TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Mars 2025, 17:37

Si mund të shmanget divorci Evropë-SHBA

Shkruar nga Henry Olsen
Si mund të shmanget divorci Evropë-SHBA
Europe's Churchill and America's Roosevelt /

Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Evropa do të ishin një çift i martuar, me siguri do të thoshit se ata po shkojnë drejt divorcit. Por siç çdo çift, dy partnerë që kanë jetuar bashkë për një kohë të gjatë, mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre dhe të ripërtërijnë zotimet ndaj njëri-tjetrit.

Kjo do të kërkonte një diskutim të sinqertë, bazuar në arsyet se përse u “martuan” dikur, dhe pse u ftohën me kalimin e viteve. Ky proces, do të kërkojë një analizë të dhimbshme, që nuk është aspak e sigurt se e justifikon vazhdimin e marrëdhënies. Partneriteti transatlantik SHBA-Evropë daton që nga fundit i Luftës së Dytë Botërore.

Në aspektin gjeopolitik, kjo është një përjetësi. Shumica e aleancave zgjasin disa vjet, ose e shumta disa dekada. Por kjo kohëzgjatje kaq e madhe, nuk ishte një aksident. Partneriteti konsiderohet sot si një i bazuar tek vlerat e përbashkëta liberal demokratike.

Megjithatë fakt është se “martesa”, filloi kur shumë nga anëtarët themelues ose nuk ishin demokraci liberale (Turqia, Portugalia) ose kishin rivendosur vetëm kohët e fundit regjime demokratike pas periudhave të gjata të sundimit autoritar (Gjermania Perëndimore, Italia, Greqia).

Shumica e pjesëmarrësve të tjerë aktivë në këtë marrëdhënie, ishin pushtuar nga Gjermania naziste dhe po rivendosnin gjithashtu demokracitë. Pra raporti ishte ngritur bazuar kryesisht në interesin e përbashkët, si dhe aspiratat për të pasur vlera të përbashkëta. Ky interes ishte kundërshtimi ndaj Bashkimit Sovjetik.

Shteti totalitar komunist, e kishte shtrirë pushtetin e tij në Evropën Lindore dhe Qendrore, duke përmbysur disa qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike. Si SHBA, ashtu edhe shtetet e tjera evropiane, s’donin që sovjetikët të sundonin kontinentin dhe as botën e industrializuar.

Ky bashkim interesash dhe vlerash e çimentoi marrëdhënien gjatë dekadave që pasuan. Jeta nën tutelën anglo-amerikane - dhe pas Krizës së Suezit, thjesht amerikane - i dha Evropës Perëndimore hapësirën e nevojshme për t’u rindërtuar ekonomikisht dhe ndërtuar shoqëri demokratike të qëndrueshme.

Evropa nuk kishte zgjidhje tjetër të arsyeshme. Ajo ishte shkatërruar në Luftën e Dytë Botërore, duke eliminuar aftësinë e saj për t’i rezistuar e vetme ekspansionit sovjetik. Perandoritë koloniale si Franca dhe Holanda, ishin të paafta për të rivendosur epërsinë e tyre të mëparshme globale.

Evropa duhej të zgjidhte me cilën fuqi fitimtare të angazhohej: sovjetikët komunistë apo amerikanët. Ata zgjodhën me mençuri, por gjithsesi ishte një martesë e bazuar sa tek interesit aq edhe dashuria. Shtetet e Bashkuara lindën si një refuzim i ndërgjegjshëm i “Botës së Vjetër”.

Presidenti i parë i Amerikës, George Washington, refuzoi përfshirjen në konfliktet e Evropës. Ai tha se SHBA duhet të përqendrohet në sigurimin e pavarësisë së saj, të mbrojtur nga Oqeani Atlantik. Pasardhësit e tij e ndoqën atë këshillë derisa Woodrow Wilson e futi Amerikën në Luftën e Parë Botërore në anën e aleatëve.

Por SHBA-ja u tërhoq në zakonet e vjetra pas nënshkrimit të Traktatit të Versajës. Ajo e pa Atlantikun si një hendek gjigant që nuk mund ta kalonte asnjë fuqi evropiane. Prandaj u ç’armatos dhe madje të bëhej pjesë e Lidhjes së Kombeve.

Qasja ndryshoi vetëm kur sjellja e sovjetikëve pas vitit 1945, e bënë SHBA-në të kuptonte se dy oqeanet që dikur e kishin mbrojtur, nuk ishin më të pathyeshëm. Pra izolacionizmi i vjetër nuk siguronte më pavarësinë. Qasja e re zgjati deri në fundin e Luftës së Ftohtë.

Rënia e Bashkimit Sovjetik u interpretua në Amerikë si një pohim i epërsisë së lidershipit amerikan dhe shoqërisë liberale, kapitaliste, demokratike që ajo mbrojti. Ajo e pa si një mundësi të artë për të përmbushur atë që kishte qenë fati i saj që nga themelimi: përhapjen e idealeve të saj në mbarë botën.

Amerika e kishte kuptuar gjithmonë veten, si shprehjen konkrete të të drejtave universale të njeriut. Si e tillë, ajo gjithmonë mendonte se të gjitha kombet e tjera, mund të organizoheshin në diçka të ngjashme. Por fillimi i këtij shekulli i dha fund iluzionit. Sulmet e egra terroriste të 11 shtatorit 2001 e zemëruan Amerikën.

Ajo  pa një armik të ri global që duhen luftuar: terrorizmin islamik. Por evropianët nuk e panë të njëjtin kërcënim global, edhe pse shumica e aleatëve të NATO-s dërguan trupa për ta ndihmuar Amerikën të pushtonte Afganistanin. Megjithatë, ideja e kryerjes së një kryqëzate të re kundër terrorit global islamik nuk u pëlqeu shumë vendeve evropiane.

Ata nuk e ndihmuan Amerikën në pushtimin e Irakut, dhe as nuk dërguan shumë trupa për të luftuar entitetet më të vogla terroriste islamike që u shfaqën në Afrikën veriore dhe Lindjen e Mesme. Edhe ringjallja e Rusisë nën presidentin Vladimir Putin, veçanërisht pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2014, u pa ndryshe nga SHBA dhe evropianët.

Amerikanët ishin më pak të kërcënuar nga Rusia, dhe u përpoqën ta nxisnin Evropën të bënte atë që kishte funksionuar kundër sovjetikëve: të riarmatoseshin dhe të shkëputeshin ekonomikisht nga Kina. Por evropianët u tallën sepse besonin se e kuptonin më mirë homologun e tyre evropian Putin se sa amerikanët luftarakë.

Kështu, të dy partnerët nisë distancimin. Tani po e shohim se sa keq e ka kuptuar secili tjetrin. Në këto rrethana, divorci duket opsioni më i lehtë. Amerika do që t’i përqendrojë përpjekjet e saj në Paqësor dekadat e ardhshme, sepse ai është i vetmi që e kërcënon sigurinë e saj. Ndërkohë Evropa nuk dëshiron të përfshihet në një luftë globale kundër të gjitha autokracive dhe as të shkëpusë marrëdhëniet e ngushta ekonomike me Kinën.

Pra nuk duket se nuk ekziston më “ngjitësi’ i interesit të ndërsjellë. Dhe pa këtë ngjitës, reklamimi i vlerave të përbashkëta, nuk është në gjendje të bindë asnjërën palë që të bëjë sakrificat e nevojshme për të ruajtur martesën.

Një shqyrtim i kujdesshëm, tregon se ka interesa thelbësore të mbivendosura, nëse liderët e dy blloqeve mund t’i njohin dhe veprojnë në kohë. Amerika duhet të pranojë se nuk mund të lejojë që fuqia ekonomike e Evropës të vihet nën ndikimin e Rusisë apo Kinës.

Ekonomitë e BE-së dhe Britanisë, mund të jenë të dobëta në krahasim me atë të SHBA-së, por ato prodhojnë ende afro 20 për qind të PBB-së globale. Sot globalizimi e ka reduktuar avantazhin e Perëndimit. Vetëm Kina prodhon rreth 17 për qind të PBB-së globale. Vendet e tjera themeluese të BRICS (Brazili, Rusia, India dhe Afrika e Jugut) prodhojnë 8 për qind shtesë.

Nëse Evropa do të bëhej kundërshtare e SHBA-së, struktura globale e dominuar nga SHBA, nuk do të komandonte më pjesën më të madhe të fuqisë ekonomike të globit. Kjo do të prodhonte një ndryshim të madh në fuqinë e SHBA-së në përgjithësi, ndoshta duke çuar edhe në një rënie të madhe të përdorimit të dollarit si monedhë rezervë botërore.

Edhe Evropa ka interes ta mbajë SHBA-në në anën e saj. Ajo do të ishte edhe më e izoluar ekonomikisht. Ndaj kërcënimi i tarifave amerikane është kaq shumë alarmant. Ndërkohë, të dyja kanë vlera të përbashkëta, edhe pse kanë edhe dallime të rëndësishme.

Të dyja mbrojnë me forcë të drejtat personale dhe politike, inkurajojnë diversitetin në stilet e jetesës dhe përdorin fletëvotimet në vend të plumbave për të zgjedhur se kush qeveris. Partnerët në një marrëdhënie të keqe, e kanë të vështirë të anashkalojnë dhimbjen që të dy i kanë shkaktuar njëri-tjetrit, dhe të bëjnë punën e vështirë të rindërtimin të një marrëdhënieje mbi themelet e reja që ekzistojnë.

Amerika dhe Evropa mund ta shohin këtë mision si shumë të vështirë, dhe të zgjedhin të ndahen keq. Nëse e bëjnë këtë, mund të pendohen pas disa vitesh. Bari nuk është gjithmonë më i gjelbër në anën tjetër të gardhit. Dhe jeta reale nuk është si një komedi romantike e Hollivudit.

Sapo partnerët divorcohen, ata ka të ngjarë të qëndrojnë të tillë dhe të pendohen për pasojat, derisa bëhet e dukshme marrëzia e aktit të tyre./Pamfleti nga “Brussels Signal”

divorci evropa amerika

Lini një Përgjigje

Forum