TAGS-AT E JAVËS

Forum 2 Dhjetor 2025, 12:13

Rreth 800 mijë të zhgënjyer nga partitë e mëdha dhe të vogla…

Shkruar nga Eduard Zaloshnja

Rreth 800 mijë të zhgënjyer nga partitë e mëdha dhe

Me pak fjalë, rreth 800 mijë zgjedhës të këtushëm ndjehen të zhgënjyer si nga partitë e medha, edhe nga ato të vogla.

Më 11 maj, votuan 1.46 milionë zgjedhës brenda vendit, nga 1.9 milionë që ishin këtu. Pra mund të thuhet se 440 mijë zgjedhës të këtushëm ishin të zhgënjyer nga dy partitë e mëdha, ndërkohë që nuk patën shpresë te partitë e vogla. E si rrjedhojë, nuk votuan fare…

Vijmë në ditën e sotme.

Nga sondazhi fundit që zhvillova për emisionin ‘Zëri i Shqiptarëve’ në ABC NEWS, rezultoi se 46% e banorëve të rritur janë të zhgënjyer nga dy partitë e mëdha, që me një ekstrapolim të përafërt statistikor përkthehet në rreth 875 mijë zgjedhës të këtushëm. Nga këta, vetëm 75 mijë janë gati të votojnë sot një nga partitë e vogla ekzistuese (që morën 200 mijë vota më 11 maj).

Me pak fjalë, rreth 800 mijë zgjedhës të këtushëm ndjehen të zhgënjyer si nga partitë e medha, edhe nga ato të vogla. Dhe ky rezervuar gjigant votash mund të aktivizohet vetëm në qoftë se zhvillohet një nga dy skenaret e mëposhtme.

Skenari 1: Berisha jep dorëheqjen e plotë nga politika dhe në krye të saj del një lider i ri, përmes një procesi real demokratik dhe transparent, e jo si ai që u zhvillua më 2013, kur u zgjodh Lulzim Basha kryetar i PD-së. Por gjasat janë të vogla që partia më e madhe opozitare të shpëtojë nga kthetrat politike 35-vjeçare të Berishës 81 vjeçar…

Skenari 2: Një grup intelektualësh idealistë krijon një parti të re shumë më të besueshme se partitë e vogla ekzistuese. Në qoftë se ajo krijohet së afërmi, do të ketë kohë deri më 2029 të bindë shumicën dërrmuese të 800 mijë të zhgënjyerve nga partitë aktuale.

Po që ta arrijë këtë objektiv, ky grup intelektualësh idealistë duhet të ketë magnetizëm natyral për t’i tërhequr të zhgënjyerit, duhet të ketë integritet moral, si dhe aftësi të forta organizuese në terren. Qoftë edhe njëri nga këta element t’i mungojë, një parti e re do të përfundonte si këto partitë që ishin të reja para zgjedhjeve, dhe tani kanë përfunduar të vjetra…

2 Komente

  1. A
    Ardit Senja

    Ne fakt prej 2021 ne peisazhin politik shqiptar po operon LRE Rinisja me Liderin karizmatik Arian Galdini dhe kryetare te sapo zgjedhur Kristina Nano . Fakti qe ky portal nuk e permend tregon se nje omerta mafioze eshte perballe ndryshimit real te politikes ne vendin tone . Cfare kemi pare parti te reja qe jane krijuar dhe do te krijohen jane per te sfumuar te rene reale LRE Rinisja .Keto jane manovrat e regjimit rama-berisha per te zgjatur jeten ketij regjimi mafioz dhe me shume se plackites.

    1. T
      Tung

      Skenari 3 Del nje grup i ri , intelektualesh , formojne nje parti te re , dalin me nje FRYME te re dhe marrin ne votime TRAPIN. Jo ne 2029 por as ne 2099 nuk e nuk e mundin dot PPSH -ne. Nuk pjerdh shqiptari as per ide as per fryme por per INTERESIN e momentit. Dhe interesin momental jua kenaq vetem Partia ne pushtet. Te tjeret NUK i kane as parate , as mundesite per te BLERE apo Shantazhuar Vota.

      Lini një Përgjigje