
Gazetarja Aida Topalli ka analizuar në një rend kronologjik të gjithë ngjarjet që erdhën për shkak të gjakmarrjes mes fiseve Hoxha dhe Lleshi, ku së fundmi, SPAK zbardhi vrasjen e Klevis Lleshit i cili u vra në vitin 2020.
Gazetarja e ka cilësuar përplasjen mes dy fiseve si një hakmarrje tipike e gjakmarrjes së egër.
Ajo u shpreh se një përplasje në Angli dhe betimi i Aurel Hoxhës për të vrarë të gjithë burrat e fisit Lleshi, solli të gjitha ngjarjet dhe sagën e hakmarrjes.
“Agim Hoxha kishte një vëlla më të vogël, Aurel Hoxhën. Në vitin 2012, i vëllai u betua se do të shkrinte të gjitha paratë që do fitonte pra do bëhej i pasur dhe të gjithë pasurinë e tij do ta shkrinte për të shuar të gjithë burrat e fisit Lleshi.
Sot në vitin 2025, në fisin Lleshi të paktën të afërt të Arben Lleshit nuk ka më. Pjesa tjetër e fisit ka mundësi të jetë shpërngulur për shkak të frikës së gjakmarrjes. Në brezin e parë dhe të dytë, pra dy vëllezërit e Arben Lleshit dhe dy nipërit e tij janë vrarë dhe zhdukur.
Xhavit Lleshi u vra vetëm një vit pas vrasjes së Agim Hoxhës. Disa vite më vonë, u vra dhe vëllai tjetër në derë të shtëpisë, Hajredin Lleshi.
U zhduk në vitin 2020 Klevis Lleshi, djali i Xhavit Lleshit. Ndërsa në vitin 2017, u zhduk dhe ende sot e kësaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tij, Artan Lleshi, djali i Hajredin Lleshit.
Dy vite më parë u vra në burgun e Peqinit Arben Lleshi, nga i dënuari Sokol Mjacaj. Të gjithë burrat e afërt të Arben Lleshit janë ekzekutuar. E gjithë kjo për shkak të një përplasje që nisi në Angli dhe më pas solli gjithë ngjarjet”, tha Topalli për “Euronews Albania”.
Lini një Përgjigje