TAGS-AT E JAVËS

Forum24 Janar 2025, 18:06

“Aleanca e rebelëve” ndaj rendit botëror aktual, testi i Donald Trump

Shkruar nga Robert Kelly

 “Aleanca e rebelëve” ndaj rendit botëror aktual, testi i

Kina e dinte qëllimin e presidentit rus Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën në vitin 2022, dhe mbështetja kineze - diplomatike dhe ekonomike - ka qenë vendimtare në shmangien e kolapsit të Rusisë teksa lufta vazhdon...

Donald Trump është sërish presidenti i SHBA-së. Ndërsa axhenda e tij e brendshme është shumë e qartë - si kandidat foli gjatë mbi migracionin dhe tarifat - politika e tij e jashtme është në dukje e hapur për intepretime. Disa elementë janë megjithatë të njohur. Kështu, Trump është më miqësor me autokratët se sa çdo president tjetër amerikan.

Nga ana tjetër është i ashpër, gati bullizues, ndaj shteteve më të vogla e më të dobëta, përfshirë aleatët e SHBA-së. Megjithatë, mbetet e paqartë mënyra se si Trump do ta zgjidhë çështjen e Ukrainës, të cilën ai premtoi se do ta bënte brenda një dite. Apo edhe se si ai do të sillet me sfiduesen e rëndësishme të SHBA-së për dekadat e ardhshme, Kinën.

Vetëm tarifat tregtare nuk do të mjaftojnë. Ngritja e ndjeshme e Kinës në skenën globale, nuk është diçka e re, por nën presidentin e saj aktual, Xi Jinping, Kina ka nisur një kurs shumë më revizionist dhe luftarak. Dhe ka shumë dyshime se dekadën e ardhshme do të sulmojë Tajvanin.

Është e paqartë se si do të kundërpërgjigjet Trump, duke pasur parasysh komentet e tij për Tajvanin në të kaluarën. Pastaj, Kina është anëtarja kryesore e një aleance rebelësh që kërkon përmbysjen e rendit ndërkombëtar aktual. Anëtarët më të shquar të këtij grupimi janë Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut.

Megjithatë, në përgjithësi, çdo diktaturë e pakënaqur me rendin botëror të udhëhequr nga SHBA-ja do të gjente mbështetje në këtë grup. Në rast se këto vende bashkohen në një bllok ose “bosht” të vërtetë, ai do të ishte një sfidanti i madh për SHBA-në. Parandalimi i këtij skenari, është ndoshta objektivi më i madh i politikës së jashtme të administratës së re.

Rendi ndërkombëtar liberal i pas Luftës së Ftohtë, ka provokuar shumë shtete jo liberale dhe antidemokratike. Por shumica e atyre vendeve ishin të vogla, të varfra, ose të dyja bashkë.

Shtete si Venezuela dhe Siria nën Bashar Al-Assadin tashmë i rrëzuar, e indinjuan ekonominë botërore liberale dhe udhëheqjen amerikane, por ata mund të bënin pak për këtë. Këto shtete diktatoriale, shpresonin të mbijetonin në një botë armiqësore. Ish-Presidenti Xhorxh W.Bush i quajti “boshti i së keqes” qëndrimet e tyre ndaj rendit liberal.

Këto regjime mundën të mbijetonin - “ndryshimi i regjimit” rezultoi të ishte jashtë fuqisë së SHBA-së - por ishin të izoluara. Rritja e shpejtë e Kinës, u ka dhënë një hapësirë të re këtyre sfiduesve. Autokracia kineze dukej si dekada më parë. Por sot, rekordi i saj i rritjes ekonomike dhe stabilitetit, është shumë tërheqës për diktaturat që shpresojnë të ruajnë sundimin autoritar, t’i rezistojnë dominimit të SHBA-së dhe të arrijnë ende të kenë rritje ekonomike.

Pekini ka tërhequr rreth vetes shtete të tjera të pakënaqura, ku spikat Rusia. Nuk ka dyshim se Kina e dinte qëllimin e presidentit rus Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën në vitin 2022, dhe mbështetja kineze - diplomatike dhe ekonomike - ka qenë vendimtare në shmangien e kolapsit të Rusisë teksa lufta vazhdon.

Putin dhe Xi, deklaruan se aleanca e tyre e fundit nuk ka “kufij”. Pjesa tjetër e anëtarëve të këtij boshti, qëndron pezull në sfond. Irani islamik ka qenë prej kohësh një përfaqësues i dobishëm për shtetet që dëshirojnë të sfidojnë SHBA-në. Që në vitet 1980, Bashkimi Sovjetik ateist e mbrojti në mënyrë joformale atë regjim klerikal nga presioni i SHBA-së.

Edhe Koreja e Veriut, është një ngatërrestare rajonale e dobishme. Ashtu si Irani, Koreja e Veriut e shpërqendron SHBA-në në një rajon strategjik, duke e mbajtur atë të angazhuar atje. Tani ajo po ndihmon imperializmin rus në Ukrainë. Pyetja për të ardhmen, është nëse ky grupim mund të bashkohet në një aleancë të vërtetë.

Kjo do të kërkonte gatishmërinë e të gjithë anëtarëve për të përmbysur interesat e tyre në një program më të madh dhe të përbashkët. Diçka e tillë është e mundur, dhe Putin, ndoshta anëtari më i pamatur, haptazi agresiv i këtij boshti, mund ta pranojë këtë. Por anëtarët e boshtit, kanë edhe marrëdhënie problematike mes tyre.

Për shembull, Koreja e Veriut, është e kujdesshme ndaj dominimit kinez, dhe Rusia do të duhet ta pranojë se është më e vogël se Kina më e madhe dhe më e fuqishme. Në fakt, të gjithë anëtarët e boshtit duhet të jenë të gatshëm të pranojnë udhëheqjen e bllokut kinez, sepse vetëm Kina është mjaftueshëm e pasur për të financuar një sfidë të gjerë ndaj rendit liberal dhe shteteve të saj të pasura në mbarë botën.

Koreja e Veriut dhe Irani, janë ekonomikisht të dobëta. Shpenzimet e larta ushtarake dhe ideologjia radikale, plotësojnë një pjesë të këtij boshllëku, por asnjëra nuk mund të përballonte dislokime të rregullta ushtarake me shpejtësi të lartë dhe pa mbështetje të jashtme. Me gjithë zemërimin e tyre, ato nuk mund të nisin konflikte të rëndësishme si lufta aktuale në Ukrainë, apo një sulm i ardhshëm kinez ndaj Tajvanit.

Natyrisht, Rusia është më e pasur se këto shtete, por ekonomia e saj ka dalë tashmë nga lista e 10 vendeve më të mëdha në botë. Tani ajo ka hyrë në një fazë lufte të plotë, gjë që mund ta ndihmojë të fitojë në Ukrainë në një periudhë afatshkurtër. Por kostot afatmesme do të jenë të larta.

Shpenzimet e rritura ushtarake, e ushqejnë sektorin civil të burimeve për rritje produktive dhe regjimi i sanksioneve ndaj Rusisë, bllokon teknologjitë e nevojshme në të ardhmen. Vetëm Kina, me PBB-në e dytë më të madhe në botë, ka peshën financiare për t’i gjetur këta revizionistë.

Por një kthesë e plotë e Kinës kundër rendit ndërkombëtar liberal, do t’i jepte fund marrëdhënieve tregtare që kanë nxitur rritjen e saj ekonomike për dekada. Dhe kjo është leva që duhet të përdorë Trump për ta detyruar Kinën të mos bëhet plotësisht pjesë e projektit të rezistencës së Putinit.

Në këtë kontekst, dashuria e tij për tarifat është problematike. Sepse ndërprerja e marrëdhënieve tregtare Kinë-SHBA, do ta bëjë më të lehtë për Kinën që të përafrohet plotësisht me këtë aks./Përshtati Pamfleti nga “19 Forty Five”

Shënim: Robert Kelly, profesor i shkencave politike në Universitetin Kombëtar të Pusanit në Korenë e Jugut.

aleanca e rebelëve rendi botëror testi i donald trump

Lini një Përgjigje