
Policia greke ka goditur një tjetër rrjet kriminal të drejtuar nga shtetas shqiptarë, duke arrestuar 6 persona në një operacion të gjerë antidrogë, ku morën pjesë edhe forcat speciale EKAM. Në pranga ra edhe kreu i grupit, Fatjon Prendi, 39 vjeç, emër i njohur për drejtësinë greke për grabitje të armatosur dhe tentativë vrasjeje.
Gjatë kontrollit në disa zona të Athinës dhe Arkadias, policia zbuloi dhe sekuestroi 1 ton e 161 kg marijuanë, 1640 rrënjë kanabis, kokainë, drogë sintetike dhe një arsenal armësh, përfshirë armë zjarri, granatë dhe municion luftarak. Bashkë me drogën, policia gjeti edhe para false në euro, paund, dollarë dhe franga zvicerane.
Bashkë me Fatjon Prendin, në pranga ranë edhe Elson Ndreca (36 vjeç), Brisejda Cami (35), Pashke Gega (73), Zoje Ndoj (35) dhe Arben Mashi (50), ky i fundit me precedentë penalë për trafik droge, armë dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Në banesat dhe ambientet që përdorte grupi u gjetën edhe peshore elektronike, celularë dhe mjete të tjera të përdorura për shpërndarjen e drogës. Fitimi i parashikuar nga tregtimi i drogës kapte vlerën e mbi 8 milionë eurove.
Fatjon Prendi nuk është emër i panjohur për autoritetet greke. Në vitin 2012, ai ishte pjesë e një grabitjeje të përgjakshme në lagjen Kifisia të Athinës, ku së bashku me një tjetër shqiptar, hynë në banesën e ish-trajnerit të PAOK, Giorgos Dhoni, ku ndodheshin familjarë të tij dhe dy fëmijë të mitur. Pasi morën para dhe bizhuteri, tentuan të largoheshin duke marrë peng një të moshuar, por u përballën me policinë. Pas një shkëmbimi zjarri, u plagos një efektiv dhe një nga autorët. Prendi u kap pas disa orësh në një oborr në rrugën “Himara”, ndërsa bashkëpunëtori i tij u arrestua pak më vonë.
Pavarësisht se ishte në “detyrim paraqitje”, Prendi riktheu aktivitetin e tij kriminal duke ngritur një rrjet të sofistikuar droge në Greqi, që përfshinte edhe tregtinë e substancave sintetike. Arrestimi i tij konsiderohet një goditje e rëndësishme për autoritetet greke, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar të tjerë të përfshirë dhe lidhjet e grupit me rrjete të tjera kriminale në Ballkan.
Lini një Përgjigje