Një dalje që pritej të ishte e zakonshme përfundoi në mënyrë tragjike për 19-vjeçaren shqiptare Myrto, e cila në mesnatën e së hënës së Pashkëve hipi në makinën e të dashurit të saj 23-vjeçar, pa e ditur se ajo natë do të ishte e fundit për të.
Brenda pak orësh, e reja u gjet pa ndjenja në sheshin e Argostolit, ndërsa rrethanat e asaj që ndodhi gjatë natës mbeten ende objekt hetimi dhe plot pikëpyetje.
Sipas dëshmisë së 23-vjeçarit, takimi i tyre në një apartament me qira ishte planifikuar si një mbrëmje e qetë. Megjithatë, sipas tij, situata ndryshoi kur 19-vjeçarja kërkoi përdorimin e lëndëve narkotike.
“I thashë asaj se njoh dikë që merret me gjëra të tilla dhe e telefonova ... (ish-peshëngritësin) nëpërmjet Instagram-it dhe i thashë se duam një copë. Ai erdhi në apartament, rreth 15 minuta pasi e telefonuam ne, dhe na solli një qese me kokainë, dhe Myrto pagoi për të. Nuk e di sa para i dha. Ai u ul me ne për rreth gjysmë ore, ku biseduam dhe qeshëm. Myrto kishte pirë kokainë ndërsa ne të tre ishim atje. ... (ish-peshëngritësi) u largua dhe u kthye pas pak dhe solli një sasi tjetër kokaine, të cilën Myrto e kërkonte me këmbëngulje. Në një moment, ... (... 22-vjeçari nga Shqipëria) erdhi, të cilin ish-peshëngritësi e telefonoi dhe erdhi e u ul me ne”, ka deklaruar 23-vjeçari para gjykatës.
Ngjarja ngre një sërë pyetjesh të rëndësishme, veçanërisht lidhur me reagimin e personave të pranishëm, të cilët, sipas hetimeve, nuk e transportuan të renë në spital, pavarësisht se ndodhej vetëm rreth 500 metra larg vendit ku ajo u gjet nga shërbimet emergjente.
Sipas raportit të mjekësisë ligjore, shkaku i vdekjes ishte një atak në zemër, ndërsa analizat toksikologjike pritet të hedhin më shumë dritë mbi përdorimin e mundshëm të lëndëve narkotike.
Ndaj tre të rinjve është ngritur akuza për “vrasje me dashje me mosveprim”, si dhe për posedim dhe përdorim të narkotikëve. Ata pritet të dëshmojnë në vijim të procesit hetimor.
Lini një Përgjigje