TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Gusht 2025, 13:18

Arrestohen financuesit, shpallen në kërkim organizatorët; goditet grupi që kultivonte kanabis në Korçë (Emrat)

Shkruar nga Pamfleti

Arrestohen financuesit, shpallen në kërkim organizatorët; goditet

Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ‘Grupi’, i zhvilluar nga anti-droga e Korçës dhe prokuroria e këtij qyteti.

Operacioni goditi një grup që kultivonte kanabis në fshatin Polovisht të Maliqit, më pas sasia trafikohej.

Lënda narkotike e prodhuar magazinohej në fshatin Voskop, Korçë, ku kryhej procesi i tharjes dhe i përpunimit, me qëllim transportimin e saj drejt shtetit grek.

Të arrestuarit janë Leonard Xhemollari dhe Gentian Muço, që sipas policisë kishin rolin e financuesit në veprimtarinë kriminale.

Ndërkohë që janë shpallur në kërkim Rexhildo Berberi dhe Abidin Guraj, që policia i konsideron si organizatorët e trafikut të lëndës narkotike.

Në njoftimin zyrtar thuhet se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Rexhildo Berberi, të shpallur në kërkim, në katin e parë të ndërtesës, u zbulua një ambient i përshtatur për modifikimin e automjeteve.

“Në kuadër të operacionit u kapën dy financuesit e kultivimit të kanabisit, konkretisht shtetasit L. XH., 45 vjeç, banues në Maliq, dhe G. M., 48 vjeç, banues në Korçë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. B., 42 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, banues në Korçë, organizatorë të trafikimit të kanabisit në katër raste të goditura më parë nga Policia:

Ngjarja e datës 08.06.2025, ku u arrestua në flagrancë shtetasi V. B., që u kap me 6 kg lëndë narkotike të dyshuar heroinë, në PKK Kapështicë;

Ngjarja e datës 25.04.2024, ku u arrestuan shtetasit K. SH. dhe H. M., të cilët u kapën me një sasi prej 12.5 kg lëndë narkotike, e dyshuar kanabis;

Ngjarja e datës 23.09.2023, ku u arrestua shtetasi K. K., në qytetin e Pogradecit, me një sasi prej 52.6 kg lëndë narkotike, kanabis;

Ngjarja e datës 27.11.2023, ku u arrestuan shtetasit L. L. dhe S. P., dhe u kap në shtetin grek një sasi prej 26 kg lëndë narkotike.

Të katër këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Polovisht–Maliq, kanë kultivuar bimë narkotike dhe e kanë magazinuar në fshatin Voskop, Korçë, ku kryhej procesi i tharjes dhe i përpunimit, dhe më pas do të bëhej transportimi i saj drejt shtetit grek.

Operacioni vijon për identifikimin dhe dokumentimin e përfshirjes së personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje kriminale.

Materialet procedurale u referuan në Prokurori për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Trafikimi i narkotikëve"”, njoftoi Policia.

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje