TAGS-AT E JAVËS

Kronike18 Dhjetor 2023, 14:32

Arrestimi i Lulzim Berishës, Spanja jep detaje: Çfarë u gjet në apartamentin e ish kreut të bandës së Durrësit

Shkruar nga Pamfleti

Arrestimi i Lulzim Berishës, Spanja jep detaje: Çfarë u gjet

Ministria e Brendshme spanjolle ka reaguar për herë të parë për arrestimin e të shumëkërkuarit Lulzim Berisha. 

Ish-kreu i Bandës së Durrësit u arrestua me 14 dhjetor në kuadër të operacionit të përbashkët “Sant Joan” mes policisë shqiptare dhe asaj spanjolle.

Në njoftimin e saj, ajo sqaron se autoritetet shqiptare këmbëngulën në rëndësinë e gjetjes së këtij shtetasi. Dhe pas hetimeve të para, kërkimet u përqendruan në bregdetin e Levantit.

“Autoritetet shqiptare këmbëngulën në rëndësinë dhe prioritetin e gjetjes së këtij personi. Pas hetimeve të para, kërkimi u përqendrua në bregdetin Levantin, ku disa agjentë udhëtuan për javë të tëra. Menjëherë pas kësaj, një apartament në San Juan de Alicante u gjet ku mund të fshihej i kërkuari.

Në të njëjtin muaj dhjetor, ndërkohë që hetuesit kryenin vëzhgime diskrete në afërsi të urbanizimit, agjentët arritën të identifikonin një tjetër anëtar të organizatës që po përgatitej të zhvendoste të kërkuarin dhe me agjentët shfrytëzuan rastin për ta arrestuar atë”, thotë Ministria.

Ministria e Brendshme spanjolle sqaron se Berisha ishte drejtues i një organizate kriminale të cilës i atribuohen dhjetëra vrasje që nga viti 1998. I arratisuri kërkohej për vrasjen e dy personave që u qëlluan në një qytet të Shqipërisë në vitin 2005.

“I arratisuri filloi aktivitetin e tij në organizatën kriminale që drejtonte në fillim të viteve ’90 dhe mori emrin e tij nga një nga qytetet më të rëndësishme të rajonit shqiptar, Durrësi, si simbol i kontrollit që kjo organizatë kishte arritur dhe falë saj do të ishte pozicionuar si eksportuesi kryesor i kokainës dhe armëve në vend. I arrestuari ishte në kërkim për vrasjen e dy personave, për larje hesapesh mes klaneve rivale që ndodhi në vitin 2005 dhe u zbardh 15 vjet më vonë”, thuhet në komunikatën e ministrisë së Brendshme të Spanjës.

"Në vitin 2012, një gjykatë shqiptare dënoi 16 anëtarë të organizatës së tij me katër dënime të përjetshme dhe 267 vjet burg për pjesën tjetër të anëtarëve për vrasje, zhvatje dhe rrëmbim. Autoritetet shqiptare këmbëngulën në rëndësinë dhe prioritetin e gjetjes së këtij personi", thuhet në njoftimin e policisë.

Kush është Lulzim Berisha?

Lulzim Berisha njihet si truri i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda. Banda nisi të veprojë në Durrës prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.

Njëri prej tyre, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.

Historiku i krimeve të Bandës së Durrësit

17 tetor 1998

Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998 në qytetin e Durrësit. Kjo mbahet si vepra e parë kriminale e këtij grupi.

29 tetor 1998

Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, organizata e Berishës dhe Saliut akuzohet se ka kryer dy vrasje të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri

22 gusht 1999

Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998 është zënë në pusi nga ana e grupit të Berishës dhe Saliut. Më 22 gusht 1999, Marsel Sotiri ekzekutohet në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.

9 korrik 2000

Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet nga prokuroria e policia edhe për një tjetër vrasje. Këtë herë ata kanë kryer atentatin ku u vra shtetasi Dritan Disha. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit

14 janar 2002

Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas ka kryer ekzekutimin e shtetasit Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit

2003

Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre

26 shkurt 2005

Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Kjo vrasje është kryer në autostradë më datë 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.

13 tetor 2005

Vetëm 9 muaj ka vonuar kundërpërgjigjja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle dhe akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.

30 tetor 2005

Hakmarrja e grupit të kryesuar tashmë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e shtetasit Ilir Kolgjini, i njohur si mik i Lul Berishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

ministria e brendshme spanje arrestim lulzim berisha

Lini një Përgjigje