Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të diele (2 mars) në aksin e rrugës kombëtare Peqin-Elbasan, në fshatin Bishqem, ku 2 persona humbën jetën ndërsa 5 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Si pasojë e aksidentit humbën jetën drejtuesi i makinës tip “Benz”, K.Sh dhe pasagjerja në këtë automjet, një 55-vjeçare me iniciale F.SH. që janë nënë e bir.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, një automjet tip benz me targë AB507AV dhe një furgon pasagjerësh me targë AA368NH, i drejtuar nga shtetasi Anesti Bufi.
Policia njoftoi se nga përplasja është dëmtuar edhe shoferi i furgonit dhe 4 pasagjerë që udhëtonin me të. Ata janë transportuar në spital dhe sipas uniformave blu janë jashtë rrezikut për jetën.
Siç duket edhe nga pamjet përplasja ka qenë shumë e fortë teksa “Benz”-i është shkatërruar pothuajse i gjithi.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.
Dyshohet se shpejtësia e lartë dhe kushtet e rrugës mund të kenë qenë faktorët kryesorë të përplasjes fatale.
“Mëngjesin e sotëm, në aksin rrugor "Elbasan-Peqin", në fshatin Paulesh, furgoni që drejtohej nga shtetasi A. B., 44 vjeç, është përplasur me automjetin tip "Benz", me drejtues shtetasin K. Sh.Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit tip "Benz" shtetasi K. Sh., dhe shtetasja F. Sh., 55 vjeçe, pasagjere në këtë automjet.
Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i furgonit, shtetasi A. B., dhe 4 pasagjerë që udhëtonin me furgon, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi Policia.
Lini një Përgjigje