Vdekja e Alexei Navalny na tregoi se ne nuk jetojmë në një film hollivudian ku heroi e mposht perandorin e lig. Kjo luftë mund të zgjasë edhe për shumë vite, edhe pa mbështetjen masive të qytetarëve, nëse shumica e sheh Putinin si një fenomen natyror mbi të cilin nuk ka fuqi...
Fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, shkaktoi protesta duke filluar nga tubimet masive deri tek letrat e shumta dhe deklaratat kundër luftës nga figura të ndryshme publike. Megjithatë është fakt që vetëm një përqindje e vogël e rusëve kanë treguar rezistencë të hapur ndaj luftës.
Dhe arsyet për këtë shtrihen përtej frikës nga shtypja politike e regjimit. Ajo është gjithashtu produkt i një instinkti të rrënjosur thellë të vetë-ruajtjes psikologjike. Sipas OVD-Info, rreth 15.000 njerëz janë arrestuar në protestat e zhvilluara kundër luftës gjatë 2 viteve të fundit.
Është tejet e vështirë që ky numër të përdoret për të vlerësuar shkallën e plotë të opozitës kundër luftës. Për më tepër, sociologë si Lev Gudkov i Qendrës Levada që merret me sondazhe, pohojnë se 74 për qind e rusëve i mbështesin vendimet e Putinit në lidhje me luftën në Ukrainë.
Kjo shifër thuajse nuk ka ndryshuar gjatë 2 viteve, pra që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë i Ukrainës. Njëkohësisht, 57 për qind mbështesin ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve ushtarake dhe hyrjen në negociata me Kievin, por vetëm nëse Rusia mund të mbajë territoret ukrainase që ka pushtuar tashmë.
Shkenca politike bashkëkohore nuk ka një mendim unanim se në çfarë lloj regjimi politik mund të klasifikohet Rusia. Gjithsesi, shumë studiues bien dakord se ushtrimi i lirive politike, përfshirë lirinë e fjalës, është jashtë diskutimit. Për këtë arsye sociologë si Grigory Yudin e vënë në dyshim besueshmërinë e të dhënave të sondazheve.
Ata thonë se shumica e rusëve ose zgjedhin të mos përgjigjen ose përgjigjen në një mënyrë që të shmangin telashet, sepse ata besojnë se sondazhet kryhen nga qeveria. Yudin thekson gjithashtu se vetëm rreth 5 për qind e njerëzve u përgjigjen sondazheve. Prandaj shifrat që pretendojnë një mbështetje prej 74 për qind për vendimet e Putinit nuk mund të interpretohen në mënyrën e duhur.
Fatmirësisht, kemi më shumë se sa vetëm disa të dhëna sasiore. Laboratori i Sociologjisë Publike përdori disa grupe dhe kreu mbi 200 intervista në pranverën e vitit 2022, dhe 90 të tjera në vjeshtë për të kuptuar se cilët grupe qytetarësh e mbështesin luftën, cilët janë kundër saj dhe argumentet e përdorura nga secili grup.
Për pasojë, sociologët i ndanë të anketuarit në tre grupe: përkrahës të luftës, kundërshtarë të saj dhe të pavendosur. Bazuar në këto të dhëna, është e mundur të hartohen portrete emocionale-psikologjike të secilit grup, dhe të kuptohen argumentet dhe motivet e tyre.
Derisa u shpall mobilizimi, për përkrahësit e luftës nuk kishte luftë. Në këtë kuptim, termi “operacion special ushtarak” është shumë mashtrues. Sepse operacion ushtarak nuk është një luftë. Është diçka e largët, e veçantë, e cila nuk kërkon vëmendje të veçantë. Sipas kësaj narrative, Rusia nuk është agresore. Përkundrazi, ajo po mbrohet nga sulmet e “Perëndimit ogurzi”.
Ndërsa Ukraina po mbahet peng nga forcat e liga që po i rezistojnë heroizmit të Putinit.
Është interesant fakti që një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve, nuk e konsiderojnë Putinin përgjegjës për luftën në Ukrainë. Ai është perceptuar edhe si viktimë e rrethanave, i cili është futur me zor në këtë situatë.
E në të njëjtën kohë, shumica e këtyre individëve deklarojnë se janë kundër luftës. Por meqenëse duket si diçka e pashmangshme, ata mendojnë se duhet të jenë pro saj. Studimi tregon gjithashtu se mbështetësit e luftës e minimizojnë numrin e viktimave civile në Ukrainë.
Propaganda ruse bën paralele të drejtpërdrejta midis “luftës kundër nazizmit në Ukrainë “dhe Luftës së Madhe Patriotike, duke e cilësuar protestën kundër luftës si të pamundur pasi “nuk e nisëm ne këtë luftë”, ose kriminale pasi mbështet “një të keqe globale të nazizmit”.
Në vjeshtën e vitit 2022, Laboratori i Sociologjisë Publike kreu një studim të dytë për të kuptuar se si kishte ndryshuar pozicioni i mbështetësve të luftës. Ky hulumtim zbuloi ndryshime të rëndësishme në perceptimin e publikut për luftën pas shpalljes së mobilizimit: numri i mbështetësve të vendosur u zvogëlua shumë, pasi më shumë njerëz kërkuan përfundimin e luftimeve.
Një grup tjetër i identifikuar nga studiuesit janë të pavendosurit, të cilët nuk shprehin një gjykim të qartë moral për luftën. Ata po përpiqen të sillen sikur lufta nuk i prek, për të shmangur shqetësimin nga konflikti i tyre i brendshëm. Hulumtimet tregojnë se njerëzit përpiqen natyrshëm të shmangin përvojat e pakëndshme, edhe nëse ato çojnë në pasoja negative në të ardhmen.
Megjithatë, përpjekja për t’u shkëputur emocionalisht nga ngjarjet nuk është gjithmonë e suksesshme. Edhe para mobilizimit, lufta ndikoi indirekt në shumë aspekte të jetës së tyre, duke shkaktuar pasiguri dhe ankth. Për rrjedhojë, ankthi i tyre është bërë jo specifik, duke mos i motivuar individët drejt ndonjë veprimi politik.
Për këtë arsye, ky qëndrim është disi më “normal se ai i një përkrahësi apo kundërshtari të luftës. Së fundmi, studiuesit identifikuan një grup të tretë që ishin aktivisht kundër luftës. Për këta individë, fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës ishte veçanërisht tronditës, pasi binte ndesh me normat e tyre morale.
Për një kohë të gjatë, rusët jetuan me konceptin se lufta ishte diçka që i përket ose të kaluarës së tyre të largët ose që ndodhte shumë larg, si për shembull në Siri. Por doli se lufta mund të zhvillohet shumë pranë shtëpisë, duke ju prekur ju dhe të afërmit tuaj që jetojnë në Ukrainë apo Belgorod.
Ditë pas dite, duke lexuar raportet nga fronti, kundërshtarët e luftës përjetojnë ankth, frikë dhe dhimbje. Këto përvoja intensive i lodhin njerëzit, duke çuar në një ndjenjë pafuqie. Përpjekjet dhe sondazhet propagandistike, që krijojnë imazhin e një shumice që mbështet luftën, luajnë këtu një rol të rëndësishëm.
Për më tepër, rezistenca nuk sjell ndryshime politike, por vetëm dhunë nga forcat e rendit.
Që nga fillimi i veprimeve ushtarake në Ukrainë në vitin 2022, Rusia e forcoi ndjeshëm legjislacionin kundër deklaratave kundër luftës, përfshirë miratimin e një ligji që e kriminalizon shpërndarjen e informacionit të konsideruar të rremë në lidhje me veprimet e Forcave të Armatosura, me gjoba deri në 5 milionë rubla (55.200 dollarë) dhe me burgim deri në 10 vjet.
Po ashtu ka pasur rritje të ndjekjes penale për ata që “diskreditojnë ushtrinë”, duke çuar në padi penale dhe presion ndaj atyre që kritikojnë qeverinë në mediat sociale. Shteti rus i ndëshkon ashpër individët edhe për veprimet më të vogla.
Për shembull, Sasha Skochilenko, që zëvendësoi etiketat e çmimeve në një dyqan me mesazhe kundër luftës, u dënua me 7 vjet burg. Në kushte të tilla, protesta aktive kundër luftës bëhet thjesht e pamundur. E megjithatë, rezistenca kundër luftës midis rusëve ekziston ende.
Së pari, ata që janë larguar nga Rusia për shkak të luftës po protestojnë në mënyrë aktive kundër saj, pasi rreziqet e dhunës shtetërore për ta janë bërë minimale. Së dyti, po vërehet ajo që antropologia Alexandra Arkhipova e quan protesta “e fshehur” kundër luftës.
Parullat kundër luftës në mjetet e transportin publik, të maskuara si tabela standarde për fëmijët dhe ulëset për personat me aftësi të kufizuara etj, janë që të gjitha forma të reja të protestës kundër luftës që rusët i janë drejtuar.
Së treti, nëse dikush e kupton gjerësisht protestën kundër luftës, duke u angazhuar në veprime të tilla si refuzimi për të marrë pjesë në çdo gjë që lidhet me luftën, atëherë eksodi masiv i rusëve nga vendi mund të shihet gjithashtu si një formë proteste.
A mund të ndryshohet situata aktuale? Është e vështirë t’i jepet një përgjigje e saktë. Vdekja e Alexei Navalny na tregoi se ne nuk jetojmë në një film hollivudian ku heroi e mposht perandorin e lig. Kjo luftë mund të zgjasë edhe për shumë vite, edhe pa mbështetjen masive të qytetarëve, nëse shumica e sheh Putinin si një fenomen natyror mbi të cilin nuk ka fuqi.
Ndoshta më e shumta që kundërshtarët e luftës mund të bëjnë tani, pa iu drejtuar dhunës, është të vazhdojnë t’u kujtojnë të gjithëve rreth tyre se lufta është një fatkeqësi e krijuar nga njeriu. Nuk është një tërmet apo një shpërthim vullkanik. Lufta nuk u nis nga Zotat, por nga njerëz prej mishi dhe gjaku. Dhe kjo do të thotë se jemi po ne njerëzit që mund ta ndalim atë./Përshtati Pamfleti nga “The Moscow Times”
Shënim: Alexander Archagov, psikolog dhe drejtor i ojq-së “Shkolla e Hapur e Psikologjisë”.
Lini një Përgjigje