Gjokë Gurra për policinë e shtetit në aksionet për asgjësimin e kanabisit në zonën e Dukagjinit. Gjokë Gurra para afro 20 vitesh ka qenë efektiv policie por ka ruajtur kontaktet dhe marrëdhëniet me ish-kolegët. Sipas burimeve, 57-vjeçari herë pas here ka informuar policinë e Shkodrës lidhur me parcelat e kultivuara me kanabis sativa në Dukagjin. Kjo mbetet ende një pistë hetimi e pakonfirmuar zyrtarisht.
Ndërkohë një tjetër pistë hetimi ku është përqendruar policia është edhe lëndët drusore ku babë e birë që mbetën të vrarë punonin prej vitesh duke i transportuar nga Dukagjini drejt Shkodrës, edhe pse kjo pistë është më pak e besueshme për grupin hetimor. Ndërkohë nuk përjashtohen edhe konflikte të tjera që Gjokë Gurra dhe djali i tij mund të kenë pasur me persona të ndryshëm. 57-vjeçari ishte edhe pronar i një lokali në afërsi të drejtorisë vendore të policisë Shkodër, ku edhe banonte prej vitesh.
Autorët e kësaj ngjarje ende nuk janë identifikuar dhe policia po punon për identifikimin dhe gjetjen e tyre. Zbardhja e ngjarjes mbetet e vështirë për shkak se forcat e policisë kanë mbërritur pas 2-3 orësh sepse rruga është e amortizuar në një terren të vështirë malor, çka i ka favorizuar autorët që të kryejnë vrasjen dhe të largohen në drejtim të paditur.
Ndërkohë në këtë ngjarje, Policia e Shkodrës ka hasur në vështirësi në personelin e hetimit të krimeve, për shkak se 4 ditë më parë me kërkesë të AMP-së dhe Gjykatës së Shkodrës, u pezulluan nga detyra i gjithë zinxhiri komandues i hetimit të krimeve nga drejtori i hetimit deri tek disa inspektorë zone.
Lini një Përgjigje