
Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK dhe dënoi me 3 vite burg ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja.
Ish-ligjvënësi socialist akuzohet për tregim të sekretit shtetëror në disa raste, përkrahje të autorit të krimit disa herë dhe korrupsion në zgjedhjet e vitit 2021.
Çyrbja deklarohet fajtor dhe për përkrahje të autorit të krimit në 4 episode si dhe për korrupsion në zgjedhje.
Altin Hajri, i gjykuar në mungesë, u shpall fajtor për korrupsion në zgjedhje dhe tregim të sekretit shtetëror. Ai u dënua me 3 vite burg, të reduktuara në 2 vite pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
Ndërkohë, Ahmet Masha u shpall fajtor për tregim të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit. Për të, GJKKO vendosi 2 vite e 6 muaj burgim, të cilat u zbritën në 1 vit e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Dosja e SPAK:
SPAK përfundon hetimet më 15 korrik 2025 dhe dërgon për gjykim ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja, Ahmet Mashën dhe Altin Hajrin. Tre të pandehurit akuzohen për rrjedhje informacioni sekret dhe korrupsion në zgjedhje.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe dërgoi pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal Nr. 93/1 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:
1. Jurgis Çyrbja i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë (në episodet e datave; 2.12.2020, 29.12.2020, 25.2.2021, 6.3.2021, 6.3.2021, 6.3.2021 dhe 7.3.2021), parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal.
ii. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë (në episodet e datave; 2.12.2020, 29.12.2020, 25.2.2021 dhe 7.3.2021), parashikuar nga neni 302/1/2 i Kodit Penal.
iii. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.
iv. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021) parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal.
v. “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal (në periudhën mes datave 5.3.2021-8.3.2021).
2. Ahmet Masha, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.
ii. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal.
3. Altin Hajri, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal (në periudhën midis datave 1.12.2020 – 8.3.2021)
ii. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal (në episodin e datës 1.5.2020).
Lini një Përgjigje