Gjykata e Lartë refuzoi rekursin e dy të akuzuarve nga SPAK, që dyshohet si të përfshirë në një grup kriminal që merrej me trafikun e narkotikëve. Në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimet e GJKKO-së lidhur me masat e sigurisë “arrest me burg” për Sergej Hasanpapaj dhe Mario Çela. Vendimi është marrë në dhomë këshillimi nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Genti Shala.
Çela u arrestua në Belgjikë me urdhër të SPAK dhe më pas u ekstradua në Shqipëri. Ai përballet me akuza për pjesëmarrje në organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje dhe korrupsion aktiv në sektorin privat.
Hasanpapaj u ekstradua nga Belgjika në muajin shkurt dhe akuzohet për përfshirje në vrasjen e Bledar Muçës, ngjarje e ndodhur në vitin 2022 në Belgjikë. Ai ishte arrestuar nga autoritetet belge po atë vit dhe konsiderohet një personazh i njohur në dosjet kriminale të Elbasanit. Hasanpapaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në vitin 2024 ndaj tij ishte caktuar masa “arrest në burg” për veprat penale të vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë, kryer në kuadër të organizatës kriminale, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Të dy janë pjesë e procesit gjyqësor që po zhvillohet në GJKKO ndaj 21 të pandehurve.
Sipas SPAK, grupi dyshohet se ka organizuar disa operacione të trafikimit ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Hetimet përfshijnë një rast të tentativës për trafikimin e rreth 930 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Europës në fund të vitit 2020, si dhe një tjetër episod me 466 kilogramë kokainë të destinuar për në Holandë në janar të vitit 2021.
Lini një Përgjigje