TAGS-AT E JAVËS

Forum10 Prill 2025, 10:29

Sinjalet e tatëpjetës: Kush mund ta ndalë Donald Trumpin

Shkruar nga Massimo Teodori

 Sinjalet e tatëpjetës: Kush mund ta ndalë Donald Trumpin

Vetëm 80 ditë nga marrja e detyrës, presidenti nuk po tregon ndonjë shenjë për t’u tërhequr nga masat më drastike, por konsensusi fillestar po tregon shumë të çara...

Kush mund ta ndalë Donald Trumpin nga vazhdimi i tronditjes së ekonomisë amerikane dhe saj globale? Kjo është pyetja që shumë njerëz i bëjnë vetes përballë arrogancës së presidentit amerikan, që synon të kënaqë para së gjithash egon e tij.

Kujtesa historike na çon shpejt në kolapsin e bursës së Wall Street në vitin 1929, kur u deshën 3 vjet para se të zgjidhej një president i ri, Franklin D.Roosevelt, që ishte në gjendje të kontrollonte dëmin e paraardhësit të tij, që kishte premtuar pasurim për cilindo që investonte në bursa.

Edhe sot presidenti u premton pasurim të gjithë amerikanëve. Presidenti qëndron në detyrë për 4 vjet, dhe në atë periudhë asgjë nuk mund ta ndalojë veprimet e tij, nëse ato konfirmohen si të ligjshme nga institucionet. Presidenca, Kongresi dhe Gjykata e Lartë i përkasin të njëjtit krah politik.

Por mbi 80 ditë pas marrjes së detyrës, konsensusi popullor po tregon më shumë sesa një të çarë. Krenaria e presidentit narcisist, padija e tij mbi çështjet ekonomike, dhe besimi se është i pëlqyer nga të varfrit dhe të lënët pas dore, e bind të vazhdojë me planet e tij.

Megjithatë, shenjat e krizës po shtohen. Së pari, ka nisur zgjimi i Partisë Republikane. Anëtarët e Kongresit, por edhe nivelet më të larta shtetërore dhe federale që do të shkojnë në votim në nëntor 2026, kanë frikë nga zgjedhjet edhe në zonat që tradicionalisht konsiderohen si bastione të tyre.

Senatori Rand Paul, ka kërkuar anulimin e tarifave të vendosura ndaj produkteve kanadeze. Bashkë më të është i gjithë grupi republikan libertarian që kundërshton zgjerimin e tepruar të pushteti ekzekutiv, dhe që bazohet në mbështetjen financiare të sipërmarrësve të dëmtuar nga politikat e Trump.  

Së dyti. Demonstratat popullore të javës së fundit, nuk janë vepër e “profesionistëve të protestave”, siç u tha me ironi nga Shtëpia e Bardhë. Në rrugë dolën njerëzit e zakonshëm në 50 shtete, përfshirë ata në qytetet e vogla.

Në total janë regjistruar 1200 protesta në të gjithë vendin, një shenjë e qartë se kundërshtimi ndaj Trump nuk është thjesht një punë e grupimeve radikale. Tek po rritet inflacioni dhe papunësia, presidenti po e humbet konsensusin, dhe kundërvënia ndaj tij po zgjerohet përtej opozitës së dobët të demokratëve.

Së treti, sistemi gjyqësor federal po tregon shenja rezistence ndaj shpërdorimit të pushtetit. Me vendosjen e tarifave, administrata Trump nuk e ka goditur vetëm ekonominë. Ajo ka prekur gurët e themelit të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara: procesin e rregullt ligjor, lirinë e fjalës, të drejtat e zyrtarëve federalë, sistemin e kontrolleve dhe balancave, dhe fuqinë e Kongresit.  

Është domethënës fakti që një gjykatës federal, e ka pranuar kërkesën e Associated Press që të hiqet ndalimi i hyrjes në Shtëpinë e Bardhë për gazetarët që presidenti i ka shpallur si të “papëlqyer”, kjo bazuar në Amendamentin e Parë që garanton lirinë e fjalës.

Së katërti, po zgjerohet përçarja mes politikës presidenciale dhe disa fuqive të forta, që janë dëmtuar në interesat e tyre. Financimet bujare që deri më tani janë dhënë për Trump dhe njerëzit e tij, mund të nisin të mungojnë, duke dëmtuar një pjesë të mirë të kandidatëve republikanë.

Edhe vetë Elon Musk duhet të përballet me krizën e Tesla-s, e cila ka humbur më shumë se 40 për qind të vlerës së saj. Pra edhe dyshja në krye të SHBA-së, është duke u shpërbërë në mënyrë progresive.

Nuk duhet të harrojmë se Donald Trump i fitoi zgjedhjet për mandatin e dytë me një diferencë shumë të ngushtë në votë popullore dhe elektorale, edhe sepse ishte në gjendje të përfitonte nga uniformiteti partiak i 3 institucioneve kryesore të qeverisjes.

Kjo nuk do të thotë se ai do të bjerë para vitit 2028, por që në zgjedhjet e mesit të mandatit, mund të ketë një ndryshim rrënjësor në ekuilibrat institucionalë në marrëdhëniet ndërmjet presidencës dhe Kongresit, gjë që do të ketë efekt në orientimet e Partisë republikane.

Zgjedhja e Trump, ishte rasti i parë i një populisti që mundi të harmonizonte pozicionet e ekstremit e djathtë dhe të majtës ekstreme, në kurriz të elitës së pushtetit dhe të nxirrte në pah erozionin e demokracisë liberale edhe në versionin e tij amerikan.

Por me Trumpin, populizmi në pushtet jep një performancë të tmerrshme në qeverisje. Ndoshta zgjedhjet e mesit të mandatit, do të vendosin drejtësi për veprimet impulsive të presidentit. Atëherë do të jetë vetë Kongresi që do të reagojë me gjithçka që ka në dorë. Si ndodhi dikur me Richard Nixonin./Pamfleti nga “Huffington Post Italia”

sinjalet e tatëpjetës donald trump

Lini një Përgjigje