TAGS-AT E JAVËS

Forum25 Janar 2025, 10:22

“Skifterët” e Putinit sugjerojnë një sulm bërthamor rus ndaj Evropës

Shkruar nga Alessandro Cappelli

“Skifterët” e Putinit sugjerojnë një sulm

Sigurisht që kjo është çmenduri, por gjithsesi vetëm njëra në listën e gjatë të kërcënimeve të bëra nga Moska...

Mjetet parandaluese të Rusisë mund të bëhen edhe më agresive dhe të rrezikshme për Evropën. Kremlini mund të dërgojë sinjale paralajmëruese për Perëndimin, duke testuar lëshimet e bombave bërthamore shumë të fuqishme, me synim frikësimin e qytetarëve dhe institucioneve.

Sigurisht që kjo është çmenduri, por gjithsesi vetëm njëra në listën e gjatë të kërcënimeve të bëra nga Moska. Por ky skenar apokaliptik, nuk është aq i largët sa mund të duket. Ka nga ata që po i pëshpëritin në vesh Vladimir Putinit, për ta shtyrë atë drejt një përshkallëzimi bërthamor që do të ishte shkatërrues dhe kriminal, madje më shkatërrues se lufta kundër botës së lirë gjatë viteve të fundit.

Gjithçka është shkruar në raportin “Nga kufizimi në përcaktim: Armët bërthamore, gjeopolitika, strategjia e koalicionit”, botuar nga Instituti i Ekonomisë dhe Strategjisë Ushtarake Botërore i Shkollës së Lartë të Ekonomisë në Moskë, një nga universitetet kryesore të Federatës Ruse.

Është një dokument, që u jep disa rekomandime liderëve ushtarakë të Moskës mbi politikën e parandalimit strategjik. Është një libër prej më pak se 100 faqesh, që përmbledh studime, seminare dhe analiza të kryera midis viteve 2023-2024.

Autorët janë drejtuesit e vetë Institutit të Ekonomisë dhe Strategjisë Ushtarake Botërore, përkrahës të një koncepti të ri të parandalimit strategjik për sigurinë e Rusisë, dhe kritikë ndaj teorisë klasike të parandalimit bërthamor të zhvilluar gjatë Luftës së Ftohtë, e konsideruar e pamjaftueshme për ta mbrojtur Rusinë nga kërcënimet ekzistenciale nga pjesa tjetër e botës.

Propozimi ka të bëjë me një qasje më proaktive dhe fleksibël ndaj përdorimit të armëve bërthamore. Qëllimi duhet të jetë “ngjallja e frikës” (ustrashenie) dhe jo një operacion i thjeshtë “frenimi”(sderzhivanie). Në faqet e para, ka një listë të gjatë operacionesh që mund të kryejë Moska për ta bërë Perëndimin të kuptojë se “melodia ka ndryshuar”.

Për shembull, testimin e sistemeve hapësinore të projektuara për të çaktivizuar satelitët; gjuetinë ndaj dronëve të NATO-s në Detin e Zi; përgjimin e brigjeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj me Forcat Hapësinore Ajrore dhe Marinën Ruse; goditjen e trupave perëndimore që hyjnë në Ukrainë; apo të avionëve luftarakë ukrainas nëse stacionohen në aeroportet e vendeve të NATO-s (si Rumania apo Polonia).

Fillimisht me armë jo bërthamore, por me sulme kibernetike ndaj infrastrukturës jetike në Evropë dhe Amerikën e Veriut; shkatërrimin e elementëve të infrastrukturës logjistike të NATO-s; përdorimin e sistemeve jo-bërthamore për të goditur qendrat kryesore logjistike të përdorura nga vendet e NATO-s për të furnizuar ushtrinë e Ukrainës.

Dhe siç e theksuam që në fillim, të japin një sinjal paralajmërues përmes testimit të një bombe bërthamore me rendiment shumë të lartë (mbi 50 megaton). Autorët janë të kujdesshëm, duke specifikuar se Rusia duhet të kalojë “vijën e kuqe” të armëve bërthamore kundër objektivave në vendet e NATO-s, vetëm si mjeti i fundit.

Por më pas, ata shpjegojnë se një koncept kyç i të gjithë tekstit, është pikërisht ulja e pragut të tolerancës për përdorimin e armëve bërthamore. Në rast se doktrina aktuale parashikon përdorimin e disa bombave vetëm në kundërpërgjigje të kërcënimeve ekzistenciale, dokumenti sugjeron marrjen në konsideratë të një gamë shumë më të gjerë, duke përfshirë të gjitha “sulmet e rëndësishme ndaj sovranitetit, integritetit territorial ose interesave strategjike të Rusisë”.

Me fjalë të tjera, kjo të thotë të transformosh një vend imperialist, të armatosur deri në dhëmbë dhe të kapluar nga iluzionet e persekutimit, në një bombë që mund të shpërthejë shumë lehtë. Dhe kjo sepse “armiku duhet të jetë i bindur se Rusia është e vendosur të mposhtë me vendosmëri këdo që kërcënon integritetin territorial apo jetën e qytetarëve të saj”.

Dhe autorët janë Dmitry V.Trenin, anëtar i Këshillit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes Ruse, dhe drejtor i kërkimit në Institutin e Ekonomisë dhe Strategjisë Ushtarake Botërore; Sergei I.Avakyants, admiral në pension dhe drejtor i Institutit të Ekonomisë dhe Strategjisë Ushtarake Botërore dhe Sergei A.Karaganov drejtues i Fakultetit të Ekonomisë Botërore dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shkollën e Lartë Ekonomike të Moskës.

Trenin është emri më i njohur në Itali. Ai është mirëpritur shumë herë si ekspert, i konsideruar si një bashkëbisedues i pavarur për të kuptuar arsyet e sjelljes Kremlinit. Sa keq që nuk është kështu.

Që kur foli në favor të pushtimit, ai nuk mban më pozitën e drejtorit të Qendrës Carnegie Moscow, dhe është hequr nga institutet dhe institutet e tjera evropiane, duke përfshirë Carnegie Endowment for International Peace dhe Akademinë Mbretërore Suedeze të Shkencave të Luftës “për shkak të mbështetjen e tij aktive për pushtimin e pajustifikuar dhe të paligjshëm të Ukrainës nga Rusia”.

Në vitin 2022, Trenin propozoi gjatë një intervistë për Global Affairs që “Rusia të kthejë armët bërthamore në një element efektiv parandalimi në situatën specifike të Ukrainës, në mënyrë që të bindë Shtetet e Bashkuara se do të pasonte një sulm në territorin e saj”.

Ndërsa në vitin 2023, shkroi një artikull në faqen e agjencisë ruse Ria Novosti, në të cilin ai i konsideronte armët bërthamore si një mjet të domosdoshëm dhe të pashmangshëm. Për Trenin, Avakyants dhe Karaganov, parandalimi është një koncept dinamik dhe shumëdimensional që ndërthur forcën ushtarake, gjeopolitikën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Pra, krahas energjisë bërthamore ka shumë më tepër. Sepse ka edhe një parandalim jo-bërthamor, i bazuar tek forcat ushtarake konvencionale, që do të përdoret për të parandaluar agresionin dhe për të mbajtur një nivel të lartë të gatishmërisë ushtarake për t’iu përgjigjur shpejt çdo sulmi.

Pastaj është parandalimi hapësinor, i ndërtuar për të kufizuar “praninë armiqësore në kufijtë strategjikë, dhe duke vepruar po në mënyrë parandaluese nëse do jetë e nevojshme”. Dhe së fundmi është edhe parandalimi psikologjik, i bazuar në komunikimin strategjik që duhet të përçojë koherencë dhe qëndrueshmëri.

Për të arritur rezultatet më të mira në aspektin e kontrollit, autorët e raportit sugjerojnë gjithashtu që Kremlini të forcojë marrëdhëniet me vendet që mund të ndihmojnë në arritjen e qëllimit të “kundërshtimit të hegjemonisë perëndimore”.

Koalicionet strategjike të propozuara, janë aleanca fleksibël me shtetet që “ndajnë interesa të ngjashme”. Me pak fjalë, të gjitha ato regjime jo liberale, që shtypin liritë e qytetarëve të tyre dhe kërcënojnë vendet fqinje. Më të rëndësishmet janë Kina dhe India, të cilësuara si shtyllat “e Eurazisë së Madhe në zhvillim, të paktën derisa vendet evropiane të ndryshojnë elitat e tyre sunduese globaliste dhe të rivlerësojnë tërësisht tendencat globale, për të zhdukur varësinë e tyre vasale nga Shtetet e Bashkuara”.

Dy fuqive të mëdha aziatike i shtohen Irani, Koreja e Veriut dhe Pakistani. Pastaj pjesa tjetër e vendeve të BRICS dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Dhe çuditërisht, përmendet edhe Franca, e parë në Moskë “si një fuqi evropiane me prirje autonomiste, që mund të afrohet në të ardhmen”./Përshtati Pamfleti nga “Linkiesta”

skifterët e putinit sulm bërthamor rusia evropa

Lini një Përgjigje