
Fatkeqësisht ne shqiptarët kemi hyrë përsëri në vorbullën e lëkundjeve gjeostrategjike të botës. Si gjithmonë...
Evropa e Bashkuar, destinacioni i natyrshëm i Shqipërisë, sado ta pengojnë ata nga jashtë dhe nga brenda që nuk e duan kurrsesi këtë, ndodhet në një fazë të ndërlikuar.
Dëshiron të zgjerohet në planin strategjik, sigurisht, por procedura e zgjerimit nuk përkrahet veçse dobët nga opinioni publik i brendshëm dhe nga partitë dhe lëvizjet që duan më shumë sovranitet në çdo vend evropian dhe më pak pushtet të centralizuar në Bruksel.
Në një farë mënyre pra, gjeostrategjik ka hyrë në një lloj tensioni mes politikat e brendshme elektorale të çdo vendi evropian. Përpara pushtetit që kërkon votat e opinionit publik, zgjerimi është dhe mbetet një çështje e dorës së dytë.
Vendet evropiane nuk janë si vendet ballkanike ku udhëheqësit e fortë mund ta çojnë anijen nga të duan sepse opinioni publik është pa gojë. Evropa është në duart e qytetarëve!
Kontradikta e dytë që na hap punë është se nga njëra anë sigurisht nuk mund të ketë integrim të vendeve të Ballkanit, ne na intereson Shqipëria, pa një zhvillim të ekonomisë lokale. Por, këtu fillon një ngërç i dytë që kërkon mendim, studime, gjykime të ftohta dhe ekspertizë.
Sepse vendet e Ballkanit nuk mund të shihen vetëm si vende ku eksportohen mallra evropiane. Kjo, sikurse është parë deri tani, bën që në Ballkan, në Shqipëri të rritet papunësia, të shkatërrohet prodhimi vendas, njerëzit të emigrojnë, të ç popullohet vendi. Por, nëse ndodh e kundërta dhe vendet e Ballkanit ngrihen ekonomikisht ata do të konkurrojnë mallra dhe produkte evropiane, sidomos në bujqësi, çka opinioni publik dhe lobitë në Evropë e kanë merak të madh. Edhe ky problem duhet zgjidhur, dhe jo vetëm të tregohen me fjalë të përgjithshme se janë arritur suksese.
Çfarë suksesesh aman? Po të ishin arritur suksese do të ishte futur dhe Ballkani, Shqipëria, në Evropën e Bashkuar qëkurse u futën vendet e Evropës Qendrore!
Ka edhe një tension tjetër. Evropa e politikave sociale, e demokracisë, e kulturës, e vlerave humaniste, një shoqëri e dritës dhe e ndriçimit, aktualisht është në një rrethim të rrezikshëm. Madje në dy rrethime të jashtme ku ka agresione, luftëra, urrejtje, etj. Nga njëra anë rrethimi i madh i disa fuqive diktatoriale dhe të fuqishme që e rivalizojnë gjeostrategjikisht, por tani edhe zjarre të ndezura. Zona të rrezikshme për vetë Evropën dhe paqen botërore. Rusi - Ukrainë, Armeni - Azerbajxhan, Hamas - Izrael, Kosovë - Serbi.
Fatkeqësisht ne shqiptarët kemi hyrë përsëri në vorbullën e lëkundjeve gjeostrategjike të botës. Si gjithmonë.
E kam thënë, nuk e hanë shqiptarët Shqipërinë, por Shqipëria shqiptarët. Duhet t'i bëjmë ballë këtyrë zonave sizmologjike, sikurse ka zbuluar Huntington, të botës dhe të ekulibrave të saj gjeopolitikë.
Ne jemi vetëm një hap larg palestinezëve, një hap larg izraelitëve, armenianëve, ukrainasve, popuj që nuk gjejnë kurrë qetësi!
Evropa, në zonat e tjera e ka vështirë të ndërhyjë, sado përpiqet, por ka të drejtë që çdo zjarr Serbi - Kosovë ta shuajë pa marrë flaka perdet, tavanin, çatinë dhe pastaj gjithë lagjen.
Ndaj vjen të qetësojë situatën. Është gjë shumë e mirë për ne që ka zgjedhur anën tonë, Tiranën, për të folur për Ballkanin. Imagjino sikur të ishin mbledhur te Republika Srbska!
Dhe ne duhet të jemi në krah të BE. Si shqiptarët qëmoti në krah të evropianëve. Por, këtu lind një problem. Sa kohë konfliktet ballkanike janë të acaruara as mos mendojmë se Evropa është aq stupide sa t'i fusë konfliktet brenda saj. Ne do të vazhdojmë të vërdallosemi dyerve, korridoreve, konferencave për shtyp gjithë mjaltë e sheqer, por vetëm kaq.
Kjo gjendje na ka rënë si fat. Nuk ka faj Evropa. As ne. Kështu është. Siguria gjeopolitike që partnerët tanë evropianë na mbështesin, ka anën tjetër, vonimin e integrimit, uljen e rëndësisë për investitorët evropianë në Ballkan e Shqipëri. Ne bëhemi si një zonë tampon, dhe e pëson ekonomia, demokracia, dhe marrin hov lloj të korruptuarisht dhe diktatorucish ballkanikë që gjithë ditën thërrasin : Evropë, Evropë, dhe natën falen në shkurre e ferra për të bërë që integrimi evropian të mos bëhet kurrë.
Por, përmbi të gjitha këto vështirësi, që nuk duhen fshehur, çdo afrim politik, simbolik, vendimmarrës, konvergjim politikash është në rrugën e duhur. Por, ai duhet menduar në terma të mençur dhe jo me propagandë, as me hipokrizi.
Lini një Përgjigje