TAGS-AT E JAVËS

Forum 9 Tetor 2024, 12:37

Rënia e Perandorisë Amerikane dhe rreziqet e një bote pa rregulla

Shkruar nga Alan Friedman

Në të gjithë këtë panoramë, po vihet në skenë spektakli i tmerrshëm i ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amnezisë, i prekur nga një dhunë politike e brendshme gjithnjë e më serioze, dhe nga rënia e kohezionit social në atë që deri ka qenë më sot demokracia më e rëndësishme në planet...

Rënia e Perandorisë Amerikane dhe rreziqet e një bote pa rregulla

Një botë pa rregulla. Si është e ndërtuar? Si duket ajo? Mund të përpiqemi ta imagjinojmë, duke marrë si pikënisje të tashmen. Në rrëmujën e Botës së Re, janë të “ndryshkura” rrotat e rendit liberal perëndimor të pasluftës. Makina ecën përpara duke kërkëllitur.

Dy janë fuqitë e mëdha që garojnë për fuqinë ekonomike dhe ushtarake:Kina në njërën anë, dhe Shtetet e Bashkuara nga ana tjetër. Jugu Global (vendet e Hemisferës Jugore) luajnë një lojë të tyren, duke ndryshuar qasje në varësi të momentit. Ato e dinë se si do që të vijnë punët, në Pekin do ta kenë gjithmonë një mik.

Ndërkohë, izolimi në të cilin kanë përfunduar Shtetet e Bashkuara, qoftë si zgjedhje vullnetare apo si pasojë e veprimeve të saj, vetëm sa thellohet. Evropa është e përçarë, nuk flet me një zë të përbashkët, dhe nuk ka asnjë peshë reale në çështjet botërore. Në fakt, Kontinenti i Vjetër përballet me një krizë të brendshme ekzistenciale.

Në gjithë këtë panoramë, presidenti rus Vladimir Putin vazhdon që të vërë në skenë fantazitë e tij cariste, dhe për të nuk ka aspak rëndësi nëse çmimi që duhet paguar është një masakër e tmerrshme në Evropë, Ukrainë apo gjetkë.

Lufta hibride që ai nisi kundër Perëndimit, prek tani 20 vende afrikane, përfshirë Libinë. Në mesin e aleatëve të tij janë Ajatollahët e Teheranit, milicët e Hamasit dhe Hezbollahut, rebelet Huthi, Bashar Al-Assad në Siri, madje edhe Koreja e Veriut. Por edhe Brazili, Afrika e Jugut dhe India.

Fondet me të cilat Rusia mbështet partitë ekstremiste të Bashkimit Evropian, vazhdojnë që të japin frytet e tyre. Amerika është vendosur në pozita mbrojtëse. Uashingtoni nuk është më në krye të botës, ai vetëm sa reagon ndaj ngjarjeve. Ndërkaq Kina po i zgjeron kufijtë e fuqisë së saj të butë, dhe nga ana tjetër tregon muskujt nga pikëpamja ushtarake.

Ajo dikton axhendën e zhvillimeve ndërkombëtare, ndjek objektivat e saj, dhe përpiqet të dëmtojë ndikimin amerikan kudo që sheh hapësirë veprimi. Niveli në rritje i bashkëpunimit midis Kinës dhe Rusisë, e reduktojnë Putinin në rangun e vasalit të Xi Jinping.

Megjithatë që të dy udhëheqësit janë në të njëjtin linjë për një gjë:vullnetin e tyre të hekurt për ta destabilizuar rendin aktual botëror të udhëhequr nga Amerika. Në maj të këtij viti, gjatë një vizite në Pekin, Putin iu bashkua presidentit kinez Xi Jinping, për të dënuar atë që ata e përkufizuan reciprokisht si “sjellje agresive” e Uashingtonit.

“Shtetet e Bashkuara mendojnë ende në termat e Luftës së Ftohtë, dhe udhëhiqen nga logjika e konfrontimit midis blloqeve, duke vendosur sigurinë e ‘grupeve të vogla’ mbi sigurinë dhe stabilitetin rajonal, gjë që përbën kërcënim për sigurinë e të gjitha vendeve në rajon”-thanë dy diktatorët në deklaratën e tyre të përbashkët.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Iranit, bazohen edhe tek supozimi i tyre i përbashkët se armiku është Uashingtoni. Por natyrisht edhe tek raketat dhe dronët që Teherani i dërgon Moskës, në mënyrë që kjo e fundit të mund ta vazhdojë luftën që ka nisur ndaj Ukrainës.

Putini ka nevojë të madhe për armatime, që të mbajë të vajisur si duhet makinerinë e tij të luftës, dhe kjo nevojë është gjithashtu edhe baza e miqësisë së tij me udhëheqësin diktatorial të Korenë e Veriut. Megjithatë, nga një këndvështrim më i gjerë, themelet e vërteta të këtyre marrëdhënieve janë dinamikat e grupit që lindin midis diktatorëve, të cilat janë të ngjashme në frymën e tyre.

Kina, Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani, ndajnë një përbuzje të madhe për rendin global aktual.

Në këtë botë të re të rënies së ndikimit të SHBA-së, ndryshimit të besnikërive dhe aleancave, si dhe të diplomacisë transaksionale, po shfaqen në skenë 6 fuqi të mesme.

Në kohën e zgjedhjeve, ne në SHBA flasim zakonisht për shtetet e lëkundura, pra për ato shtete në të cilat rezultati i zgjedhjeve është i pasigurt, dhe mund të përfundojë si në favor të republikanëve ashtu edhe demokratëve.

Mund të themi se këto 6 fuqi të mesme, Brazili, India, Indonezia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Turqia, janë shtetet e lëkundura të globit. Ato janë fuqi të mesme, të cilat së bashku kanë një peshë gjeopolitike të mjaftueshme për të ndikuar mbi trajektoren e ardhshme të rendit ndërkombëtar për të pasqyruar preferencat e tyre politike.

Kreu i CIA-s, William Burns, e pranoi hapur kohët e fundit, se po ndryshon arkitektura e fuqisë botërore. Në një artikull të botuar në revistën e njohur Foreign Affairs, ai e përmblodhi kështu rënien e ndikimit të SHBA-së në botë:”Në këtë botë të paqëndrueshme dhe të përçarë, të mbrosh veten pa marrë një pozicion të qartë, është bërë një zgjedhje gjithnjë e më e përhapur. Demokracitë dhe autokracitë, ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim, si dhe vendet në Jugun Global, po synojnë gjithnjë e më shumë që të diversifikojnë marrëdhëniet e tyre me vendet e tjera, për të maksimizuar opsionet në dispozicion të tyre. Qëndrimi i përkushtuar ndaj marrëdhënieve gjeopolitike monogame me Shtetet e Bashkuara ose Kinën, është një opsion që në sytë e tyre përmban shumë pak përfitime dhe shumë rreziqe”.

Në Kaosin e Botës së Re, Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë më kombi i domosdoshëm, partneri që e kërkojnë që të gjithë. Askush nuk dëshiron të dëgjojë më për veçantinë e Amerikës si shtet. Ne po jetojmë sot në kohëra të pabesa, ku gjeopolitika është bërë një hapësirë plot kurthe, dhe në një skenar të tillë ka të ngjarë të rritet prirja për konflikte.

Nëse rregullat perëndimore nuk kanë më asnjë rëndësi, atëherë ne do të kemi më pak mënyra për t’i ndalur luftërat përpara se ato të nisin. Sundimi i ligjit, do të jetë më pak i rëndësishëm se ligji i xhunglës. Demokracitë e Perëndimit do të jenë si një ishull i madh apo si një arkipelag.

Dhe ndoshta herët a vonë, do të arrijmë në pikën e kthesës, ku do të ketë më shumë demokraci jo liberale, diktatura dhe shtete mashtruese në botë sesa demokraci liberale. Është një epilog më se i mundshëm. Dhe ajo që po përshkruajmë, nuk është një e ardhme e largët. Ne kemi arritur tashmë në një fazë të historisë, në të cilën besueshmëria dhe ndikimi i Amerikës janë njollosur dukshëm. Është e  qartë që ne po përballemi me muzgun e Perandorisë Amerikane. Nuk është fundi i saj, por është e qartë se po kalojmë dekadat e fundit të ‘shekullit amerikan’ që nisi në vitin 1945. Dhe meqë demokracia liberale ka përjetuar një vdekje të çuditshme në shumë vende, rendi botëror perëndimor nuk do të zëvendësohet nga një alternativë e qartë.

Liberalizmi ka qenë nën rrethim për më shumë se 100 vjet. Anglia Liberale vdiq në vitin 1911, ndërsa liberalizmi amerikan filloi të shfaqte grahmat e tij të para që në vitet vitet 1990-2000. Xi Jinping nuk e ka gabim kur thotë se bota po përballet me ndryshime dhe riorganizime të mëdha, të përmasave të tilla që nuk janë parë për një shekull.

Është e qartë që ne po hyjmë në një periudhë tranzicioni të zgjatur, në një fazë gjeopolitike me gjeometri të ndryshueshme, dhe të bazuara në një sërë aleancash politike, ushtarake dhe ekonomike të natyrës transaksionale. Në një botë aktorësh të jashtëligjshëm, të cilët po e sfidojnë rendin liberal global.

Dhe shumë prej tyre po grupohen në aleanca anti- amerikane. Njëkohësisht, bota po kalon ende një fazë të padrejtësisë së madhe ekonomike dhe sociale, pabarazive të mëdha të të ardhurave, luftërave dhe terrorizmit. Por edhe të kaosit teknologjik dhe të sistemeve të bazuara tek Inteligjenca Artificiale, që po djegin shumë vende pune.

Në të gjithë këtë panoramë, po vihet në skenë spektakli i tmerrshëm i ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amnezisë, i prekur nga një dhunë politike e brendshme gjithnjë e më serioze, dhe nga rënia e kohezionit social në atë që deri ka qenë më sot demokracia më e rëndësishme në planet./Përshtati Pamfleti nga “Linkiesta”

rënia e perandorisë amerikane rreziqet e një bote pa rregulla

Lini një Përgjigje