TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Gusht 2025, 12:01

Abuzim me fondet e shpërdorim detyre, Prokuroria çon për gjykim ish-drejtuesit e Urdhrit të Stomatologut

Shkruar nga Pamfleti

Abuzim me fondet e shpërdorim detyre, Prokuroria çon për gjykim

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen në ngarkim të Nikoll Deda dhe Aurela Guri, përkatësisht ish-President dhe ish-zv.Presidente e Urdhrit të Stomatologut. Ndaj tyre prokuroria e Tiranës ka ngritur akuza për 3 vepra penale që kanë të bëjnë me shpërdorim detyre, abuzim me fondet dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës

Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr.1218, të vitit 2025, shtetasi Nikoll Deda, ish-president i Urdhrit të Stomatologut, akuzohet për veprat penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, sipas neneve 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve, ky shtetas dyshohet se, në periudhën e drejtimit të tij, ka rritur buxhetin e institucionit nga viti në vit për përfitime personale, ka punësuar familjarë pa kriter dhe ka shpërdoruar fondet e institucionit përmes pagesave fiktive dhe biletave të pajustifikuara.

Gjithashtu, Prokuroria ka çuar për gjykim edhe shtetasen Aurela Guri, ish-zv.presidente e Urdhrit, e cila akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Nga hetimet ka rezultuar se ajo ka marrë vendime financiare pa patur kompetenca, duke autorizuar zbatimin e një buxheti të përkohshëm për vitin 2024 në kundërshtim me masat e vendosura nga Gjykata Administrative që nga viti 2020.

Të dy të pandehurit, sipas Prokurorisë, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për të përqendruar pushtetin vendimmarrës dhe fondet në duart e tyre, duke dëmtuar institucionin dhe shkelur urdhrat gjyqësorë në fuqi.

Lini një Përgjigje