Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për ish gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Guxim Zenelaj, duke kërkuar 1 vit burg.
Në aplikim të nenit 59, SPAK kërkon që ish gjyqtari i Lartë të mos dërgohet në qeli, por të vendoset në shërbim prove për një periudhë 24 mujore.
SPAK kërkon që Zenelaj të shpallet fajtor për akuzën e “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë dhe personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Ndërkohë, vijon gjykimi për pasuritë e sekuestruara të Zenelajt, për të cilat shkalla e parë ka vendosur konfiskimin, por çështja është në Apel.
Më 22 dhjetor 2022, SPAK përfundoi hetimet në ngarkim të Zenelajt për deklarim të rremë të pasurive dhe dërgoi çështjen për gjykim. Po ashtu, bazuar në ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, u dërgua për gjykim edhe kërkesa për konfiskimin e pasurive të Zenelajt.
Konkretisht, është kërkuar dhe pranuar nga gjykata me vendim të datës 6 tetor, konfiskimi i një ngastre toke me sipërfaqe 1000 m2 në Porto Palermo, Himarë – Vlorë; si dhe gjashtë pasuri të paluajtshme në Ishull-Shëngjin-Lezhë, konkretisht dy bodrume me sipërfaqe 16 m2 dhe 15 m2; njësi me sipërfaqe 218.06 m2, dhe tre apartamente me sipërfaqe 60.36 m2, 67.35 m2 dhe 51.35 m2.
Zenelaj u largua nga sistemi gjyqësor në korrik të vitit 2017, së bashku me anëtarët e tjerë Arjana Fullani, Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako, të cilët njoftuan përfundimin e mandatit të tyre. Në vijim ata refuzuan t'i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me pretendimin se nuk e kishin më statusin e magjistratit. Po ashtu refuzuan pozicionet në Apel.
Bazuar mbi këtë refuzim, KPK vendosi se secili prej tyre kishte bërë dorëheqje dhe bazuar në ligjin për rivlerësimin ndërpreu procesin e vetingut dhe caktoi masën që u ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.
Lini një Përgjigje