TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Mars 2025, 13:44

“Ariu” rus nuk zbutet duke e ushqyer

Shkruar nga Bill Emmott

“Ariu” rus nuk zbutet duke e ushqyer

Përpjekja e Trump për joshjen e Putinit dhe bisedat midis evropianëve për rifillimin e blerjes së gazit rus, vetëm sado ta bindin Putinin se kundërshtarët e tij perëndimorë janë të dobët dhe të degjeneruar, siç e ka thënë gjithmonë.

Nuk ka asnjë dyshim se në vitin 2014 ,Vladimir Putin u ndje i fyer kur presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, e përshkroi Rusinë thjesht si “një fuqi rajonale që po kërcënon disa nga fqinjët e saj të afërt, jo nga pozitat e forcës por të dobësisë”.

Megjithatë, 11 vjet më vonë, dhe 3 vjet pas përpjekjes së Putinit për pushtimin e plotë të Ukrainës, komenti i Obamës mbetet i vërtetë. Problemi është se si Putin ashtu edhe presidenti amerikan Donald Trump, po veprojnë sikur Rusia të ishte e fortë dhe jo e dobët.

Faktet e luftës thonë të kundërtën. Që nga shkurti i vitit 2022, ushtria ruse ka pësuar 900.000 viktima. Nga këta, 200.000-250.000 ushtarë janë vrarë, dhe pjesa tjetër janë plagosur rëndë, sipas shifrave të reja të publikuara nga Ministria britanike e Mbrojtjes.

Rusia po e harxhon 40 për qind të buxhetit të saj federal për ushtrinë, duke arritur në 8 për qind  të PBB-së së vendit. Por me gjithë këto humbje në njerëz dhe para, Rusinë kontrollon vetëm 20 për qind të territorit të Ukrainës, dhe s’ka bërë pothuajse asnjë përparim brenda Ukrainës në 3 muajt e fundit.

Suksesi i vetëm i Rusisë së fundmi, ka qenë fillimi i tërheqjes së forcave ukrainase nga rajoni rus kufitar Kursk, të cilin Ukraina e pushtoi pjesërisht gushtin e vitit të kaluar. Dhe kjo ndodhi kur Trump e ndërpreu përkohësisht mbështetjen e Ukrainës me të dhënat të shërbimeve të inteligjencës.

Forcat ukrainase nuk janë dëbuar ende plotësisht nga Kursku. Ekonomia ruse ia ka dalë të përballojë luftën e gjatë të Putin, por kjo s’do të thotë se vendi është i fortë. Shitjet e naftës, gazit dhe mallrave të tjera në Kinë, Indi dhe klientë të tjerë e kanë mbajtur ekonominë në këmbë, por bankat ruse janë detyruar të japin kredi të subvencionuara për mbrojtjen, ndërtimin dhe bujqësinë.

Por kjo qasje vetëm sa i ka shumëfishuar problemet. Për të kontrolluar inflacionin, Banka Qendrore i ka rritur normat e interesit në 21 për qind, duke treguar se pa kreditë ekonomia do të ndalej dhe shumë huamarrës do të falimentojnë. E vërteta e luftës, është se ka qenë akti i një udhëheqësi autoritar që përdor të vetmet armë që ka: fuqinë ushtarake dhe retorikën nacionaliste. Por tani, e vërteta është se pavarësisht dështimit të tij, Putin mund të mos dëshirojë t’i japë fund luftës. Sepse nëse shpenzimet e luftës do të ndërpriten apo ngadalësohen, atëherë ekonomia e Rusisë do të përballej me shumë telashe. Obama kishte të drejtë në gjykimin e tij 11 vjet më parë, por gaboi në përgjigjen e tij.

Nëse ai dhe aleatët e tij evropianë, do të ishin kundërpërgjigjur me vendosmëri dhe forcë ndaj agresionit të Putinit, Rusia mund të ishte zmbrapsur. Por ata zgjodhën vendosjen e sanksioneve ekonomike të buta e të pakuptimta, vazhduan ta blinin gazin rus dhe të investonin në tubacionet të reja, gjë që e inkurajoi Putinin të vazhdonte kursin e tij të frikësimit dhe përfundimisht pushtimin e tij kataklizmik.

Ky ekuilibër i çuditshëm midis forcës personale të Putinit dhe dobësisë kombëtare të Rusisë, është ajo që duhet të kenë parasysh si Trump edhe udhëheqësit evropianë. Deri tani, Trump duket se ka përsëritur gabimet e Obamas dhe kancelares gjermane Angela Merkel në vitin 2014.

Në negociatat e tij personale me Putinin më 18 mars, dhe në bisedimet e ekipit të tij të politikës së jashtme me zyrtarët rusë në Arabinë Saudite dhe Moskë, ai është përpjekur të inkurajojë Putinin të pranojë një armëpushim në vend se ta detyrojë që ta bëjë këtë.

Kjo është ajo që nënkuptojnë të gjitha deklaratat e Trump mbi “marrëveshjet e mëdha ekonomike”. Ai sugjeron, ndoshta i inkurajuar nga vetë Putin, se nëse mund të arrihet paqja, kjo do të sillte të gjitha llojet e përfitimeve ekonomike si për Amerikën ashtu edhe për Rusinë.

Fjala është sërish për tubacionet e gazit “Nordstream” nën Detin Baltik. Pra iluzioni se “ariu rus” mund të zbutet, vetëm nëse i ofrohet shumë “ushqim” për të ngrënë. Por as Putini dhe as ish-oficerët e tjerë të KGB-së rreth tij, nuk kanë nevojë për më këtë.

Ata janë tashmë shumë të pasur. Dhe për sa kohë që pushteti i Putin mbetet i fortë, kanë pak arsye për t’u shqetësuar për ekonominë ruse. Interesi i tyre kryesor, ka të bëjë me vazhdimin e luftës, sepse drejt saj janë orientuar tani ekonomia dhe punësimi. Por Putin nuk do të joshet për të bërë paqe me Ukrainën.

Ai s’ka nevojë t’i nënshtrohet joshjes së “marrëveshjeve”, dhe as të interesohet për bisedat që mund të dëgjohen tashmë midis bizneseve gjermane, italiane dhe të tjera evropiane për rifillimin e blerjeve të gazit rus pasi të arrihet paqja. Përpjekja e Trump për joshjen e Trumpit dhe bisedat midis evropianëve për rifillimin e blerjes së gazit rus, vetëm sado ta bindin Putinin se kundërshtarët e tij perëndimorë janë të dobët dhe të degjeneruar, siç e ka thënë gjithmonë. Fatkeqësisht, një paqe e qëndrueshme ka të ngjarë të arrihet vetëm me presion dhe jo joshje. Ne po presim që të shohim nëse Trump dhe këshilltarët e tij e kuptojnë këtë, dhe nëse janë të gatshëm të ushtrojnë një presion të vërtetë mbi Putinin, duke e rifilluar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe vendosur sanksionet e mëdha me të cilat ka kërcënuar Trump.

Por deri tani s’ka asnjë shenjë të tillë. Ndërkohë, kjo sjellje konfirmon frymën e përgjithshme të epokës sonë: se përgjegjësia e vërtetë bie mbi Evropën. Për të ushtruar presion mbi një Putin të fortë dhe një Rusi të dobët, ne duhet ta përshtatim idiomën e vjetër dhe t'i vendosim paratë dhe ushtrinë tonë aty ku është goja jonë.

Britania, Franca, Polonia dhe të tjerët, po bëjnë me të drejtë plane për një periudhë afatgjatë, që të jenë në gjendje ta mbrojnë Evropën edhe pa ndihmën e SHBA-së dekadat e ardhshme. Edhe Komisioni Evropian po bën plane afatgjata, për t’i dhënë mundësi vendeve anëtare të marrin më shumë hua për investimet në mbrojtje.

Por rezistenca e Putinit ndaj joshjes, tregon se sfidat e më të mëdha janë afatshkurtra: forcimi i rezistencës së Ukrainës sot, dhe vërtetimi i aftësisë së Evropës për të siguruar forca për një garanci sigurie nesër. Kur Friedrich Merz të marrë detyrën e kancelarit, një kontribut i parë i madh do të ishte që ai të autorizojë transferimin në Ukrainë të raketave gjermane me rreze të gjatë veprimi “Taurus”, gjë që paraardhësi i tij e refuzoi.

Më pas, triumvirati i Gjermanisë, Francës dhe Britanisë duhet të zbulojë plane reale dhe të besueshme për të dërguar trupa dhe forca ajrore në Ukrainë, duke treguar se ato mund të jenë atje sapo të arrihet armëpushimi. Vetëm përmes shfaqjeve të tilla të forcës do të zbutet vërtet “ariu rus”./Pamfleti nga “Asia Times”

ariu rus

Lini një Përgjigje