TAGS-AT E JAVËS

Kronike 6 Nëntor 2024, 18:47

A po tentohet të bllokohet ekstradimi i Durim Bamit nga Dubai?

Shkruar nga Pamfleti

A po tentohet të bllokohet ekstradimi i Durim Bamit nga Dubai?

Gojët e liga flasin se po bëhet luftë e madhe për të ndalur ekstradimin e tij...

Arrestimi për të dytën herë i Durim Bamit në Dubai bëri shumë bujë, pasi u deklarua se këtë herë do të ekstradohet në vendin tonë.

I “forti i Niklës” është ndër personat më të kërkuar nga SPAK dhe dyshohet si i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Madje cilësohet si një “aset” i madh nëse bashkëpunon me drejtësinë. Mirëpo ende nuk po shohim asnjë sinjal për ekstradimin e tij.

Bami u arrestua në 28 tetor dhe u tha se do të ekstradohej brenda pak ditësh. Kanë kaluar 10 ditë dhe nuk është përmendur më si çështje. Patjetër që procedurat vonojnë, por gojët e liga flasin se po bëhet luftë e madhe për të ndalur ekstradimin e tij.

Bami thuhet se ka marrë porosi për vrasje si nga bosë të krimit, por dhe nga njerëz të politikës. Nëse ai flet, mund të fundosen shumë emra të rëndësishëm. Kështu që po lëvizen fijet në prapaskenë që ai të mos vijë në Tiranë.

Madje vetë Bami në Dubai ka dorëzuar një listë me emra, ku pretendon se duan që ta vrasin. Mbetet të shihet nëse autoritetet shqiptare do arrijnë ta sjellin në Tiranë, apo dhe këtë herë mund të kemi një arrestim të dështuar.

Durim Bami u shpall në kërkim në kuadër të dosjes Revansh të hetuar nga SPAK.

Bami akuzohet për planifikimin e vrasjes së Arben Ndokës, Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit. Pjesë e kësaj dosjeje është edhe bashkëpunimi i dyshuar mes Durim Bamit me ish-efektivin e RENEA-s Altin Moria për kultivimin e kanabisit në Nikël.

SPAK në kuadër kësaj dosje kërkoi arrestimin e 50 personave, mes të cilëve ishin dhe Durim Bami, ish-deputeti i PS Arben Ndoka, Ervis Martinaj, Endrit Dokle si dhe personazheve të tjerë të botës së krimit.

Nga 50 personat të përfshirë në këtë dosje, 16 prej tyre kishin thurur plane për vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje