TAGS-AT E JAVËS

Forum 2 Shtator 2025, 15:43

Revoltat dhe protestat nuk e sjellin dot PD-në në pushtet, por vetëm largimi i “non gratës” Sali!

Shkruar nga Spartak Ngjela
Revoltat dhe protestat nuk e sjellin dot PD-në në pushtet, por
Spartak Ngjela

Gjithsesi na duhet të theksojmë se ne si shoqëri gjithmonë do ta kemi rrezikun që një skizofren me partinë e tij mund të fitojë zgjedhjet në Shqipëri.

Ende në Shqipëri nuk është e qartë se çfarë është demokracia dhe një shtet ligjor demokratik.

Në një shoqëri të zhvilluar evropiane: demokracia është ligj.

Pushteti politik, në një demokraci, duhet të jetë ligjor.

Maxhoranca ka fituar zgjedhjet në Shqipëri dhe është në pushtet; kurse garancia e demokracisë duhet të jetë opozita parlamentare.

Kushtetuta është garancia absolute e demokracisë në një shtet demokratik.

Korrupsioni i një qeverie në një shtet demokratik; është akti më antikushtetues dhe më antipopullor.

Por - pa zgjedhje të lira e të drejta; nuk mund të ketë një shtet demokratik.

Dhe: demokraci do të thotë opozitë; prandaj, kur ka vdekur opozita, ka marrë fund edhe demokracia e një shteti.

I.

Sot dëgjova se opozita ka shprehur pikëpamjen e saj që Rama rrëzohet me protesta.

Si do rrëzohet me protesta dhe pse; kur ai ka ardhur në pushtet me vota?

Domethënë paska mendime që Shqipëria të drejtohet me frymë revolucionare... hahahahaha.

Midis shtetit demokratik dhe pasionit për pushtet që nuk fiton dot me vota, qëndron kryengritja ose grushti i shtetit.

Por ne shqiptarët kemi njëqind vjet që po kërkojmë votën e lirë.

Por, a e kemi ne sot votën e lirë në Shqipëri?

Në Shqipëri sot për pushtetin politik konkurrojnë dy parti: Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.

Votën e lirë sui generis ne ende nuk po e kemi; por dihet që Partia Socialiste është partia më e votuar në Shqipëri. Domethënë fituesi i sotëm kuptohet që është fituesi real.

Kurse Partia Demokratike po kuptohet rast pas rasti se ajo logjikisht është jashtë kohës dhe hapësirës.

Koha historike sot në Shqipëri është e demokracisë; por demokraci do të thotë që pushteti politik të fitohet me anë të votës së lirë. Dhe deri tani Partia Demokratike nuk ka vota për të dalë fituese në votime. Dhe kështu kuptohet se do të vijojë, nëse ajo parti nuk ka aftësi që të nxjerrë në drejtimin e saj një lidership i cili, jo vetëm që nuk duhet të jetë nongrata në Amerikë, siç është lidershipi i sotëm i saj; por ai lidership duhet të jetë me interesin kombëtar dhe larg Beogradit; Athinës dhe Moskës antishqiptare.

II.

Midis injorantit dhe të diturit qëndron shkenca, filozofia dhe profesioni.

Midis biznesit ligjor dhe dëshirës patologjike për para; qëndron hajduti dhe vjedhja; por:

midis abuzimit antiligjor dhe shtetit të së drejtës -  qëndron dënimi penal.

Kurse, na duhet të theksojmë se midis dashurisë dhe xhelozisë pa objekt, qëndron marrëzia e të dashuruarit me një grua apo një vajzë të bukur.

Por na duhet të theksojmë se, midis njërit dhe tjetrës, qëndron dashuria, dhe kjo është sigurisht kërkesë e qytetërimit perëndimor.

Por ama, midis njërit dhe asnjërit qëndron pafundësia. Dhe këtu në këtë pikë, në fakt, qëndron njeriu i vetmuar që kërkon domosdoshmërisht vetminë e tij: jo si filozof, por si një njeri i sëmurë mendor që ka frikë nga qytetërimi; domethënë nga të tjerët.

Kurse duke qëndruar te kjo pikë, na duhet të theksojmë se: midis dashurisë dhe xhelozisë; qëndron edhe krimi.

Sepse filozofia moderne na i ka thënë vazhdimisht që - xhelozia është hakmarrje.

Por në këtë pikë na duhet të themi se, nëse pushteti gjyqësor nuk është i drejtë dhe i fortë shpesh në historinë e demokracisë, opozicioni i një opozite është pushtuar kah hakmarrja kundër maxhiorancës që është në pushtet.

Dhe kjo lloj hakmarrjeje, si rregull, është edhe kriminale dhe prandaj përfundon shpesh në një terrorizëm politik.

Por na duhet të theksojmë se që të gjitha këto janë edhe aspekte të qytetërimit, dhe prandaj i gjen edhe në Shqipëri.

Por ajo që krijon rrezik të përhershëm është fakti historik se, të sëmurë të tillë mendorë, demokracia i ndihmon që të fitojnë votimet e të drejtojnë shtetin.

Por sëmundja që shprehëm më lart, nese ajo është prezente tek një kryeministër që me partinë e tij ka fituar votimet, ka ndodhur shpesh që, një kryeministër i tillë të jetë kthyer në diktator.

Dhe mos harroni që, nga ndodhi të tilla patologjike ka vuajtur edhe Shqipëria.

III.

Gjithsesi na duhet të theksojmë se ne si shoqëri gjithmonë do ta kemi rrezikun që një skizofren me partinë e tij mund të fitojë zgjedhjet në Shqipëri.

Prandaj duhet që edhe parlamenti, edhe shtypi i lirë, edhe ekspertiza mjekoligjore duhet ta ndihmojnë shoqërinë që të mos bjerë viktimë e një skizofreni, i cili, pasi ka ardhur në pushtet se partia e tij ka fituar zgjedhjet; ky të mos lejohet që të kthehet në një diktator.

Por, për të qenë të sigurt kundrejt çdo diktatori, duhet të jemi të qartë që gjithmonë na duhet të ndërtojmë një demokraci të shëndoshë dhe me personalitete që në koshiencën e tyre ta kenë të ndërtuar moralisht drejtësinë.

Dhe kjo do të thotë që vota e lirë; dhe kontrolli i rreptë i maxhorancës që ka fituar zgjedhjet, në lidhje me zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit; të jetë i garantuar nga një pushtet gjyqësor i drejtë dhe i pavarur; por edhe nga një Gjykatë Kushtetuese.

Por a e kemi ngritur ne ndërkohë këtë lloj sistemi juridik në Shqipëri?

Jo, deri tani ne ende nuk e kemi të ngritur dot plotësisht në Shqipëri sistemin e drejtësisë dhe të mbrojtjes së Kushtetutës me anë të Gjykatës Kushtetuese.

IV.

Por, pikërisht për këtë kemi edhe një interpretim tjetër demokratik:

Opozita shqiptare duhet që gjithmonë të mos bëje asnjë lëshim në kontrollin e maxhorancës: dhe ky kontroll funksionon vetëm nëse në Shqipëri ka një pushtet gjyqësor të drejtë dhe të pavarur; ka një opozitë të aftë për të kontrolluar maxhorancën në pushtet; dhe ka edhe një opinion publik të aftë për të siguruar me votë, në çdo çast historik, demokracinë kushtetuese që është vendosur sot në Shqipëri.

Por deri tani, në Shqipëri ende kjo tiradë e drejtësisë nuk ekziston në nivelin e lartë të drejtësisë evropiane. Por megjithatë na duhet të theksojmë se Shqipëria sot nuk është një diktaturë; por ajo ende nuk është një demokraci me zhvillim të plotë ligjor dhe parlamentar.

Spartak Ngjela

Tiranë më

2 shtator 2025

Lini një Përgjigje