TAGS-AT E JAVËS

Forum28 Dhjetor 2025, 11:36

Sekreti i Giorgia Melonit

Shkruar nga Andrea Fioravanti
Sekreti i Giorgia Melonit
Giorgia Meloni /

Pak reforma strukturore, premtime të pambajtura dhe një menaxhim i dobët i planit kombëtar të rimëkëmbjes. Por pavarësisht rezultateve modeste, popullariteti i Giorgia Melonit mbetet i palëkundur. Çelësi? Një opozitë anemike dhe një strategji komunikimi gati kirurgjikale...

Xhorxhia Meloni po e qeveris Italinë prej më shumë se 3 vitesh pa asnjë krizë parlamentare, e mbështetur nga një shumicë e qëndrueshme dhe një konsensus që nuk njeh rënie. Ajo drejton tashmë një nga qeveritë më jetëgjata në historinë e Republikës, duke sfiduar traditën e paqëndrueshmërisë politike që e ka karakterizuar vendin për dekada me radhë.

Por çfarë do të mbetet realisht nga kjo periudhë pushteti? Deri tani, i vetmi akt legjislativ me peshë është ai i Ministrit të Drejtësisë, Karlo Nordio, i cili shfuqizoi krimin e abuzimit me detyrën dhe e kufizoi publikimin e përgjimeve për personat nën hetim.

Pjesa tjetër janë rregullore me karakter penalizues ose “shashka” mediatike të shpejta: dekreti kundër festave “Rave,” kodi i ri rrugor me sanksione të ashpra dhe qendrat e dështuara të emigrantëve në Shqipëri, që më shumë shërbyen si propagandë sesa si zgjidhje.

Pjesa dërrmuese e aktivitetit parlamentar prodhon volume letrash, por pa e prekur thelbin e përditshmërisë së qytetarëve. Premtimet madhore mbeten ende në horizont: Ura e Mesinës, reforma e institucionit të kryeministrit dhe ligji i ri zgjedhor.

Edhe “autonomia e diferencuar”, aq shumë e trumbetuar nga aleatët e Legës, pa fondet e nevojshme për të garantuar shërbimet bazë nga jugu në veri, mbetet thjesht një kornizë boshe. Po ashtu, ndarja e karrierave në drejtësi mbetet peng e pasigurisë së një referendumi që mund të hedhë në erë të gjithë projektin.

Ekziston një ndjesi e fortë déjà vu. Qeveria Meloni duket se po vuan nga e njëjta sindromë si qeveria “Berlusconi II” (2001-2006). Pas 5 pesë vitesh pushtet absolut, mbahen mend vetëm patenta me sistem pikësh dhe ndalimi i duhanit në ambientet e mbyllura.

Në rrafshin politik, premtimi i vetëm i mbajtur është çrrënjosja e “nepotizmit” të së majtës, duke e zëvendësuar atë me njerëz besnikë të së djathtës në RAI dhe institucionet kryesore kulturore. Sa i përket uljes së akcizës së karburanteve, bllokadës detare në lidhje me zbarkimet e emigrantëve të paligjshëm dhe sloganeve të tjera elektorale, ato janë arkivuar në heshtje deri në një njoftim të dytë.

Meloni e kuptoi shpejt se mbajtja e pushtetit kërkon një pragmatizëm ekstrem. Ajo e mbajti Italinë në kursin pro-atlantik, pavarësisht se kush gjendej në Shtëpinë e Bardhë, dhe shmangu me kujdes një përplasje mazokiste me Brukselin.

Gruaja që dikur bërtiste kundër “burokratëve të Evropës”, sot është shndërruar në një zbatuese të disiplinuar të rregullave të saj, duke pretenduar madje një raport special me Ursula Von der Lejen, që shpesh e zemëron bazën e saj elektorale sovraniste.

Në ekonomi, pafuqia fiskale është shumë e dukshme. Me një borxh publik në nivelin alarmant 135 për qind të PBB-së, buxhetet e 3 viteve të fundit kanë qenë thjesht ushtrime mbijetese, të fokusuara tek pensionet dhe shëndetësia e lënë pas dore.

Ministri Xhorxheti ka kryer shkurtime buxhetore lineare që nuk e prekin strukturën e shpenzimeve, por vetëm shpërndajnë vështirësitë. Ndërkohë, Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (PNRR), mbetet një mundësi e madhe e shpërdoruar: nga 153 miliardë euro të dhëna nga fondi i përbashkët i BE-së, Italia ka shpenzuar vetëm 1/3. Dy nga tre euro mbeten të bllokuara në sirtarët e ministrive, ndërsa shumica e projekteve në vend kanë ngecur.

Atëherë, pse Meloni nuk bie në sondazhe?

Përgjigjja e parë është dobësia dhe përçarja e opozitës. E dyta ka të bëjë me njohjen prej sa të një ligji të pashkruar të psikologjisë kombëtare: italianëve mund t’u bësh gjithçka, përveçse t’i bezdisësh.

Kështu Meloni ka braktisur konferencat për shtyp, ku mund të përballet me pyetje të vështira llogaridhënëse, duke preferuar kryesisht monologët e kontrolluar në rrjetet sociale.  Ajo nuk flet drejtpërdrejt me mediat, por i detyron ato të flasin vazhdimisht për të.

Kur dështimet bëhen shumë të dukshme, ajo nxjerr me shpejtësi “kartën e viktimës”: nuk është më kryeministrja që jep llogari, por nëna, gruaja dhe italiania e thjeshtë e persekutuar nga “elitat” keqdashëse.

Kur nuk mjafton as kjo, vëmendjen e marrin gafat e njëpasnjëshme të ministrave të saj apo deklaratat e Antonio Tajanit dhe Mateo Salvinit, që shërbejnë si zhurmues mediatikë për të mbuluar mungesën e rezultateve.

Ndërkohë, jeta reale dhe ajo “politike” funksionojnë si në serialin e famshëm amerikan “Severance”: në televizor tregohet sesi qeveria po “shpëton” vendin, ndërsa në realitet shkollat rrënohen, listat e pritjes në spitale zgjaten pafund dhe trenat nëpër stacione mbërrijnë vazhdimisht me vonesë.

Meloni duket se e ka gjetur formulën e artë: t’i lërë italianët në stanjacionin e tyre të përhershëm, duke u shitur me mjeshtëri iluzionin e stabilitetit nëpërmjet një fushate marketingu të pandalshme.

sekreti i melonit

1 Komente

  1. P
    Premti Dhalla

    Ashtu pat qenë edhe Mussolini,por italianët ja dhjenë kufomën në piazzale Loreto në Milano ...

    Lini një Përgjigje