Regjimi i Vuçiçit lëkundet, por alternativa mungon; një Serbi në krizë është një sfidë e re për të gjithë rajonin...
Më 1 nëntor 2025, Serbia përkujton një vit nga tragjedia e rëndë në Novi Sad, ku 16 qytetarë humbën jetën nga shembja e një strehimi të ndërtuar në mënyrë të papërgjegjshme. Por ndërsa opinioni publik kërkon drejtësi dhe reflektim, presidenti Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar se kjo ditë do të kalojë pa ceremoni, pa ndjesë, dhe “si çdo ditë tjetër”. Në vend të kujtimit institucional, vendi përgatitet për protesta të reja qytetare dhe studentore, duke e kthyer 1 nëntorin në një simbol të rebelimit ndaj harresës së qëllimshme shtetërore.
Serbia ndodhet në një moment kritik të zhvillimeve të brendshme politike. Një vit pas shpërthimit të protestave studentore dhe me opozitën që përpiqet të ridimensionojë veten përballë regjimit të Aleksandar Vuçiçit, pyetja më urgjente që shtrohet në Beograd është: a janë të gatshëm këta aktorë të marrin pushtetin?
Nëse protesta është shkundja, kush do të jetë truri dhe zemra e ndryshimit?
Kjo është dilema e madhe që përball studentët dhe opozitën serbe.
Në artikullin e publikuar nga Danas.rs, analistë dhe figura të njohura të shoqërisë serbe theksojnë se megjithë rritjen e ndikimit publik të lëvizjes studentore dhe thirrjet për zgjedhje të lira, mungon ende një alternativë e qartë dhe funksionale për qeverisjen e vendit.
Studentët janë zemra morale e protestës, por jo një strukturë politike që mund të qeverisë. Edhe opozita, megjithëse më e organizuar, vuan nga fragmentimi dhe mungesa e një platforme të përbashkët që do të bindte qytetarët dhe faktorin ndërkombëtar për kapacitetin e saj për të qeverisur.
Analisti Dragomir Anđelković thekson se "nuk jemi në një moment revolucionar të tipit 'dita D' ku pushteti bie brenda natës".
Ndërsa drejtori i CESID-it, Bojan Klačar, vëren se ndërkombëtarët nuk do të marrin seriozisht një forcë politike të re pa e ditur se kush qëndron pas saj dhe çfarë plani ka për shtetin.
Profesori Jovo Bakić, një kritik i hapur i regjimit aktual, e përmbledh shkurt: pa një koalicion të gjerë opozitar që përfshin studentët dhe elitën politike, ndryshimi do të mbetet vetëm një slogan.
Kjo dinamikë ka domethënie të thellë edhe për Kosovën dhe Shqipërinë. Një Serbi që kalon në tranzicion të pasigurt mund të jetë burim tensioni në rajon, por edhe një mundësi për rivendosje të politikave konstruktive nëse opozita e re është më pragmatike. Megjithatë, nëse ndryshimi i pushtetit bëhet pa adresuar qëndrimet ndaj Kosovës, shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe raportet me NATO-n, atëherë nuk kemi të bëjmë me një hapje demokratike, por me një riformatim të nacionalizmit serb me fytyrë të re.
Për Tiranën dhe Prishtinën, kjo është një thirrje për të përforcuar diplomacinë rajonale dhe për të ndërtuar lidhje me aktorët progresistë brenda shoqërisë serbe. Protestat në Beograd nuk duhen parë vetëm si zhvillim i brendshëm serb, por si pjesë e një vale të re politike në Ballkan që mund të prodhojë qasje të reja, pozitive ose jo, ndaj çështjeve të pazgjidhura.
Shembulli serb është gjithashtu një kujtesë për vetë shqiptarët: protesta pa platformë sjell vetëm valë emocionale, jo ndryshim sistemik. Ndryshimi kërkon organizim, ide dhe lidership të përgjegjshëm. Serbia është sot në një udhëkryq, dhe bashkë me të, edhe rajoni.
Nëse nuk dimë çfarë duam pas Vuçiqit, nuk ka rëndësi se a e rrëzojmë dot./Pamfleti
Lini një Përgjigje