
Të shtëna me armë zjarri u regjistruan mesditën e sotme në Bulqizë, ku shënjestra ishte Luan Tërnova, një emër i njohur në zonë. Pavarësisht breshërive të plumbave, fatmirësisht nuk u raportua për të plagosur.
Ngjarja ndodhi pranë xhamisë së qytetit, ku Tërnova u qëllua ndërsa po dilte nga falja. Ai vetë ka bërë denoncimin në polici, duke treguar se ishte shënjestruar nga persona të paidentifikuar.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe nisi hetimet për identifikimin e autorëve. Një motomjet i djegur u gjet në aksin Qafa e Buallit-Klos, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.
Kush është Luan Tërnova?
Luan Tërnova, 40 vjeç, ka një histori të pasur me drejtësinë. Ai u arrestua në maj të vitit 2016 për armëmbajtje pa leje, pasi në banesë iu gjet një pistoletë me 8 fishekë. Një nga aksionet që e riktheu në qendër të vëmendjes ishte operacioni i koduar “Gjeologu”, ku u arrestua së bashku me të ëmën, Sarie Tërnova, 58 vjeç. Gjatë kontrollit të automjetit të tij, nënë e bir u kapën me armë zjarri.
Luan Tërnova ka qënë i dënuar edhe në Francë për vjedhje banesash dhe u deportua në Shqipëri vetëm një muaj para arrestimit të tij në Bulqizë.
Lidhja me të fortin e Bulqizës, Fadil Tërnova
Luan Tërnova është vëllai i një emri të njohur në botën e krimit në Bulqizë, Fadil Tërnova. Ky i fundit, i njohur si “i forti i Bulqizës”, ka një dosje të pasur kriminale. 37-vjeçari ka qenë i dënuar me 10 vite burg për tentativë vrasje dhe është përplasur disa herë me rivalë.
Një nga ngjarjet më të rënda ndodhi në 2013, kur Fadil Tërnova dyshohet se ka vrarë Shefqet Shehun dhe ka plagosur Vehad Shehun pas një shkëmbimi zjarri në lagjen “Gjeologu”. Ai vetë mbeti i plagosur nga kjo përplasje.
Familja Tërnova mbahet si një nga familjet e forta të Dibrës dhe ka krijuar mjaft armiqësi në zonë. Këto atentate të njëpasnjëshme ndaj familjes Tërnova tregonin një prani të theksuar të konflikteve në zonën e Bulqizës. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar autorët dhe motivet pas atentatit të fundit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje