
Kryediplomati grek Girogos Gerapetritis, është shprehur se Greqia do të abstenojë në kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se nuk do e mbështesin këtë anëtarësim.
Ai tha se do të vazhdojnë të kenë të njëjtën politikë të jashtme dhe theksoi se inkurajojnë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit për një zgjidhje paqësore.
“Siç kemi bërë në të kaluarën në raste të ngjashme, Greqia do të abstenojë nga ky votim. Me fjalë të tjera, nuk do të mbështesë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës për arsye politike.
Ne do të vazhdojmë në këtë logjikë parimore, inkurajojmë diskutimin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duam zgjidhje paqësore të dallimeve, por varet edhe nga vullneti i palëve për t’u lidhur me të drejtën ndërkombëtare”, tha ndër të tjera Gerapetritis.
Pak ditë më parë, Komiteti Politik dhe Demokraci i Këshillit të Evropës dha dritën jeshile, duke miratuar raportin e raportueses Dora Bakoyannis deputete greke, e cila argumentonte se Kosova i ka përmbushur kushtet për anëtarësim.
Votimi për vendimmarrjen nëse Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës do të mbahet muajin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të Këshillit Evropian. Këshilli përbëhet nga ministrat e jashtëm të 46 vendeve anëtare, duke përfshirë vendet që nuk e kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.
Lini një Përgjigje