TAGS-AT E JAVËS

Forum 8 Tetor 2024, 19:41

Është shumë vonë për t’i vënë flakën selisë së PS-së!

Shkruar nga Mentor Kikia

Është shumë vonë për t’i vënë

Sot është vonë të djegim seli partish. Ne demokraci populli i djeg me votë partitë jo me benzinë...

Hedhja e lëndëve djegëse në selinë e Partisë Socialiste ishte një “risi” në protestat e Partisë Demokratike. Kjo, sepse institucionet janë goditur apo sulmuar edhe më herët gjatë protestave, por selitë respektive të partive nuk janë prekur.

Selinë e PD-së e sulmuan vetë demokratët, ndërsa mbrëmë u godit selia e PS-së.

Selia e partisë në pushtet u sulmua me arsyetimin se ajo është çerdhja e të keqes. Një zyrtar i PD-së, në një prononcim mediatik, tha se “na akuzojnë për dhunë, pse i hodhëm molotov selisë së një partie që rrënjët i ka tek dhuna”.

Është e vërtetë, por është pak si shumë vonë….

Selia e PS-së, dhe vetë PS-ja do të duhej të ishin djegur në vitin 1991. Kur PPSH, partia që kishte ngritur dhe drejtuar mekanzimin gjakatar të diktaturës komuniste, duhej të ishte shpallur e jashtëligjshme. Ashtu siç u veprua në të gjitha ish-vendet komuniste, të cilët u ndanë qartë nga e shkuara, nisën një epokë të re dhe tashmë janë aty ku janë, duke mos u marrë me historinë e tyre.

Por çfarë ndodhi tek ne?

Ne nuk u ndamë nga komunizmi. Ne nuk e rrëzuam komunizmin. Diktatura këtu  u (vetë)transformua në mënyrë të kontrolluar në një biçim demokracie. Një pjesë komunistësh krijuan Partinë Demokratike, ndërsa të tjerët (më të shumtët) ia ndërruan emrin partisë së tyre nga PPSH në PSSH. Dhe nga ajo ditë nisi e vazhdon edhe sot, sërish lufta brenda llojit.

Sot është vonë të djegim seli partish. Ne demokraci populli i djeg me votë partitë jo me benzinë.

Pjesa tjetër është taksirati jonë, që do të vuajmë gabimet e të shkuarës.

Lini një Përgjigje