
Elon Musk, bosi i Tesla-s, pronar i platformës sociale X, dhe kreu i sapoemëruar i Departamentit Amerikan të Efikasitetit të Qeverisë, është një figurë shumë e debatuar, që po e polarizon dhe përçan më tej opinionin publik ndërkombëtar...
Më së fundmi, gjatë ceremonisë së inaugurimit të presidencës së Donald Trump, Musk u kritikua për gjestin e tij përshëndetës. Në kulmin e haresë në sallë, nuk kaloi pa u vënë mënyra e ngritjes së krahut të tij të djathtë. Disa analistë e krahasuan atë me përshëndetjen nazifashiste, e cila është e ndaluar në shumë vende evropiane. Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt në shumë televizione ndërkombëtare, u bënë shpejt virale.
Disa media por edhe parti politike, kanë nënvizuar se si Musk “i ka mbështetur tashmë partitë dhe grupet e ekstremit të djathtë, duke sulmuar George Sorosin”. Përgjigja e shefit ekzekutiv të X nuk vonoi “Ata duhet të përdorin truke të pista më të mira”, duke iu referuar kundërshtarëve politikë.
“Krahasimi me Hitlerin, është bërë kaq i lodhshëm!”- shtoi Musk në platformën e tij X. Në një klimë plot përçarje, ku disa e kanë të vështirë të gëlltisin ngjitjen në pushtet të konservatorëve amerikanë, ka një alarm të madh ndaj qasjes që synon të minojnë postulatet e një qasjeje liberal-demokratike, e cila ka diktuar politikat kombëtare dhe ndërkombëtare 4 vitet e fundit.
Me ardhjen e Trump si presidenti i 47-të i SHBA-së, dinamika botërore po përjeton një rivendosje, dhe kjo është e dukshme edhe për sa i përket retorikës dhe komunikimit. Politika evropiane dhe konkretisht disa liderë, kishin shfaqur tashmë shqetësimet e tyre pasi ishin vënë në shënjestër nga komenti i Musk.
Ndërhyrja e tij perceptohet si e rrezikshme dhe shpifëse. Nga ana tjetër, disa sektorë të tjerë e mirëpresin atë në emër të së vërtetës, dhe mbi të gjitha si një mburojë ndaj një tendence të caktuar drejt një të ashtuquajturës “korrektesë politike”, e cila vitet e fundit ka diktuar linjën e disa kancelarive deri në pikën që po imponohet në mbarë bllokun evropian.
Sipas Musk, disa liderë politikë dhe figura po e portretizojnë veten si zëdhënës të një qasjeje ekstreme liberale. Prandaj, fitorja e Trump shënoi një thyerje, duke simbolizuar rikthimin tek vlerat më nacionaliste. Pas triumfit të konservatorëve në Shtëpinë e Bardhë nëntorin e kaluar, skenari politik ndërkombëtar ka filluar të ndjejë dridhjet e një reagimi politik, i cili synon të ndikojë në dinamikën botërore sipas një interpretimi politik në përputhje me frymën nacionaliste të Trump.
Ky qëndrim, ka gjetur një mbështetës të vlefshëm tek Elon Musk dhe fuqia e tij e përhapur e komunikimit dhe e biznesit. Në Evropë, Musk ka drejtuar gishtin nga kancelari aktual gjerman Olaf Scholz i Partisë Social Demokrate të Gjermanisë (SPD) dhe presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier.
Scholz u quajt “idiot” pasi në nëntor u rrëzua koalicioni i tij qeveritar, ndërsa Musk etiketoi Steinmer një “tiran antidemokratik”. Gjermania, e cila tradicionalisht ka qenë lokomotiva ekonomike dhe njëkohësisht referenca e integrimit dhe stabilitetit europian, po përjeton një krizë të paprecedentë, duke nxjerrë në pah shumë dyshime dhe çështje jetike lidhur me administratën aktuale dhe vizionin e saj.
Scholz u kundërpërgjigj, duke deklaruar se nuk ka ”asgjë të re” në kritikat nga “sipërmarrësit e pasur të medias që nuk e vlerësojnë politikën socialdemokrate dhe nuk përmbahen në opinionet e tyre”. Nga ana tjetër, ndërsa njoftoi shpërndarjen e parlamentit dhe konfirmoi 23 shkurtin si datën e zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani, presidenti Steinmeier deklaroi: “Ndikimet e jashtme janë një rrezik për demokracinë!”.
Referenca e Steinmeier, ka të bëjë kryesisht me mbështetjen e Musk për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD). “AfD do të fitojë!”- përsëriti kreu i X, që organizoi madje një intervistë të drejtpërdrejtë me Alice Weidel, udhëheqëse e AfD, duke këmbëngulur se “vetëm kjo parti mund ta shpëtojë Gjermaninë”.
Në një klimë të acaruar gjithnjë e më shumë nga fuqia e përhapur e komunikimit, po shtohen edhe shqetësimet mbi ndonjë bumerang nga qëndrimi politik i socialdemokratëve. Frika më e madhe, është se deklaratat e Musk mund të krijojnë një lëvizje reaksionare në Evropë dhe ta shpërbëjnë unitetin e bllokut në emër të vlerave dhe ideologjive të djathta.
Shumë njerëz, veçanërisht në qarqet e majta liberale, e denoncojnë biznesin amerikan si burimin kryesor të keqinformimit dhe efektin manipulues dhe deformues të tij. Nëse bëhet fjalë për keqinformim apo shfaqjen e të vërtetave të reja që e vënë në siklet establishmentin aktual, kjo mbetet ende për t’u verifikuar.
E sigurt është se në rastin e Britanisë së Madhe, Musk ka luajtur një rol kryesor në nxjerrjen në dritë të skandaleve seksuale të fshehura për një kohë të gjatë nga qeveria laburiste. SHBA-ja duhet ta “çlirojë popullin e Britanisë nga qeveria e tyre tiranike”, ka deklaruar Musk.
Efekti përçarës ishte i dukshëm në numrin e madh të reagimeve ndaj postimit të tij. Aktualisht, një pjesë e Evropës, ka frikë se manovrat e Musk, janë në shërbim të interesave amerikane që synojnë dobësimin e mëtejshëm të disa shteteve evropiane. Referenca është për perandorinë e biznesit që zotëron Musk, e cila përveç komunikimit dixhital, përfshin edhe sisteme satelitore për komunikim të koduar si dhe sektorin e inovacionit të Tesla-s.
Në këtë kuptim, kritika e ashpër u drejtohet atyre që kanë marrëdhënie biznesi. Ky është rasti i kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila nuk e fsheh simpatinë e saj ndaj Musk. Për më tepër, kohët e fundit Italia ka negociuar blerjen e sistemit të mbrojtjes së të dhënave Starlink të SpaceX për një kontratë me vlerë 1.6 miliardë dollarë.
Edhe pse për këtë çështje s’ka pasur asnjë konfirmim, opozita italiane ka sulmuar Melonin, e cila është kundërpërgjigjur: “Problemi qëndron tek Space X si kompani private, apo tek idetë politike të Musk?”. Më tej ajo nënvizoi:”Musk është një person shumë i njohur dhe i pasur që shpreh qëndrimet e tij. Kur më thonë se ai është një rrezik për demokracinë, e theksoj se ai nuk është i pari nga njerëzit e njohur dhe të pasur që shpreh opinionet e tij”- duke iu referuar George Soros.
“Problem është kur njerëzit e pasur i përdorin ato burime, për të financuar partitë politike dhe përfaqësuesit për të ndikuar në zgjedhjet politike. Kjo nuk është ajo që bën Musk. Kjo është ajo që bën Soros dhe kur ka ndodhur, është folur për filantropi. Unë e konsideroj Sorosin shumë më ndërhyrës se Elon Musk. Të tijat janë ndërhyrje serioze”- shtoi kryeministrja italiane.
Ndoshta kjo është pikërisht pika kyçe e debatit aktual në Evropë: aspekti ideologjik dhe i bazuar në vlera, që për sa kohë ishte në përputhje me retorikën dominuese liberale të Evropës dhe diskursin politik ndërkombëtar, ka diktuar linjat e sjelljes, duke u përdorur si leva për ndikim më të madh.
Teksa kjo qasje po minohet nga forcat e reja politike dhe zëdhënësit e një botëkuptimi të bazuar në vlera të tjera, ajo ngre zërin për skandale dhe shpifje. Një gjë është e sigurt: sot jemi në një pikë kthese përballë një interpretimi të ri të komunikimit politik, ndoshta më i lirshëm dhe pa censurë, siç dëshmohet edhe nga vendimi i një biznesmeni tjetër miliarder Mark Zuckerberg për të hequr filtrat nga Meta.
Megjithatë, pyetja kryesore ka të bëjë me etikën dhe përgjegjësinë në komunikim nga politikanët, liderët dhe deri tek përdoruesit e thjeshtë./Përshtati Pamfleti nga “Daily Sabah”
Shënim: Valeria Giannotta, eksperte e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, drejtore shkencore e Observatorit CeSPI në Turqi.
Lini një Përgjigje