TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Mars 2025, 15:46

Ekipi më i dobët në 34 vjet

Shkruar nga Artur Ajazi

Ekipi më i dobët në 34 vjet

Të mburresh me LaCivita-n dhe ta paguash atë “sa frëngu pulën” për një fushatë thjesht fasadë, pasi humbjen e ke të sigurt, kjo është poshtëruese për ata që deri dje, të rrinin poshtë ballkonit dhe shpresonin tek ti.

Partia Demokratike ka nxjerrë për fushatën e zgjedhjeve të 11 Majit, ekipin më të dobët në 34 vjet. Askush nuk e besonte se, pas humbjeve katastrofike pas 2013, Berisha nuk do të kishte mundësinë të  nxirrte të paktën një listë me emra dhe figura të pranueshme nga baza e asaj partie. Ajo që pritej ndoshta po ndodh tani në degët e rretheve të PD-së. Qejfmbetje, mërzitje, akuza, shpërfillje, largime, dhe gjithçka tjetër mund të dëgjosh në degët e PD-së dhe bazën e saj. Primaret e Berishës, të propaganduara me aq bujë, rezultuan “mashtrim” dhe kur pale, në prag të fushatës më vendimtare të asaj partie.

Të fushatës nga ku varet fati i PD-së dhe Sali Berishës. Listat e primareve u hodhën në koshin e plehrave, kurse lista emërore me kandidatët e rinj të asaj partie, u hartua nga vetë Sali Berisha dhe rrethi i ngushtë i tij. Pa marrë fare parasysh kontributet dhe pikët e arritura nga konkurruesit në primare, Berisha fshiu nga memoria emra të spikatur të asaj force politike. Transferimi i “komisarëve politikë” nga njëri qytet tek tjetri pa asnjë argument bindës, si dhe futja në listat e sigurta të emrave aspak bindës dhe të akuzuar nga baza e partisë, tregoi qartazi, se Berisha luan me fatet e asaj partie për interesat e veta personale.

Të konkurrosh në 11 Maj, me listë të mbushur me emra që nuk gëzojnë respektin e anëtarësisë dhe të shpallësh “programin e fitores”, kur në fakt nuk ke program, alternativë dhe ekip bindës, është më tepër se tallje me fatin e mbështetësve të tu. Të mburresh me LaCivita-n dhe ta paguash atë “sa frëngu pulën” për një fushatë thjesht fasadë, pasi humbjen e ke të sigurt, kjo është poshtëruese për ata që deri dje, të rrinin poshtë ballkonit dhe shpresonin tek ti. Por Berisha nuk e ka problem. Ai e “nuhat” humbjen dhe kësaj here po bën të gjitha përpjekjet, që fushata dhe propaganda e tij, për “arritjen e fitores” të duken sa më bindëse.

Largimi demonstrativ i Dash Sulës (gjë të cilën Berisha nuk e priste) e ka nxirë keq imazhin e ish-liderit historik të PD. Ka rënë përfundimisht mendimi dhe bindja absolute e shumicës së anëtarësisë se “Doktori është i drejtë dhe i ndershëm me njerëzit që i shërbejnë politikisht”. Jo, Doktori ecën vetëm në “rrugicën” që të shpie në interesat e tij dhe të atyre që i përdor gjithmonë kur ndjen rrezik. Ndoshta tek Dashi, ai nuk shihte “njeriun e duhur” dhe e flaku. Ajo që ngjau me Dash Sulën, po ngjet edhe me emra të tjerë në Tiranë dhe disa degë, ndaj situata e brendshme në PD, sa vjen dhe bëhet më dramatike.

Në këto kushte, edhe sikur të dojë Berisha, tani nuk ndryshon më asgjë. Largimi pa kthim i Dash Sulës, po pasohet nga të tjerë emra në Tiranë dhe rrethe, duke zhvleftësuar totalisht listën emërore të Berishës, e cila pa asnjë mëdyshje, mbetet  shkaku kryesor i një humbje të thellë në 11 Maj. Ajo që pritet pas 11 Majit, është furia e sulmeve të Berishës ndaj “bukëshkelësve” që u larguan duke “i shërbyer Ramës”…  Një teori dhe skenar i vjetër, sa vetë karriera e Doktorit në politikë, që nuk “pi më ujë” në 2025.

Lini një Përgjigje