TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Korrik 2024, 09:54

Vrasjet e aktorëve me peshë, faza e re luftës midis Rusisë dhe Perëndimit

Shkruar nga Mark Galeotti

A jemi duke parë një fazë të re dhe më të rrezikshme në luftën indirekte midis Rusisë dhe Perëndimit? Lajmi se agjentët sekretë të Moskës, mund të kenë planifikuar vrasjen e industrialistëve evropianë në sektorin e mbrojtjes, tregon se rusët po i përshkallëzojnë operacionet e tyre të fshehta jashtë vendit, një fakt që kërkon një kundërpërgjigje të shpejtë dhe serioze.

Vrasjet e aktorëve me peshë, faza e re luftës midis Rusisë

Burimet e shërbimeve sekrete gjermane dhe amerikane, pohojnë se shërbimet sekrete ruse po mendonin të vrisnin Armin Papperger, kreun e kompanisë gjermane të armëve Rheinmetall, si i pari në një listë të gjatë atentatesh ndaj figurave të larta pjesë e kompleksit evropian të industrisë së mbrojtjes.

Natyrisht, duhet pasur gjithmonë kujdes kur dëgjohen raporte të tilla, të cilat deri më tani vijnë nga rrjedhjet e informacione të përshtatura me kujdes, dhe të transmetuara fillimisht nga media e lajmeve dhe jo nga deklaratat zyrtare të institucioneve. Gjithsesi, do të ishte marrëzi dhe e rrezikshme që t’i shpërfillim.

Vitin e kaluar, pati një fushatë në rritje të sulmeve të orkestruara nga Rusia në Evropë. Por qartazi vumë re edhe një përpjekje për të ruajtur disa rregulla. Kështu shumica e objektivave ishin të tilla që mund të sulmoheshin pa kërcënuar drejtpërdrejt jetët e njerëzve, si p.sh magazinat në pronësi të Ukrainës të djegura nga disa burra që dyshohet se janë rekrutuar nga shërbimet sekrete ruse, apo daljen nga shinat të një treni mallrash suedez, i cili sërish duket se ka lidhje me Moskën.

Sulmet ndaj njerëzve, fatale apo jo, janë drejtuar kundër atyre që sipas vlerësimit të vetë Putinit, nuk janë “armiq” por “tradhtarë”,  dhe për të cilët ai mendon se nuk mund të falen dhe as të injorohen. Kështu, për shembull, vrasja e Maxim Kuzminov, pilotit të helikopterit që dezertoi në Ukrainë, u eleminua në Spanjë përmes asaj që u duk si vepër e krimit të organizuar.

Në fakt brutaliteti i taktikave të Putinit në Ukrainë, pasqyron besimin e tij pervers, se në njëfarë mënyre ky vend e tradhtoi Rusinë. Papperger ishte një mbështetës i hapur i dërgimit të armëve në Ukrainë, dhe po përpiqej ta nxiste Berlinin të ishte më aktiv në konflikt. Megjithatë ai nuk është rus dhe s’ka ndonjë lidhje të veçantë me këtë vend.

Pra nuk duket të jetë një “tradhtar”, edhe sipas përkufizimit të gjerë që i jep Putin këtij termi. Pasoja është se Kremlini ose po vendos rregulla të reja shumë më të lirshme të angazhimit për shërbimet e tij sekrete, ose po mbyll njërin sy ndaj nismave që vijnë nga brenda agjencive të tij.

Sidoqoftë, ky është një ndryshim thelbësor në politikë dhe shumë shqetësues. A do të thotë kjo se mbështetësit e profilit më të lartë të Ukrainës, do të konsiderohen tani si objektiva legjitime? Edhe regjimi sovjetik, në kulmin e paranojës së tij, nuk e shpalli të hapur sezonin e eliminimit të gjithë kritikëve të tij, apo për ata që punonin në industritë më të rëndësishme. Sigurisht, ka shumë gjërat qe ne ende nuk i dimë.

Mbetet të shpresojmë, që shërbimet tona të inteligjencës do të vazhdojnë me tendencën e tyre të kohëve fundit për të publikuar shumë më tepër nga ato që dinë, jo thjesht duke supozuar që ne do t’i cilësojmë si Bibla rrjedhjet e informacioni të lejuara enkas.

Edhe pse ka gjithmonë një ekuilibër delikat midis sigurisë së burimeve, metodave dhe të drejtës së publikut për të qenë i informuar, publikimi i informacionit ndihmon në përgatitjen e popullatave perëndimore për atë që mund të na presë në vazhdim. Po ashtu, ai mund të luajë një rol në një strategji më të gjerë parandaluese, sidomos nëse Kremlini e kupton se sa janë të njohura planet dhe aktivitetet e tij.

Por nga ana tjetër, ne duhet të mendojmë shpejt dhe seriozisht se si të kundërpërgjigjemi më mirë. Në rast se kjo është në thelb një nismë e atyre brenda aparatit të inteligjencës ruse, që vepron pa urdhra të drejtpërdrejtë nga lart (edhe pse me miratimin e tyre të heshtur), atëherë mund të jetë e përshtatshme që këta individë të shënjëstrohen drejtpërdrejt.

Vrasja ka të ngjarë të jetë e papërshtatshme për arsye praktike po aq sa edhe ligjore. Sigurisht, si kundërpërgjigje kërkohet diçka më serioze sesa vetëm vendosja e sanksioneve të mëtejshme. A mundet Perëndimi t’i hakerojë telefonat dhe kompjuterët e tyre, për t’u nxjerrë emrat dhe demaskuar publikisht?

Përgjigja ndaj kësaj sfide, kërkon përzierjen e duhur të indinjatë dhe imagjinatës. Po sikur, siç ka më shumë gjasa, kjo të jetë vërtet politika aktuale zyrtare e Rusisë? Si mund të parandalohet më së miri? Ashtu si me kaq shumë organizata të tjera terroriste, a duhet të mbështetemi kryesisht tek siguria, pra tek të dhënat e klasifikuara për të zbuluar komplote, analizuar dhe i sabotuar ato në kohë?

Është e mundur të ndryshohet llogaritja e Putinit mbi rrezikun e këtyre veprimeve. Por kjo kërkon ndoshta sërish më shumë imagjinatë dhe ligësi, sesa priret të ketë zakonisht diplomacia jonë. Natyrisht, ne duhet të lëmë mënjanë qasjen tonë të dikurshme të “paqartësisë strategjike”.

Pra jo duke paralajmëruar mbi pasojat por pa i përmendur konkretisht ato, dhe duke shpresuar që në këtë mënyrë Putin të na marrë seriozisht. Në vend të kësaj, ne duhet të zhvillojmë një plan specifik hakmarrës  - si për shembull lehtësimi i kufizimeve ekzistuese ndaj Ukrainës në përdorimin e armëve perëndimore, apo sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës ruse - dhe t’ia sinjalizojmë ato qartë Moskës.

Dhe duhet të veprojmë shpejt: nëse normalizohet praktika e atentateve pa dallim nga ana e rusëve në Perëndim, atëherë ajo do të bëhet shumë më e vështirë për t’u penguar./Përshtati Pamfleti nga “The Spectator”

Shënim: Mark Galeotti, drejton kompaninë e konsulencës “Mayak Intelligence”. Ai është profesor në Shkollën e Studimeve Sllave dhe të Evropës Lindore në Universitetin e Kalifornisë, dhe autor i mbi 25 librave mbi Rusinë.

vrasja e aktorëve me peshë faza e re e luftës rusia perëndimi

Lini një Përgjigje