
Frrok Lleshaj, 65-vjeç, u qëllua për vdekje mbrëmjen e së hënës në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, vetëm pak metra larg banesës së tij.
Pista kryesore ku janë përqëndruar hetimet është ajo e gjakmarrjes, ndërsa dyshohet se viktima është qëlluar me armë me silenciator.
Dyshohet se viktima është qëlluar rreth orës 20:00 të së hënës, ndërsa trupi i pajetë u gjet rreth orës 21:00, kohë kur u njoftua edhe Policia.
Trupi i pajetë u gjet nga një prej banorëve të zonës, i cili ka njoftuar më pas familjarët e 65-vjeçarit dhe këta të fundit kanë lajmëruar policinë.
Lleshaj, 65 vjeç, 30 vjet më parë ka kryer një vrasje për të cilën u arrestua por ai u arratis në vitin 1997 nga burgu.
Ish-efektiv policie në fillim të viteve ‘90, Lleshaj u arrestua në 2006 ku vuajti 21 vjet burg dhe doli në 2023.
Pavarësisht dënimit, viktima nuk e ka pranuar autorësinë e ngjarjes për të cilën është dënuar.

Pista ku po hetohet
Pista kryesore ku po hetohet është ajo e gjakmarrjes. Hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90, 5 viktima deri më tani. Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim vitet ’90 ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj me të cilin lindi konflikti dhe një shtetas tjetër nga Puka. Gjithçka nisi në vitin 1991 kur djali i 65 vjeçarit u vra në Greqi, shkruan gazetari Senad Nikshiqi për BW.
Asokohe u tha se të riun e vrau policia greke në rrethana që nuk dihen por familja e Frrok Lleshaj dyshonte se kishin gisht në këtë ngjarje kushërinjtë e tij. Kështu pak vite më vonë ka dyshime të forta se 65 vjeçari mori gjakun e djalit të tij duke vrarë kështu kushëririn Dodë Lleshaj. Pavarësisht dyshimeve dhe akuzave, Frrok Lleshaj nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarje.
Ndërkohë një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, ngjarje të cilën e pranoi në gjykatë dhe për të cilën u dënua me 25 vite burg. Nga këto dy hasmëri të vjetra dhe ende të pambyllura, mbetet i vrarë edhe vëllai i Frrok Lleshaj. Bashkë me 65 vjeçarin që u qëllua mbrëmjen e 4 gushtit me pistoletë shkon në 5 numri i viktimave për shkak të gjakmarrjes. Policia vendore e Shkodrës e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje nisi hetimet paraprake përmes grupit të punës të ngritur për këtë vrasje të rëndë.
Dyshimet kryesore të vrasjes së 65 vjeçarit lidhen me këto dy hasmëri por deri më tani nuk ka ende persona konkret të ndaluar nga efektivët. Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për vrasjen si dhe familjarë por deri më tani nuk ka asgjë konkrete lidhur me autorsinë e ngjarjes ku mbeti i vrarë Frrok Lleshaj. Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë është duke punuar për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë që dyshohet se erdhi si shkak i gjakmarrjes por pa përjashtuar ndonjë pistë tjetër të mundshme.
Lini një Përgjigje