
Flodian Plaku, 41 vjeç, konsiderohej nga policia me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me precedent të mëparshëm penal...
Gjykata e Tiranës ka rikonfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Flodian Plakun, i njohur me nofkën ‘Pole Qorri’, ndaj të cilit kishte një urdhër-arresti prej gushtit 2024, lidhur me vrasjen e Gentjan Bejtjas. Ky i fundit u ekzekutua në mars 2024, brenda rrethimit të banesës së tij në fshatin Larushk, me breshëri automatike, ndërsa dyshohet se një nga personat që morën pjesë në atentat ishte edhe Flodian Plaku.
Ky i fundit njihej edhe me mbiemrat Mamo e Serjani. Gjatë seancës për rivlerësimin e masës së sigurisë, Plaku u shpreh se nuk ka lidhje me krimin. Ai u shpreh se 10 ditë para se të arrestohej nga forcat RENEA në Orikum, atje ku u kap në mjediset e një hoteli, teksa po hante drekë, kishte përdorur një automjet tip ‘Golf’.
“Policia erdhi tek unë 10 ditë pasi përdora mjetin ‘Golf’”, ka deklaruar Plaku gjatë seancës. Ai ka mohuar që të ketë lidhje me vrasjen e Gentian Bejtjas, por pretendimet e tij s'janë marrë parasysh nga Gjykata e Tiranës.
Avokati i Flodian Plakut ka kërkuar një masë më të zbutur sigurie, por kërkesa u rrëzua nga Gjykata.
Ndërkohë për kapjen e tij, policia dyshohet se ka vënë nën vëzhgim dhe ndjekje personat që çuan më pas në zbulimin e bazës ku fshihej i dyshuari për vrasjen e ish-policit Bejtja.
Është raportuar se agjentët e policisë kishin në vëzhgim berberin, që thirrej nga Plaku sa herë i duhej të qethej, por edhe një tjetër person që dyshohet se e furnizonte me ushqime. Në momentin e arrestimit, Plaku ndodhej në shoqërinë e Julian Aliaj, i cili u ndalua nga policia. Kjo e fundit tha se Plakut iu gjetën edhe dy armë zjarri pa leje, ndërsa operacioni për kapjen e tij, nuk zgjati më shumë se 3 minuta .
Flodian Plaku, 41 vjeç, konsiderohej nga policia me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me precedent të mëparshëm penal.
Për Plakun, i shpallur në kërkim që më 26 korrik, policia kreu disa aksione në Vlorë dhe në qytete të tjera për arrestimin e tij dhe kur të gjitha rezultuan të pasuksesshme. Ai gjithashtu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa dyshohej se ishte strehuar në Dubai, ndërsa lëvizte edhe në Itali e Greqi.
Për eliminimin e Bejtjes, thellimi i hetimeve ngarkoi me veprën e vrasjes me dashje dhe Ilir Beqarajn të arrestuar disa ditë pas ngjarjeve.
Sipas hetuesve Beqaraj me makinën e Edison Haxhiut largoi autorët nga fshati “Hasan”, ku dogjën makinën, drejt Bubqit. Ndërsa për Haxhiun rëndon vetëm akuza e ‘Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje’. Personat që u përfshinë në vrasjen e Bejtjes dyshohet se ishin njerëzit e Roan Brahimit, i ekzekutuar në një atentat një vit më parë në Athinë.
Gentjan Bejtja u qëllua me breshëri automatiku pasditen e 15 marsit. Më herët, ai i kishte shpëtuar disa atentateve po kurrë nuk bashkëpunoi me autoritetet për të treguar se kush e donte të vdekur. Më 4 Korrik 2023, po në të njëjtin vend dhe me të njëjtin mekanizëm, atij iu vra kunati Ramazan Sino, 29 vjeç, dhe iu plagosën 2 djemtë e tij.
Lini një Përgjigje