
Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia e Shkodrës për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në lagjen “10 korriku” ku shpërtheu një sasi tritoli në garazhin në pronësi të 52-vjeçarit Agim Uraj.
Në kërkim janë shpallur Seadet Myftia dhe Zabit Mehmedaj të cilët mësohet se edhe më parë kanë qenë shpallur në kërkim nga policia për ngjarje të tjera kriminale. Të dy këta persona, mësohet se më parë kanë qenë futbollistë. Seafet Myftia rezulton të jetë ish-futbollist i skuadrës së Tërbunit.
Policia njoftoi se pas ngjarjes në lagjen “10 Korriku”, dy të rinjtë janë larguar me një motor të vjedhur në Shkodër.
“Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në aksin rrugor përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe identifikimi i 2 autorëve të dyshuar të saj. Gjithashtu, nga këto veprime dyshohet se 2 autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes, me një motomjet të vjedhur në qytetin e Shkodrës, pak para ngjarjes. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit S. M, 27 vjeç dhe Z. M., 27 vjeç, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës. Vijon puna intensive për kapjen e tyre”, njoftoi policia.
Të enjten në mëngjes një sasi eksplozivi shpërtheu në garazhin e automjeteve e një 52-vjeçari. Si pasojë pati vetëm dëme materiale.
Lini një Përgjigje