Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se po transportonin emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së.
Sipas policisë, bëhet fjalë për shtetasit A. M., 24 vjeç, dhe I. V., 22 vjeç, banues në Kukës, të cilët u kapën në zonën e “Mbikalimit të Kasharit” duke transportuar 5 emigrantë.
Emigrantëve u ishte kërkuar nga secili nga 2,700 euro, me premtimin se do t’i çonin deri në Francë. Policia ka sekuestruar 1 automjet dhe 2 aparate celularë.
"Strukturat e Policisë së Tiranës finalizuan operacionin e koduar “Relay 6”, duke arrestuar dy shtetas të dyshuar për transport të emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të veprimeve për goditjen e kontrabandës së emigrantëve, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë kapën A. M., 24 vjeç, dhe I. V., 22 vjeç, banues në Kukës, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Kasharit”. Ata dyshohet se po transportonin me automjet 5 emigrantë, të cilëve u kishin kërkuar 2700 euro secili, me premtimin për t’i dërguar në Francë.
Si provë materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 2 aparate celularë. Hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vazhdojnë, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Lini një Përgjigje