TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Mars 2025, 18:42

Të vërtetën nuk e fsheh dot o Hajdar!

Shkruar nga Arben Llangozi
Të vërtetën nuk e fsheh dot o Hajdar!
Kreshnik Hajdari

Kjo është një përpjekje për të heshtur çdo zë kritik në këtë qytet dhe për të vendosur një kulturë frike ku askush nuk guxon të flasë.

Të dashur qytetarë të Kuçovës, miq dhe bashkëkombës anembanë Shqipërisë.

Sot, po përballemi me një realitet të hidhur: kur denoncon të vërtetën dhe kërkon drejtësi, pushteti të kundërvihet me kërcënime dhe presion.

Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, ka ndërmarrë një padi ndaj meje, avokat Arben Llangozi, dhe qytetarit të ndershëm Arben Polisi, për shkak se kemi guxuar të denoncojmë një skandal tronditës: hapjen e varreve masive në varrezat e qytetit tonë.

Ky veprim nuk është asgjë tjetër veçse një tentativë e hapur për të frikësuar dhe heshtur zërat që kërkojnë transparencë.

Në vend që të japë shpjegime dhe të mbajë përgjegjësi për atë që po ndodh në Kuçovë, Kryetari i Bashkisë ka zgjedhur rrugën e gjyqeve dhe përndjekjes ligjore kundër atyre që nuk pranojnë të mbyllin sytë.

Kjo është një përpjekje e pastër për të instaluar frikën, për të deformuar realitetin dhe për të ndaluar çdo kritikë ndaj tij dhe administratës që drejton.

Ne pyesim: Pse një kryetar bashkie ndjen nevojën të hedhë në gjyq qytetarët e tij vetëm pse ata kërkojnë të vërtetën? Pse zgjedh rrugën e heshtjes dhe fshehjes, në vend që të dalë publikisht dhe të japë llogari për veprimet e tij?

Ky nuk është një sulm thjesht ndaj meje dhe ndaj Arben Polisit. Kjo është një përpjekje për të heshtur çdo zë kritik në këtë qytet dhe për të vendosur një kulturë frike ku askush nuk guxon të flasë.

Por le të jetë e qartë për të gjithë: NE NUK DO TË HESHTIM!

Si avokat, si qytetar i këtij vendi dhe si një njeri që beson në drejtësi, nuk do të tërhiqem përballë këtyre përpjekjeve për të më frikësuar. Do të vazhdoj të mbroj të drejtat e qytetarëve dhe të denoncoj çdo abuzim të pushtetit.

Kërkojmë transparencë, kërkojmë llogaridhënie dhe mbi të gjitha, kërkojmë drejtësi!

Ne jetojmë në një shtet që duhet të jetë demokratik, ku e drejta e fjalës dhe e vërteta nuk mund të ndëshkohen.

Përpjekjet për të na mbyllur gojën dhe për të heshtur nuk do të kenë sukses. Sa më shumë të na kërcënojnë, aq më të fortë do të bëhemi!

E vërteta do të mbizotërojë!

Lini një Përgjigje

Forum