TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Mars 2025, 17:12

Rruga drejt BE-së kalon përmes 'burgut' të Gjadrit!

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Rruga drejt BE-së kalon përmes 'burgut' të Gjadrit!
Rama-Meloni në Gjadër

Plani rezervë i Italisë për zhvendosje të problemeve të veta dhe ruajtje të çdo centi, ndoshta rastësisht, mund të shndërrohet edhe në filial fati për Shqipërinë.

U pa kjo punë. Kampi i Edi Ramës dhe Georgia Melonit në Gjadër të Lezhës, qëlloi stacion i pa sigurt edhe si azil 48 orësh për refugjatët nga Egjipti, India, Bangladeshi, Siria dhe vendet e botës arabe që synojnë Italinë përmes detit.

Dështoi Babloku të bëjë pazare me liritë e të drejtat njerëzore të emigrantëve.

Por përtej kësaj, edhe kur është fjala për para, italianët nuk janë si ne shqiptarët që nuk na bën përshtypje hajdutëria, por mjafton që kryehajduti të ketë sukses në konferenca propagandistike dhe forcim të marrëdhënieve private me liderë ndërkombëtarë për çimentim të kontureve të pushtetit të përjetshëm.

Plani rezervë i Italisë për zhvendosje të problemeve të veta dhe ruajtje të çdo centi, ndoshta rastësisht, mund të shndërrohet edhe në filial fati për Shqipërinë.

Senatori italian, ish-kryeministri Matteo Renzi, e hodhi “grepin” në 1 miliard euro me idenë se, në rastin konkret ku funksionimi i kampit dështoi, ambienti do të ishte mirë të kthehet në burg për shqiptarët që cilët vuajnë dënimin në Itali.

Edhe italiani kundërshtar politik i Melonit, më shumë se të hakërrehet kundër kryeministres së vet, shpalosi për të mirat që përfitojnë shqiptarët e dënuar, që u mundësohet të vuajnë dënimin afër familjeve të veta.

Mbi Hënën e Renzit, sipër reve ku Edi Rama shëtit me pasaportën shqiptare në xhep, që e paraqet si evropiane për të mashtruar shqiptarët ta votojnë në mandatin e katërt, ne shohim një rreze Dielli që nuk i merr leje askujt të lëshohet këtej.

Burgu italian në Shqipëri, pasi atë tokë e ka falur Babloku me mendjen e firmën vet, pa pritur e pandehur, mund të jetë edhe standard për të trokitur në dyert e Bashkimit Evropian, hap më hap me hapjen e dosjes Rama-McGonigal me Urdhër Ekzekutiv të Presidentit Donald Trump.

Rruga që evropianët të na pranojnë si qytetarë të lirë, në këtë rast, është shumë më e gjatë se të na pranojnë si qytetarë të burgosur, jo për tjetër, por se, problemet këtu jetojnë në vendin e origjinës, dhe orgjitë diplomatike e duan një strehë.

Nën strehën italiane, është edhe rajoni i Siçilisë, e pastaj, ç’kemi ne mangut të shpresojmë se rruga drejt BE-së mund të çelet vetëm përmes qelive të burgut, dhuratë nga Rama dhe Meloni?!

Melodia mund të kërkojë edhe ca tinguj të tjerë, por ne kur dridhemi nga uria për liri, e kalojmë edhe burgun e Gjadrit për burgosjen e të Gjatit.

Rrugët e gjata na kanë lënë 34 vjet mes 4 rrugëve.

Aty tek burgosja e Edi Ramës mbarojnë pastaj dilemat se nga kalon më shpejt rruga drejt BE-së, përmes integrimit, apo përmes burgut?! /Pamfleti

Lini një Përgjigje