
Sa herë që i jepet mundësia, nxjerr një emër nga sirtari dhe e konfirmon. Mund të bënte të njëjtën gjë edhe me pozicionin e Avokatit të Popullit…
Partia Demokratike është përballur me presion pozitiv prej disa javësh për të rifreskuar piramidën e saj udhëheqëse, një proces që është pranuar edhe nga Sali Berisha.
Një lëvizje e iniciuar nga Ervin Salianji dhe së cilës iu bashkuan shumë prej atyre që morën më shumë vota në zgjedhjet paraprake të PD-së, ose nga ata që garuan në listat e hapura në zgjedhjet e 11 majit dhe mblodhën shumë më tepër vota për emrat që përbëjnë kryesinë, konsiston pikërisht në rifreskimin e saj, si dhe në hapjen e PD-së ndaj elementëve të rinj.
Në parim, të gjitha palët bien dakord, madje edhe vetë Berisha, si kreu i PD-së, e konsideron reformën dhe hapjen një përparësi, megjithëse deri më tani kjo ka mbetur në nivelin e deklaratave.
Dhe janë pikërisht ata që sot identifikohen si pjesë e lëvizjes së Ervin Salijanjit që i kërkojnë Berishës të udhëheqë PD-në duke e bërë realitet atë që thuhet si deklaratë nga foltorja e partisë apo nga studioja televizive.
Por praktika ka treguar se Berisha është i prirur të riciklojë të njëjtat emra, ndoshta sepse i ka testuar më parë dhe ka ndërtuar besim. Ose duke pasur parasysh faktin që opozita është në një pozicion sot, riciklimi mund të shihet edhe si një gjest, një "nder i kthyer" për besnikërinë që i kanë treguar gjatë viteve. Ai bën të njëjtën gjë me pozicionet si në parti ashtu edhe në grupin parlamentar.
Sa herë që i jepet mundësia, nxjerr një emër nga sirtari dhe e konfirmon. Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe me pozicionin e Avokatit të Popullit, ku pasi mbështeti me firma një duzinë emrash, ditën e fundit tërhoqi mbështetjen për listën që kishte qarkulluar jo vetëm në media, por edhe në zyrat e Parlamentit për më shumë se dy javë.
Disa nga emrat në atë listë ishin të rinj që, në një mënyrë ose në një tjetër, kishin arritur të merrnin mbështetjen e nevojshme me firmat e deputetëve për t'u bërë kandidatë për një garë që në fund të fundit vendoset nga vullneti i deputetëve të Edi Ramës.
Pothuajse në të njëjtën ditë që tërhoqi mbështetjen për kandidatët që kandidonin për Avokat të Popullit, Berisha arriti të gjente konsensus me socialistët për Komisioneren e re për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, e cila ka një mandat pesëvjeçar. Emri i votuar është Lefterie Lleshi, ish-kryetare e KQZ-së, e propozuar nga Berisha kur ai ishte kryeministër.
Pak kohë më parë, Berisha e riktheu në punë Arben Ristanin, duke e emëruar atë në Komisionin Rregullator të KQZ-së, si një nga anëtarët dhe përfaqësuesit e PD-së. Ristani ishte Kryetar i KQZ-së dhe një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Berishës në atë kohë.
Dhe ndoshta kjo praktikë e riciklimit të emrave dhe 'qokave' do të vazhdojë sa herë që i jepet mundësia. Ai bëri të njëjtën gjë gjatë kohës që ishte Kryeministër (2005-2013). Në pozicione kyçe, ai zgjodhi të emëronte ish-bashkëpunëtorët e tij para vitit 1997, ose familjarët e tyre, edhe pse përdori "KOP" si grim me emra dhe fytyra të reja.
Dallimi sot krahasuar me kohën kur ai ishte Kryeministër është se ai ka më pak liri veprimi, por sa herë që arrin konsensus me socialistët, nxjerr një emër nga sirtari. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje