
Sot votohet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, që do t’u hapte rrugën zgjedhjeve të reja.
Ndërsa Lista Serbe bën thirrje për bojkotimin e tyre, votimi nuk pritet të ketë sukses.
Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviç dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat e NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.
Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, ra dakord organizojë zgjedhje të reja, përmes një votimi për shkarkimin e kryetarëve aktual.
Në muajin janar qytetarët serbë në komunat veriorë nënshkruan një peticion për shkarkimin e kryetarëve dhe pas kësaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli ditën e votimit për shkarkim.
Lista Serbe e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi njoftoi me 7 prill se nuk do të marrë pjesë në votime duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po bën përpjekje të vazhdueshme që ky votim të dështojë. Lista tha se një ndër arsyet e mospjesëmarrjes është edhe fryrja e listës së votuesve, por pa ofruar ndonjë provë për këtë pretendim.
Vendimi nxiti reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që i kërkuan kësaj partie ta rishqyrtojë vendimin ndërsa qeverisë së Kosovës të trajtojë me ndjeshmëri shqetësimet e ngritura nga qytetarët në veri të vendit.
Autoritetet në Prishtinë akuzuan Beogradin për trysni ndaj serbëve të Kosovës.
Pavarësisht situatës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi vazhdimin e procesit duke hapur 23 qendra votimi. Sipas udhëzimeve, qytetarët mund të përgjigjen me “Po” ose “Jo” në pyetjen se a janë dakord që kryetari i komunës të shkarkohet.
Momentalisht është e paqartë se çfarë do të ndodhë nëse dështon referendumi që kërkon 50 për qind plus një të votuesve, meqë një i tillë nuk mund të organizohet para se të kenë kaluar 12 muaj.
Lini një Përgjigje