
Ndërsa aleanca e saj e vjetër me Rusinë po dobësohet me shpejtësi, Armenia po shqyrton mundësinë e aplikimit zyrtar për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Margarita Akhvlediani, kryeredaktore e JAMnews (një media me fokus zhvillimet në Kaukaz), shpjegoi në një intervistë për NV Radio se si Kremlini mund t'i përgjigjet kësaj “shuplake në fytyrë” gjeopolitike.
A kemi vërtet një përpjekje të Armenisë për të dalë nga aleanca me Rusinë? Sa e suksesshëm mund të jetë?
Pa dyshim, po shohim një përpjekje serioze për t'u distancuar nga Rusia, për t'u shkëputur nga aleanca me të. Por kjo nuk është një lëvizje e re. Sepse gjithçka filloi pas Luftës së Dytë të Nagorno-Karabakut në vjeshtën e vitit 2020. Por zhvillimi vendimtar që i dha fund çdo motivi të Jerevanit për të vazhduar aleancën me Moskën, ishte kur e gjithë popullsia armene u largua nga Karabaku (mbi 100.000 njerëz), dhe kur paqeruajtësit rusë që ishin vendosur atje me mandatin për t'i mbrojtur ata nuk bënë asgjë.
Udhëheqja ruse deklaroi se nuk kishte 'asgjë të veçantë' dhe se njerëzit ishin larguar me vullnetin e tyre të lirë. Kjo gjë ndodhi vjeshtën e vitit të kaluar dhe ishte “pika që derdhi gotën”. Hapat drejt Perëndimit kanë nisur prej të paktën 7-8 muajsh. Tani nuk kalon asnjë javë pa dëgjuar disa deklarata të reja nga zyrtarët e Jerevanit për disa hapa të rinj, që shpesh duken si një sfidë për Moskën.
Për shembull, deklarata se Armenia dëshiron të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE nuk mund të konsiderohet në fakt si një sfidë, sepse Armenia nuk mund të paraqesë dot asnjë kërkesë tani për tani. Kjo është e pamundur. Para së gjithash, sepse ajo është anëtare e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik.
Këto dy blloqe janë të papajtueshme me njëra-tjetrën. Tërheqja prej tij nuk ka filluar. Në përgjithësi, as që është folur ndonjëherë publikisht dhe nuk është diçka që ndodh shumë shpejt. Prandaj, është një hap krejtësisht i pamundur për momentin, por është një sfidë tepër serioze për Moskën. Një shuplakë shumë publike në fytyrë.
Çfarë përgjigje mund të vijë nga Kremlini, duke qenë se diktatori rus Vladimir Putin është i gatshëm të flasë vetëm nga pozitat e forcës?
Rreziqet për Armeninë janë të mëdha. Së pari, i gjithë sektori energjetik, gati 90 për qind është në pronësi ose i kontrolluar nga oligarkët armenë dhe rusë. Së dyti, Armenia ka një bazë të madhe ushtarake ruse. Largimi i saj nuk do të jetë aq i lehtë. Dikur, Gjeorgjisë iu deshën 15 vjet që të largonte një bazë ruse, duke pasur mbështetjen e OSBE-së dhe protestat e mëdha popullore brenda vendit.
Armenia nuk ka pasur ende ndonjë protestë për këtë çështje. Arsyeja e tretë janë sigurisht rreziqet që vijnë nga një kufi i pasigurt me Azerbajxhanin, arsye të cilat Rusia po i përdor tashmë si një kartë në favor të saj. Ministria e Jashtme e Rusisë, dhe jo vetëm zëdhënësja e saj Maria Zakharova, por edhe të tjerë, po deklarojnë drejtpërdrejt se do ta ndëshkojnë Armeninë nëse ajo vazhdon të afrohet me Perëndimin.
Kush janë aleatët e Armenisë? A mund të mbështetet Armenia tek Shtetet e Bashkuara dhe Evropa?
Armenia gjendet në një situatë shumë të vështirë. Rreziqet me kufirin e pacaktuar janë të mëdha. Vetë vendi ka një reagim paksa histerik, situacional. Tani Jerevani i druhet një zgjerim i ri territorial nga Azerbajxhani. Baku ka deklaruar tashmë se do të marrë edhe disa fshatra të tjerë.
Dhe kur flitet për përballjen me Azerbajxhanin në situatën e sotme gjeopolitike, duhet të
mos harrojmë se Rusia po e luan shumë këtë kartë. Jo se Moska është shumë miqësore me Azerbajxhanin, por sepse tani i leverdis ta përdorë atë për të ndëshkuar Armeninë.
Pastaj, siç e theksova edhe më lart prania ekonomike dhe ushtarake e Rusisë janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Një vend kaq i vogël (më pak se 3 milionë banorë) dhe me një bazë ushtarake të madhe. Më e madhja në Kaukazin Jugor. Armenët gjenden në një situatë shumë të rrezikshme. Si mund të na ndihmojë vërtet Perëndimi nëse ndodhin papritur disa ngjarje të tmerrshme, të rrezikshme?
Të shprehësh thjeshtë shqetësimin, dihet se si shkon ...
Sigurisht, ata do të shprehin shqetësimin. Por tani po dërgojnë para dhe shumë ndihma në Armeni, kryesisht për shkak të komunitetit të madh armen që u largua nga Karabaku. Por paratë nuk e zgjidhin krizën, pasi ka raste të ndonjë konfrontimi apo presioni ushtarak. Tradhtarët brenda Armenisë janë të shumtë në numër dhe ata mund të aktivizohen në
të ardhmen. Lëvizja mund të organizohet nga të paktën dy ish-presidentë armenë, që janë aktivisht pro-rusë dhe kanë burime të bollshme. Armenia e ka ‘ngrirë’ pjesëmarrjen e saj në aleancën ushtarake CSTO të udhëhequr nga Rusia
Dhe çfarë mund të sigurojë Perëndimi? Është ironike që ka shumë pak për të fituar përveç dëmeve të shumta. E ç’mund të bëjnë ata në këtë situatë? Opsionet e tyre janë vërtet shumë të kufizuara. Armenia duhet të mbyllë njërin sy dhe të shpresojë se gjithçka do të shkojë mirë.
A do të jetë Azerbajxhani pjesë e lojërave të Rusisë?
Mendoj se është shumë e rëndësishme që Rusia nuk mund ta ndëshkojë Armeninë nëse Azerbajxhani nuk e dëshiron këtë. Sigurisht, Moska mundet të veprojë edhe vetëm, por nuk do të jetë në gjendje të ndëshkojë ashpër Armeninë pa pjesëmarrjen e Azerbajxhanit.
Unë personalisht ndihem më e sigurt nga fakti që Moska nuk është e plotfuqishme. Kjo do të thotë, se duhet të angazhohet edhe Azerbajxhani. Por ai ka interesat e veta. Nuk mendoj se Azerbajxhani është gati të luajë kartën ruse apo të ndjekë interesat e Moskës.
Unë besoj se Azerbajxhanit s’ka nevojë për një luftë tjetër. Azerët kanë nevojë për stabilitet në rajon. Ata po këmbëngulin në çuarjen përpara të disa projekte që janë të rëndësishme për ta. Rusia është duke u përpëlitur. Ajo po përpiqet të rrëmbejë çdo pjesë të vogël që mundet, dhe mund ta godasë disi edhe Armeninë. Azerbajxhani është vetëm një element në këtë ekuacion.
Politika e përgjithshme nuk i plotëson interesat ruse, por Rusia po përdor ato pjesë të politikës azere që mund të përdoren. Aktualisht Rusia po merret me Kaukazin e Jugut, pasi ndodhet në një situatë shumë të paqartë, sa i përket qëndrimit të shoqërisë ndaj tij, si në Armeni po ashtu edhe në Gjeorgji. Prandaj po përpiqet të gllabërojë gjithçka që mundet./Përshtati Pamfleti nga “The New Voice of Ukraine”
Lini një Përgjigje