I vetmi parashikim i sigurt për Presidentin amerikan, gjithnjë e më të paparashikueshëm dhe të trazuar, është se ai tani pothuajse me siguri do të ndërtojë sallën e tij të diskutueshme të vallëzimit me vlerë 400 milionë dollarë…
Një tjetër sulmues i armatosur, një tjetër përballje në dukje e afërt me fatin. Edhe në një vend me histori të errët të dhunës politike, duket se Donald Trump tërheq më shumë atentatorë të mundshëm se të tjerët.
Kur u kthye me nxitim në Shtëpinë e Bardhë nga darka vjetore e korrespondentëve, Trump ishte pothuajse i qetë në mënyrë rutinore. Para përfaqësuesve të mediave të veshur në mënyrë elegante, ai tha se kishte studiuar historinë e atentateve dhe arriti në përfundimin se objektivat janë vetëm figurat më të rëndësishme, si Abraham Lincoln. “Me hezitim e them se është një nder, por kam bërë shumë”, deklaroi ai.
Megjithëse vrasjet masive janë pjesë e përditshmërisë në SHBA, vetëm një javë më parë një burrë vrau tetë fëmijë në Luiziana, në një tragjedi që mori vëmendje vetëm për pak kohë, presidenti i fundit amerikan i vrarë mbetet John F. Kennedy në vitin 1963.
Të shtënat e së shtunës në mbrëmje përbëjnë përpjekjen e tretë për atentat ndaj Trump në më pak se dy vjet. E para, në korrik 2024, kur një plumb i preku veshin gjatë një fjalimi në Pensilvani, rriti gjasat e tij për rizgjedhje. Konventa republikane një javë më vonë u dominua nga mesazhi se Zoti e kishte shpëtuar Trump për të shërbyer kombin.
Këtë herë, megjithatë, vala e simpatisë pritet të jetë më e kufizuar. Dallimi kryesor është se i dyshuari, Kol Allen, nuk iu afrua Trump. Edhe pse kanalet informative e paraqitën si një tjetër përballje të afërt, Allen nuk ndodhej fare në sallë. U dëgjuan të shtëna, por presidenti nuk ishte në rrezik të drejtpërdrejtë.
Në Pensilvani, një Trump i përgjakur ngriti grushtin dhe thirri: “Luftoni, luftoni, luftoni”. Ajo pamje shënoi pjesërisht fushatën e tij. Incidenti i së shtunës në hotelin “Washington Hilton” nuk pati një moment të tillë. Ronald Reagan u qëllua dhe u plagos në të njëjtin vend në vitin 1981. Edhe pse kjo ndodhi në fillim të presidencës së tij, rritja në sondazhe ishte e përkohshme. Do të ishte befasuese nëse Trump do të përfitonte politikisht nga ky rast.
Megjithatë, ai pritet të përpiqet ta shfrytëzojë politikisht incidentin. Në rrethet MAGA është e zakonshme të pretendohet se e majta amerikane nxit dhunë politike përmes retorikës ekstreme ndaj Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ky narrativ u përforcua edhe nga vetë Trump dhe zëvendëspresidenti i tij, JD Vance, pas vrasjes së influencuesit MAGA, Charlie Kirk, shtatorin e kaluar. Trump urdhëroi që flamujt të ulen në gjysmë shtize, ndërsa disa qytetarë humbën vendet e punës për shkak të reagimeve të tyre në rrjetet sociale.
Aktualisht, Trump qëndron më dobët në sondazhe. Popullariteti i tij ra javën e kaluar në nivelin më të ulët, nën 40%. Vetëm 30% e amerikanëve miratojnë mënyrën si ai menaxhon ekonominë, një sinjal shqetësues për republikanët përpara zgjedhjeve për Kongres. Gjithashtu, pakënaqësia në rritje ndaj politikës së tij ndaj Iranit e ka çuar në një pikë të ulët.
Pak para incidentit në Hilton, ekipi negociator i Trump me Iranin hoqi dorë nga raundi i dytë i bisedimeve në Islamabad, pasi pala iraniane deklaroi se nuk do të merrte pjesë. Ironikisht, atentatet kanë luajtur rol edhe në vështirësitë e tij diplomatike. Operacioni “Epic Rage” nisi me një sulm vdekjeprurës ndaj Ajatollahut Ali Khamenei më 28 shkurt. Sulmet pasuese amerikano-izraelite eliminuan figura të larta iraniane, duke e bërë më të vështirë gjetjen e negociatorëve me autoritet.
Mbetet e paqartë se kush mban aktualisht autoritetin në Iran, pasi besohet se udhëheqësi i ri suprem, Mojtaba Khamenei, është plagosur rëndë.
Në këtë kontekst, e ardhmja politike e Trump lidhet më shumë me vendimet e tij në politikën e jashtme sesa me atentatin e fundit ndaj tij. “Mund të na telefonojnë kur të duan”, deklaroi ai për iranianët. Megjithatë, Teherani duket se beson se koha punon në favorin e tij.
Nëse Trump do të rifillojë bombardimet apo do të ofrojë lëshime për të rikthyer negociatat, mbetet e pasigurt.
Ajo që duket më e sigurt është se ai do të vazhdojë me projektin e tij për ndërtimin e një salle vallëzimi në Shtëpinë e Bardhë, me kosto 400 milionë dollarë. Sipas një postimi të tij në orët e para të së dielës: “Nuk mund të ndërtohet mjaftueshëm shpejt!!”. /Përshtatur nga FT/
Lini një Përgjigje