
Pse u kujtua tani kryeministri për Bankersin?
Kryeministri, pas shumë dështimeve tronditëse në keqmenaxhimin e sektorit publik, përfshirë kontratat koncesionare të burimeve natyrore, është më mirë të flasë sa më pak publikisht dhe të veprojë sa më shpejt e ligjërisht sa më fort për të parandaluar skandale të tilla.
Kjo deklaratë e Kryeministrit është provë e dështimit dhe përgjegjësive të qeverisë. Kjo sepse:
(i) Bardhës të Sarandës, i kërkohet faturë me TVSH për rigonin e mbledhur në mal;
(ii) Çdo shqiptari, Bashkia e Tiranës dhe tatimet i bllokojnë llogaritë bankare dhe e fusin në krizë likuiditeti edhe për 2.000 lekë detyrime, edhe kur shumat në llogari janë dhjetëra herë më të mëdha se detyrimet e papaguara;
(iii) Po Bankersit, që sipas Kryeministrit i paska borxh buxhetit të shtetit 240 milionë euro, pse nuk i janë bllokuar llogaritë për këto detyrime me vlerë miliona euro?
(iv) Pse organet tatimore nuk i bllokuan llogaritë e çdo kompanie të rafinerisë së Ballshit, gropa më e zezë dhe më kriminale në sektorin publik pas viteve ’90, kur menaxherët e koncesionit, të konfirmuar edhe nga strukturat përkatëse, përfituan miliona euro në mënyrë abuzive si paga, dieta dhe bonuse, ndërsa punonjësit e rafinerisë humbën vite pa sigurime shoqërore?
Kryeministri nuk mund të përpiqet të justifikojë çdo dështim me kosto të rënda për taksapaguesit shqiptarë. Sepse, për shkak të paaftësisë apo edhe korrupsionit, institucionet që ligjërisht janë përgjegjëse për parandalimin e çdo vjedhjeje dhe mospagimi të tatimeve, në vend që të ndalonin thellimin e “gropave të zeza” në buxhet, i kanë thelluar më tej ato.
Kush e ka penguar administratën përgjegjëse që të aplikonte procedurat e falimentimit ndaj çdo kompanie me borxhe të papaguara ndaj tatimeve?
Pse janë kaq të dështuara edhe strukturat kundër korrupsionit që varen drejtpërdrejt nga Kryeministri?
Përgjegjësitë administrative dhe penale të strukturave përkatëse minimalisht përfshijnë:
(1) Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), përgjegjëse për ndjekjen profesionale të çdo kontrate me kompanitë që nxjerrin dhe/ose përpunojnë pasuritë natyrore;
(2) Kompanitë publike partnere, që përfitojnë pjesë të të ardhurave si rentë minerare;
(3) Organet tatimore kombëtare dhe lokale;
(4) Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH).
Kryeministri nuk mund të bëjë deklarata mediatike kur të parët që kanë dështuar janë nën vartësinë e tij.
Rasti i Bankersit dhe i Ballshit, nëse ka 240 milionë euro borxhe dhe vazhdon të funksionojë në shkelje të ligjit dhe në trajtim të pabarabartë me tatimpaguesit e zakonshëm, nuk është më vetëm paaftësi qeverisëse, por provë e qartë e korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Një këshillë: Qeveritarët duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të saktë profesionalisht në çdo deklaratë ndaj kompanive koncesionare apo investitorëve të huaj, sepse këta të fundit kanë ekspertë të specializuar për të fituar çdo proces gjyqësor kundër shtetit.
Vetëm për një deklaratë të papërgjegjshme të ministrave të PD-së, taksapaguesit shqiptarë paguan 21 milionë dollarë gjobë për GE, për trenin elektrik Tiranë-Rinas-Durrës.
Vetëm për deklarata dhe veprime të papërgjegjshme të ministrave të Edi Ramës ndaj TV Agon, shqiptarët e pafajshëm po paguajnë rreth 140 milionë euro. Një barrë e rëndë mbi shpatullat e qytetarëve që nuk kanë lidhje me abuzimet.
Lini një Përgjigje