TAGS-AT E JAVËS

Forum19 Mars 2026, 14:35

Strategjia e Netanyahut për të eliminuar çdo kompromis të mundshëm

Shkruar nga Paolo Rossetti
Strategjia e Netanyahut për të eliminuar çdo kompromis të
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu /

Izraeli po shtyn rajonin drejt përshkallëzimit të pashmangshëm, duke eliminuar çdo zë dialogues dhe duke goditur edhe impiantet energjetike. SHBA-ja ngurron, ndërsa vendet arabe mbeten të pasigurta, dhe kompromisi duket politikisht i pamundur. Kriza po rrezikon të kthehet në një përplasje me pasoja globale...

Nuk ka alternativë ndaj luftës. Irani, SHBA dhe Izraeli nuk mund të bëjnë lëshime sepse rrezikojnë të paguajnë shumë shtrenjtë politikisht një marrëveshje paqeje apo të paktën një armëpushim.

Ndaj fatkeqësisht, skenari më i mundshëm është përshkallëzimi, drejt të cilit Izraeli duket se po shkon. Netanyahu, thotë Nicola Pedde, drejtor i përgjithshëm i IGS (Institute for Global Studies), vazhdon të godasë udhëheqësit e regjimit iranian për të eliminuar pjesën më dialoguese, duke konsoliduar pushtetin e pasdaranëve për të shkuar më pas drejt përplasjes totale me ta.

Tani po sulmon edhe impiantet e naftës në Iran, duke shfrytëzuar pasiguritë e administratës amerikane dhe duke u përpjekur ta detyrojë të ndjekë linjën e tij. Izraeli kërkon ende ndryshimin e regjimit ose copëtimin e Iranit. Por problemi është se në gjendjen aktuale, kjo qasje ka konsoliduar një qeveri shumë më agresive dhe më të ashpër ndaj tij se ajo e mëparshme.

Izraeli vrau së fundmi ministrin e Inteligjencës Ismail Khatib dhe sulmoi rezervat e gazit në South Pars. Netanyahu dëshiron ta përshkallëzojë këtë luftë, por ku do të arrijë?

Përmes veprimeve të tij të drejtuara enkas ndaj liderëve të regjimit iranian, ai synon të eliminojë pjesën që mund të ishte element dialogues i Republikës Islamike. Duke reduktuar rrethin e eksponentëve civilë dhe të gjeneratës së parë të regjimit, Netanyahu po konsolidon gjithnjë e më shumë pushtetin absolut të IRGC (Garda e Revolucionit) brenda strukturës së pushtetit.

Kjo e redukton ndjeshëm hapësirën për negociata. Është një strategji për të shkuar drejt përplasjes totale. Izraeli po sulmon edhe impiantet energjetike, aq sa tani Irani po kërcënon me hakmarrje ndaj impianteve petrokimike të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ka sulmuar impiantin më të madh të gazit në Katar. Kjo sjellje  do të thotë një përshkallëzim që nuk dihet se ku mund të çojë…

Sa e rrezikshme është një perspektivë e tillë?

Paradoksalisht, strategjia iraniane dhe ajo izraelite janë pasqyrë e njëra-tjetrës, sepse ekziston një kërcënim ekzistencial por mungon një plan B, një zgjidhje alternative ndaj konfliktit. Janë në thelb dy strategji që përkojnë në opsione. Dhe ajo amerikane që del jashtë këtij sinkronizimi.

A po e shfrytëzon Izraeli pasigurinë amerikane për ta detyruar SHBA-në të ndjekë planet e tij?

Sigurisht që po. Një pjesë e MAGA-s e sheh këtë zhvillim si fitoren e Rubios ndaj J.D. Vance, pra të linjës neokonservatore. Kjo është një kthesë që po tradhton angazhimin elektoral të Trump, duke e çuar drejt një menaxhimi të konfliktit që nuk i përqendron përpjekjet në kontinentin amerikan, në reduktimin e angazhimit në Lindjen e Mesme, Afrikë, dhe sidomos nuk e përjashton kategorikisht hyrjen në dinamikën e një konflikti më të zgjeruar.

Këto ditë Netanyahu i ka ftuar përsëri iranianët të rebelohen. A dëshiron ai ende rrëzimin e regjimit?

Po, ky është objektivi. Dhe nëse nuk është e mundur, mjafton edhe një kolaps institucional. Mjafton që të mos ekzistojë më Republika Islamike. Në njëfarë kuptimi edhe për amerikanët është kështu, por jo me koston e zhytjes së vendit në kaos, duke krijuar një situatë që mund të ketë ndikim global në tregje.

Në Riad është thirrur një mbledhje e ministrave të Jashtëm të vendeve arabe dhe islamike. A janë ata shumë të shqetësuar për trajektoren e konfliktit? Do të ushtrojnë presion ndaj Izraelit dhe SHBA-së?

Problemi i vërtetë është se ato nuk kanë asnjë ide se si do të evoluojë konflikti.

Kanë shmangur ndërhyrjen sepse mendojnë, të paktën për momentin, se është më e përshtatshme të mbajnë një profil të ulët, për të shmangur skenarin ku Irani e rrit koston e konfliktit përmes sulmeve ndaj impianteve të naftës.

Pozicioni i tyre është i ndryshëm nga ai i Izraelit dhe SHBA-së, sepse nuk kanë simpati për Republikën Islamike, ashtu si nuk kishin as për Shahun dikur. Ato nuk do të kishin asnjë interes të favorizonin një tranzicion që do ta forconte Iranin në një rol filo-perëndimor, duke e bërë një shtyllë të marrëdhënieve ndërkombëtare rajonale siç ishte para vitit 1979.

Por ende nuk kanë identifikuar ndonjë strategji të zbatueshme për të kufizuar rreziqet në një periudhë afatshkurtër.

A ka një strategji daljeje për SHBA nga kjo luftë apo do të duhet të bien dakord me Netanyahun siç deklaroi Trump në fillim?

E them sinqerisht, se do të habitesha të shihja Netanyahun të pranonte një zgjidhje kompromisi. Politikisht edhe për të do të ishte e vështirë të menaxhonte një rezultat të ndërmjetëm të këtij konflikti, pra mungesën e ndryshimit të regjimit, një Iran që jo vetëm mbijeton, por e bën këtë me një strukturë edhe më radikale se ajo e mëparshme. Ai që ka pushtetin është ajatollahu Mojtaba Khamenei, i cili ka pozicione shumë të ndryshme nga krerët teokratikë që kanë qeverisur deri para pak javësh. Me një kompromis, regjimi iranian, sado i mundur ushtarakisht në terren, do ta kishte fituar politikisht betejën, sepse do të kishte legjitimuar veten në këtë formë të re.

Pra, askush nuk di të gjejë një rrugëdalje të kënaqshme?

Kostoja politike po rritet për të gjithë, dhe kjo e bën shumë të vështirë çdo hipotezë kompromisi mbi konfliktin. Askush nuk mund të dalë prej tij pa pasoja në nivel kombëtar.
Për Iranin, humbja e luftës do të thotë delegjitimim përfundimtar dhe përballje me një fazë të fortë protestash popullore, që mund të çojnë në një lëvizje revolucionare. Për SHBA-në, mund të sjellë një krizë pa precedent në administratë, pak muaj para zgjedhjeve të mesmandatit dhe me të dhëna të ulëta të pëlqyeshmërisë së presidentit por edhe të normave të punësimit në SHBA.

Ndërsa për Izraelin, një luftë që duhej të ishte një zgjidhje përfundimtare ndaj kërcënimit iranian, duke pranuar një kompromis, do të legjitimonte një qeveri dhe një brez pushtetarësh më të rrezikshëm se ata të mëparshmit.

Ndërkohë Izraeli është i detyruar të pësojë dëmet e raketave iraniane. Përse? A mos ndoshta sistemet e tij mbrojtëse nuk janë aq të papërshkueshme sa thuhet?

Pavarësisht censurës mbi informacionin, është e qartë se iranianët kanë adoptuar një strategji të menaxhimit të arsenalit të tyre, e cila edhe pse ata pësojnë goditje shumë të rënda, u lejon të kundërpërgjigjen dhe të shkaktojnë dëme në rajon dhe në Izrael.

Në këtë moment, objektivi kryesor për Iranin është Gjiri Persik. Pikërisht aty po prodhon dëmet dhe efektet më domethënëse, si në aspektin e ndikimit mbi tregjet ndërkombëtare, ashtu edhe mbi politikën e jashtme./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”

benjamin netanyahu strategjia kundër kompromiseve

1 Komente

  1. ?
    ?

    Sipas D.Trump, SHBA filloi sulmet ndaj Iranit sepse: Irani po afrohej drejt armëve bërthamore dhr ishte kërcënim për SHBA dhe aleatët. Negociatat dështuan. Prandaj vendosi për sulm ushtarak. Pyetja që lind është: Pse D.Trump (që ka bërë në 1987 librin "Art of the Deal", Arti i marrëveshjes), nuk arriti të gjejë marrëveshje me Iranin? Të bësh një libër të tillë i bie të jesh super i aftë të bësh të pamundurën të mundur, sidomos përmes politikës së negocimit? Në qershor 2025, SHBA (nën Donald Trump) kreu një operacion të madh ushtarak. Trump deklaroi se: objektivat u “shkatërruan plotësisht” dhe se qëllimi ishte të ndalohej programi bërthamor i Iranit. U goditën 3 objekte kryesore bërthamore: Fordow Uranium Enrichment Plant, Natanz Nuclear Facility, Isfahan Nuclear Technology Center. Pyetja është: A ka mundësi që nuk i kanë shkatërruar objektivat atje? Se ka ka zëra që thonë se Irani e kishte zhvendosur para sulmit uraniumin e pasuruar. Mos është kjo arsyeja që SHBA goditi prapë Iranin? Apo e gjitha është një zhvendosje vëmendje nga dosjet Epstein ku Trump përmendej shumë herë? Apo Izraeli ka materiale kompromentuese për Trump te dosjet Epstein, dhe e detyroi të përfshinte SHBA në luftë me Iranin?

    Lini një Përgjigje