TAGS-AT E JAVËS

Forum12 Korrik 2024, 18:38

“Flota hije” e Putinit vazhdon të sfidojë sanksionet, ç’mund të bëjë Perëndimi

Shkruar nga Vladimir Milov

Çfarë është me saktësi kjo “flotë hije”?

“Flota hije” e Putinit vazhdon të sfidojë sanksionet,
Flota Hije/

Në fakt, nuk është aq misterioze sa tingëllon. Rusia ka krijuar një rrjet global kompanish guackë të panjohura, që thuhet se kanë blerë qindra cisterna nafte. Ato transportojnë naftën ruse në tregjet ndërkombëtare, dhe kryesisht në Azi.

Thelbi i problemit është ky:kompanitë tradicionale të transportit dhe ato të sigurimit të tyre operojnë në mënyrë transparente, dhe përballen me presion nga qeveritë perëndimore, duke rrezikuar sanksione nëse shkelin “tavanin e çmimeve”.

Ato janë të detyruara të deklarojnë kontratat për transportin e naftës ruse, dhe mund të përballen me pasoja të rënda nëse zbulohet se volumi i naftës së shitur nga Rusia, është mbi kufirin e caktuar mbi çmimin. Ky presion mbi transportuesit dhe siguruesit, ishte themeli i strategjisë së “tavanit të çmimeve”.

Kur u përball me sfidën e rregullimit të transaksioneve midis shitësve dhe blerësve të naftës rusë në vende si Kina apo India, grupimi G7 i demokracive më të përparuara ekonomikisht - Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara – propozoi përdorimin e sektorit të transportit dhe sigurimeve, i cili dominohet nga kompani shumë të varura nga sistemet rregullatore perëndimore.

Supozohej se të frikësuara nga përballja me pasoja ligjore në tregjet perëndimore, ku fitojnë një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre, këto kompani do të refuzonin të merreshin me naftën ruse që ishte shitur mbi “çmimin tavan”.

Kundërpërgjigja e Rusisë ishte e drejtpërdrejtë:Moska i transferoi cisternat  e blera nga transportues “legjitime” në kompani “gri” dhe “zeza” të regjistruara në juridiksione jo shumë transparente. Këto kompani guackë, operojnë jashtë sferës së presionit rregullator perëndimor, pasi ato nuk marrin pjesë në tregun e hapur.

Qëllimi i tyre i vetëm është të transportojnë naftën ruse duke iu shmangur sanksioneve.  Sigurimi për këto dërgesa nuk ofrohet nga kompani të njohura globale, por nga subjekte të dyshimta. Po cilat janë pasojat e këtij zhvillimi? Së pari, pavarësisht ofrimit të zbritjeve të konsiderueshme në krahasim me çmimet e tregut global, Rusia është shpesh në gjendje të eksportojë naftë me një çmim mbi 60 dollarë për fuçi, sa është edhe “çmimi tavan”.

Kompania analitike e vlerësimit të çmimeve, Argus, raporton se në maj-qershor të këtij viti, çmimi mesatar i naftës së papërpunuar ruse të Uraleve ishte midis 65-68 dollarë për fuçi (gjatë të njëjtës periudhë, çmimi i naftës Brent mbeti mbi 80 dollarë për fuçi). Dhe kjo përkthehet në 20-30 milionë dollarë të ardhura shtesë në ditë, ose 7-11 miliardë dollarë në vit të ardhura. Një shumë jo e vogël.

Së dyti, përdorimi i gjerë i kësaj “flote hije”, përbën jo vetëm një kërcënim të rëndësishëm mjedisor, por rrezikon të shkaktojë disa katastrofa të tilla gati të pashmangshme në të ardhmen e afërt. Sepse këto cisterna janë në gjendje të keqe dhe nuk mirëmbahen si duhet.

Rrugët e gjata transportit nga portet e Baltikut apo të Detit të Zi në Azi, i detyrojnë kompanitë e naftës të shkurtojnë shpenzimet sa herë që është e mundur. Ndaj ato po punësojnë thuajse këdo që munden nga tregu i parregulluar i punës. Në këto rrethana, fatkeqësitë janë praktikisht të pashmangshme.

Kombinimi i cisternave të vjetra, ekuipazheve të pakualifikuara dhe mungesa e stimujve për të ndjekur standardet ndërkombëtare të transportit - pasi këto kompani operojnë jashtë çdo kuadri rregullator - krijon ‘stuhinë e përsosur’. Për më tepër, mbulimi i sigurimit nga këta ofrues të dyshimtë, ka të ngjarë të mos mbulojë dëmet e mundshme nga katastrofa të tilla.

Po si mund ta adresohet ky problem? “Flota hije” e Rusisë, ka nxjerrë në pah një dobësi të dukshme në të drejtën ndërkombëtare detare, e cila nuk arrin të rregullojë si duhet përgjegjësinë e pronarëve të anijeve për shmangien e rreziqeve mjedisore.

Katastrofa e fundit e një cisterne nafte në brigjet e Trinidad Tobagos, tregoi se kur diçka shkon keq me një anije me pronësi të dyshimtë, askush nuk mban përgjegjësi. Megjithatë ka zgjidhje të mundshme. Për shembull, kur eksportohet naftë përmes Detit Baltik - rruga kryesore e eksportit të Rusisë - anijet duhet të kalojnë nëpër ngushticat daneze, duke hyrë në mënyrë të pashmangshme në ujërat territoriale të saj.

Danimarka mund të bllokojë potencialisht kalimin e tyre, një opsion aktualisht në diskutim. Një derdhje aksidentale e naftës në Detin Baltik, do të ishte katastrofik për shkak të përmbajtjes së ulët të oksigjenit në zonë, gjë që do të pengonte rigjenerimin e faunës detare. Për pasojë rezultat, të gjitha vendet në kufi me Baltikun, janë thellësisht të shqetësuara për derdhjet e mundshme të naftës ruse. A do të ndërmarrë Danimarka hapa konkretë për të bllokuar anijet e “flotës hije” nga ngushticat e saj? Zyrtarët rusë e shohin këtë si një mundësi reale, dhe po e kërcënojnë hapur Danimarkën me “pasoja”, në rast se Kopenhaga ndërmerr veprime konkrete.

Madje ekspertët pro-Kremlinit në Moskë, po e diskutojnë një lëvizje të tillë si një rast të mundshëm që mund të përdoret si një pretekst lufte. Është e diskutueshme nëse Putini do të fillonte një luftë me NATO-n, vetëm për të pasur qasje tek këto cisterna.

Megjithatë, thuhet se vendet e NATO-s po hartojnë plane për ta mbrojtur Danimarkën dhe rajonin nga sulmet e mundshme asimetrike ruse, në rast se situata përshkallëzohet për shkak të kufizimeve të vendosura në lëvizjet e këtyre cisternave të rrezikshme të “flotës hije”.

Turqia, e cila kontrollon Bosforin, mund të zbatojë masa të ngjashme. Megjithatë, Erdogan ka hezituar të vendosë kufizime ndaj Putinit. Por një katastrofë e madhe e ndonjë anijeje-cisternë në rrugët jugore të eksportit, mund ta ndryshojë shumë shpejt këtë qëndrim.

Sa efektive janë përpjekjet perëndimore për të vendosur sanksione ndaj anijeve dhe kompanive të lidhura me “flotën hije”? E them me sinqeritet:situata është e ngjashme me një qen që ndjek bishtin e tij. Marrja e veprimeve është e nevojshme, por kjo nuk e ndryshon faktin që eksportuesit rusë janë shpesh në gjendje të riemërojnë me shpejtësi si cisternat ashtu edhe kompanitë guaska, duke lejuar transportin e naftës të vazhdojë relativisht i papenguar.

Një qasje më efektive, mund të jetë goditja e lojtarëve legjitimë në zinxhirin e furnizimit. Çdo marrëveshje përfundon me një blerës - një tregtar ose përpunues nafte - i cili nuk mund të operojë tërësisht në hije dhe për këtë arsye është më i ekspozuar ndaj pasojave të mundshme të rregullimit perëndimor.

Këto kompani duhet të identifikohen dhe të kërcënohen drejtpërdrejt me sanksione dytësore. Në dallim nga transportuesit, rafinierët e naftës janë lojtarë të dukshëm në treg. Ndaj tyre mund të ushtrohet presion në një mënyrë efektive me kërcënimin e sanksioneve dytësore.

Ne e kemi parë efektivitetin e kësaj qasjeje në ngrirjen masive të transaksioneve financiare dhe lidhjeve të biznesit me kompanitë dhe bankat në Kinë, Turqi, Indi dhe Lindjen e Mesme.

Në përgjithësi, Perëndimi duhet të jetë i përgatitur për të rregulluar zbatimin e masës së “çmimit tavan” për naftën ruse. Kur u prezantua kjo skemë, u mbivlerësua roli i mekanizmave nxitës. U supozua se blerësit, transportuesit dhe siguruesit do të shmangnin vullnetarisht naftën ruse me një çmim mbi “tavanin”.

Kjo s’ka ndodhur, por kjo do të thotë se nevojitet një sistem më i fuqishëm për monitorimin e transaksioneve të biznesit dhe zinxhirëve të furnizimit. Ndalimi i “flotës hije” të Rusisë mund të kërkojë personel shtesë, edhe pse taksapaguesit perëndimorë mund të rezistojnë ndaj punësimit të më shumë burokratëve.

Megjithatë, synimi për të ndërprerë fondet për agresionin e Putinit kundër Ukrainës dhe për të parandaluar katastrofat e shkaktuara nga derdhja e naftës në det, i justifikon kostot e mundshme./Përshtati Pamfleti nga “The Insider”

perëndimi flota hije rusia putini

Lini një Përgjigje

Forum