Veriu mbetet me potencial shpërthimi nëse bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmerr masa ndëshkimi ndaj Serbisë. Mos shpallja e Listës serbe organizatë terroriste dhe përgatitja e saj që të kthehet në pushtet në veri me agjendë të Vuçiçit do t’i shkaktoj telashe të reja Kosovës. Tani, Kosova e ka shansin historik në dorë, por me politikanë kleptokratë, si në Kosovë, Shqipëri e Maqedonia e Veriut, Kosovës martire sikur ia errësojnë rrugët.
Vuçiçi është një politikan i paparashikueshëm, i kalitur në mesin e Millosheviçit dhe Sheshelit, u shërbeu atyre me besnikëri, dhe ishte pjesë e soldateskës që shkaktoi gjenocid e masakra të tmerrshme, sidomos në Bosnje e Kosovë. Tani në kohën post-milosheviqiane/shesheliane rrugën e tyre të trasuar e vazhdon nxënësi i tyre, Vuçiçi me botën serbe në qendër dhe me miqtë e preferuar Rusinë e Kinën. Çuditërisht veprimet agresive të Serbisë ndaj fqinjëve të saj e në veçanti ndaj Kosovës kalojnë pa ndëshkim nga bashkësia ndërkombëtare.
Provokimet e ushtrisë serbe me dronë e kamikaz në kufi me Kosovën janë lojëra perfide, janë mashtrim dhe kurthe për bashkësinë ndërkombëtare dhe për Kosovën në veçanti, sepse Serbia zhurmën e bënë jashtë kufijve të Kosovës, me dronë e ushtrime ushtarake, pra në Serbi, por punët e rrezikshme i bënë në fshehtësi të thellë, në veri të Kosovës.
Serbia është e vetëdijshme se nuk ka shanse të matet me NATO-n dhe një sulm frontal i ushtrisë serbe nga territori serb drejtë Kosovës do të ishte fatal për vetë Serbinë, dhe i pamundshëm, andaj koncentrimi i Serbisë për sulme eventuale në të ardhmen mbetet veriu i Kosovës me strukturat ekzistuese pse jo dhe të shtuara.
Thuhet se disa elemente kriminale serbe nga veriu kanë ikur në Serbi pas Banjskës, kjo dhe mund të jete e vërtetë, por, ata janë në gjendje për një kohe të shkurtë të rigrupohen në Kosovë pasi që kufijtë e Kosovës me Serbinë janë të gjatë dhe poroz, dhe kriminelët i dinë të gjitha vrimat e pakontrolluara që të penetrojnë, derisa, sa për armatim, ata i kanë mbushur me arsenal shtëpitë, kasollet dhe kishat për 20 vite të papenguar, andaj demilitarizimi i këtyre organizatave terroriste po vonohet.
Derisa politikanët shqiptarë janë të zënë me luftën ndërmjet vete, inskenimet perfide serbe janë shumë të mundura në veri të Kosovës. Serbia është në gjendje t’i sakrifikoj qytetarët e pafajshëm serb, vetëm për t’i arritur qëllimet e errëta serbe si që kanë ndodh edhe në të kaluarën. Dhe ata mezi presin një ngjarje, protestë, një revoltë apo pa dëgjueshmëri qytetare, presin një kontroll rigoroz, bastisje nga PK-ja që të përshkallëzohet situata në dhunë dhe të shfrytëzojnë rastin që të vetë-flijojnë qytetarët e vet.
Pra, qëllimi i tyre është që Kosova të duket keq para bashkësisë ndërkombëtare me qellim që Serbia të kërkoj mbrojtje ndërkombëtare të qytetarëve të saj, sepse ata tani i ruan PK-ja dhe regjimi serb është i pakënaqur me këtë realitet. Pra, me Vuçiçin në krye, Serbia nuk ka heq dorë nga ndarja e veriut të Kosovës. Zaten, projekti i ndarjes që e filluan Vuçiçi, Hashim Thaçi dhe Rama mund të kthehet në lojë nëse rrethanat politike ndërkombëtare ndryshojnë dhe e tolerojnë një gjë të tillë.
Do të ishte një situatë shumë e frikshme për Kosovën nëse Ramën francezët do ta inkuadronin në dialogun Kosovë-Serbi.
Si që dihet, menjëherë pas lufte, BSHV (Brigada Shumëkombëshe Veri) ku u dislokua KFOR-i francez e veriu i Kosovës ka qenë zonë e përgjegjësisë franceze. Fal francezëve dhe me ndihmën e politikanëve tanë e bënë veriun jofunksional që Kosova mos të mund ta kontrolloj me vite, bilës HTH tentoi ta ndaj Kosovën. Rama si përkrahës i Vuçiçit dhe HTH, kritik i qeverisë së Kosovës dhe politikave të saja i ka dhëne krah Vuçiçit në kohë kritike për Kosovën, duke kërkuar që veriun ta kontrolloj KFOR-i dhe jo PK-ja, bilës veriun e ka quajte si “Toke e askujt”. Rama vazhdon të shfrytëzoj miqësinë dhe përkrahjen e PDK-së dhe heshtjen e LDK-së, biles Haziri i LDK-së e quajti lajm të mirë përfshirjen e mundshëm të Ramës në dialog propozuar nga Macron. Z. Haziri ka qenë njeriu i vetëm nga LDK-ja që ka kërkuar këmbim territoresh me Serbinë.
Rama me dredhitë e tija vazhdon ta mbaj të gjallë Ballkanin e hapur të Vuçiçit me Ahmetin dhe Abazoviçin (në fillim). Këta tre shqiptarë, së bashku me Vuçiçin ia vuan themelet Ballkanit te hapur, kësaj krijese Serbo-ruse. Prandaj, veriu i Kosovës nuk e ka rrezikun nga një luftë frontale nga Serbia, por nga tradhtia e shqiptarëve të shitur apo të paditur, si dhe nga sulmi i brendshëm që mund të vij nga organizatat kriminale e terroriste që veprojnë në veri si: “Brigada e Veriut,” “Mbrojtja Civile,” “Lista Serbe,” “Rojat e Urës,” ”Grupi Mjekroshët,” “Lëvizja Zavetnici,” “Lëvizja për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë,” “Pokret 1389,” e shumë të tjera në formim apo transformim konform situatës që e kërkon Vuçiçi dhe Rusia.
Veriu i Kosovës ka qenë i lëne anash edhe nga bashkësia ndërkombëtare për do kohë deri sa ndodhën sulmet e huliganëve ndaj KFOR-it, shumica të ardhur nga Serbia (që fatkeqësisht reagimi i KFOR-it për kontroll të turmave ishte i dobët). Agresioni paramilitar serb në Banjskë e ndryshoi situatën në veri. Tani është i pamundur sulmi nga Serbia, por shumë i mundur nga brenda veriu i Kosovës i orkestruar po nga Serbia. Tani, kufijtë e Kosovës me Serbinë i kontrollojnë edhe Britanikët, pra është shtuar numri i ushtarëve të KFOR-it dhe pajisjet e nevojshme luftarake.
Dy javë më parë Gjeneral Cavoli, Komandanti Suprem i NATO-s në Evropë, dëshmoi para Senatit të SHBA-së, ku tha se ka autorizuar inteligjencën ajrore, mbikëqyrjen dhe zbulimin, për të monitoruar kërcënimet ndaj Kosovës dhe Bosnjës si dhe rishikim i KFOR-it, ku NATO do të dërgojë pajisje të rënda, dhe më shumë trupa në Kosovë.
Në anën tjetër, Rusia ka angazhuar Dodikun që të destabilizoi Federatën e Bosnjës sepse i nevojitet një situate e tillë, derisa Vuçiçin për të destabilizuar veriun. Vuçiçi posa e kreu destruksionin e fundit për të bojkotuar referendumin në veri dhe për të blerë kohë shtesë, sepse Rusisë i duhen fronte të reja lufte për të realizuar planet hegjemoniste.
Veriu mbetet me potencial shpërthimi nëse bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmerr masa ndëshkimi ndaj Serbisë. Mos shpallja e Listës serbe organizatë terroriste dhe përgatitja e saj që të kthehet në pushtet në veri me agjendë të Vuçiçit do t’i shkaktoj telashe të reja Kosovës. Tani, Kosova e ka shansin historik në dorë, por me politikanë kleptokratë, si në Kosovë, Shqipëri e Maqedonia e Veriut, Kosovës martire sikur ia errësojnë rrugët.
Lini një Përgjigje