
Simpatia aspak parimore e Trump, si për Putinin ashtu edhe për Netanyahun, do të prodhojë vetëm llojin më të keq të armëpushimit, atë që të fortët e përdorin si një prelud për përpjekjen e tyre përfundimtare për të eliminuar më të dobëtit...
Izraeli i ka rifilluar bombardimet ajrore në Gaza. Armëpushimi i fundit, i cili zgjati dy muaj dhe çoi në lirimin e 33 pengjeve izraelitë dhe 1.900 të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë, nuk zgjati dot përtej fazës së tij të parë.
Tani qeveria izraelite po ndjek një strategji tjetër, duke përdorur një forcë ekstreme derisa Hamasi të kapitullojë duke i liruar pengjet e mbetura. Ukraina dhe Rusia, kanë pranuar së fundmi një armëpushim të kufizuar. Të dyja palët, kanë rënë dakord të ndalojnë sulmin ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës, por asnjëra nuk i është përmbajtur këtij kushti.
Donald Trump, që i nxiti të dyja palët drejt këtij armëpushimi, është i zemëruar. Këtë javë, Moska dhe Kievi ranë dakord ta zgjerojnë këtë armëpushim të pjesshëm në Detin e Zi, ndonëse edhe atje nuk duket se duan të nxitojnë që të ndalin sulmet e tyre. Asnjë analist serioz, përfshirë ata në Rusi, nuk pret që ky armëpushim të rezistojë.
Një armëpushim i ndërmjetësuar nga OKB-ja në Jemen, zgjati gati 6 muaj në vitin 2024, përpara se të rinisnin luftimet në vjeshtë midis rebelëve Huthi të mbështetur nga Irani dhe qeverisë së mbështetur nga Arabia Saudite.
Administrata Trump, i ka përshkallëzuar kohët e fundit sulmet ajrore kundër rebelëve në përgjigje të përpjekjeve të tyre të reja për ta ndërprerë transportin në Detin e Kuq. Vitin e kaluar, një armëpushim në Siri mori fund kur rebelët me miratimin e Turqisë, kapën në befasi trupat qeveritare kur pushtuan Alepon dhe vazhduan të përparonin. Një javë më vonë, ata morën nën kontrollin Damaskun dhe diktatori sirian Bashar
Al-Assad u arratis në Moskë. Armëpushimet janë arritur dhe janë shkelur edhe në Republikën Demokratike të Kongos. Javën e kaluar, DRC dhe Ruanda bënë thirrje për një armëpushim në pjesën lindore të vendit.
Rreth 700.000 njerëz janë zhvendosur nga luftimet vetëm që nga janari. Rekordi i armëpushimeve në këtë vend të shkatërruar nga lufta, nuk jep shumë shpresë as për këtë të fundit. Në vende të tjera, armiqësia e ndërsjellë midis palëve ndërluftuese ka qenë aq intensive saqë armëpushimet as që kanë mundësi të zbatohen.
Sudani, i ndarë në dysh nga forcat qeveritare dhe forcat rebele, i ka rezistuar deri më tani thirrjeve ndërkombëtare për ndërprerje të luftimeve për shkaqe humanitare.
Sigurisht, armëpushimet nuk dështojnë gjithmonë. Libia nuk ka parë ndonjë shkelje të madhe të armëpushimit të nënshkruar në vitin 2020. Por Projekti Borgen përmendi në një raport në tetor 2022 vetëm 3 histori pozitive. Lufta civile në Sudan rifilloi në prill 2023.
Po atë vit, Azerbajxhani shkeli armëpushimin për ta mposhtur Armeninë dhe marrë kontrollin e territorit të diskutueshëm të Nagorno-Karabakut. Donald Trump premtoi se do të detyronte palët ndërluftuese në Ukrainë, Gaza dhe gjetkë që të ndalojnë luftimet dhe të shkojnë mirë me njëri-tjetrin.
Por vetëm naivët besojnë se Trump është një paqebërës. E vërteta është se armëpushimet janë zakonisht vetëm premtime boshe, pavarësisht se sa i zgjuar, i fuqishëm apo naiv qëllon të jetë ndërmjetësi kryesor. Po çfarë i bën disa armëpushime të rezistojnë dhe shumë të tjera të zhduken në zjarrin e armiqësive të reja?
Kur reagoi ndaj propozimit të paqes të Trump për Ukrainën, presidenti rus Vladimir Putin tha: “Ne jemi në parim në favor të tij, por me disa nuanca”. Dhe këto “nuanca” janë kërkesa shumë të forta. Putin dëshiron që bota të njohë aneksimin e paligjshëm të 4 provincave të Ukrainës, mbi të cilat ai nuk ka ende kontroll të plotë.
Ai dëshiron që të përfundojë e gjithë ndihma e huaj ushtarake dhe shkëmbimi i të dhënave të inteligjencës me Ukrainën. Të përjashtohet mundësia e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe që bota të heqë sanksionet kundër vendit të tij.
Putin beson se ai ka një avantazh në fushën e betejës dhe me Trumpin si president i SHBA, edhe në tryezën e bisedimeve. Në fakt, në perceptimin e tij ka disa të vërteta. Rusia ka më shumë ushtarë dhe burime në dispozicion se sa Ukraina, dhe Trump është presidenti më pro-rus që Shtetet e Bashkuara kanë pasur ndonjëherë.
Po ashtu, Putin e di se tregtari i famshëm është në fakt një naiv, që u kushton pak vëmendje detajeve siç ndodhi me marrëveshjen e vitit 2020 të Shteteve të Bashkuara me talebanët. Por nga ana tjetër, Rusia ka arritur disa kufij në kapacitetin e saj për të rekrutuar ushtarë dhe prodhuar armatim për të vazhduar pushtimin e Ukrainës.
Lodhja e ndërsjellë, është një nga shenjat më të mira të një armëpushimi që mund të durojë. Kështu ndodhi me dy Koretë në vitin 1953, pas 2 vitesh ndryshimesh relativisht të pakta territoriale nga të dyja palët. Por të dyja palët në konflikt, duhet ta pranojnë, qoftë edhe për veten e tyre, se janë zhytur në një moçal.
Por Putin mendon se mund të fitojë. Ai dëshiron jo vetëm ato 4 rajone, por edhe tërësinë e asaj që ai e quan “Novorossiya”, e cila përfshin të gjithë bregdetin jugor të Ukrainës, gjë që do ta linte këtë të fundit pa dalje në det. Po ashtu, Putin dëshiron mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Ukrainë, që mund ta zëvendësojnë Volodymyr Zelenskyn me një udhëheqës më të lakueshëm.
Çdo armëpushim që nuk e çon Putinin në arritjen e këtyre qëllimeve përfundimtare, nuk ka gjasa të respektohet nga Rusia. Një agresor i dehur nga pushteti, që beson se ka një avantazh asimetrik ndaj kundërshtarit të tij, është një nga arsyet kryesore pse është kaq e vështirë të ndalësh një luftë.
Armëpushimet për këta agresorë, janë vetëm disa ndalesa për t‘u rigrupuar, fituar miratimin në skenën ndërkombëtar, ose për të qetësuar kundërshtarët dhe bërë që ata të bien në vetëkënaqësi. Kjo vlen edhe për Benjamin Netanyahun. Izraeli dhe Hamasi janë në një konflikt mbi Gazën prej më shumë se 2 dekada.
Më 7 tetor 2023, një Hamas shumë më i dobët nisi një sulm brutal e të befasishëm në territorin izraelit që vrau më shumë se 1.000 njerëz dhe solli marrjen e 250 pengjeve, të cilat grupi palestinez mendoi se mund t'i përdorte si pazare.
Në vend të negociatave, qeveria Netanyahu nisi përgjigjen e saj brutale, e cila ka shkaktuar më shumë se 50.000 të vdekur në Gaza. Ashtu si Putini, edhe Netanyahu ka ambicie maksimaliste dhe një qëndrim pa kompromis. Ai dëshiron ta shkatërrojë Hamasin.
Por dhe kapacitetin e Gazës për të shërbyer si pjesë e ndonjë shteti të ardhshëm palestinez. Ai nuk shqetësohet shumë për pengjet që mban Hamasi. Udhëheqësi izraelit është aq i vendosur të provojë se Hamasi po përdor pengjet izraelite dhe civilët palestinezë si mburoja njerëzore, saqë ai do t'i sakrifikojë ata si në përpjekjen e tij për të asgjësuar Hamasin dhe natyrisht për të ruajtur pozicionin e tij politik.
Shumica e armëpushimeve dështojnë, shpeshherë në mënyrë spektakolare. “Nga 105 armëpushimet e dështuara, 84 për qind u pasuan nga një ofensivë brenda një mesatareje prej vetëm 13 ditësh”- raporton Patrick Burke në studimin e tij për armëpushimet në 25 luftëra gjatë viteve 1947-2016.
Sipas një studimi nga Jason Quinn dhe Madhav Joshi, 80 për qind e armëpushimeve dështojnë. Lodhja e ndërsjellë në fushën e betejës, është sigurisht një faktor që qëndron pas një armëpushimi të suksesshëm. Por çfarë mund të bëjnë ndërmjetësit, kur njëra ose të dyja palët besojnë se ende mund të arrijnë një fitore të plotë, siç bëri Kroacia me operacionin “Stuhia” në vitin 1995, dhe Azerbajxhani kohët e fundit?
Qasja e Trump është të forcojë palën më të dobët. Ai e ndërpreu ndihmën ushtarake për Ukrainën, foli vrazhdë për liderin e saj, dhe e detyroi Kievin të pranonte një armëpushim të pjesshëm. Me marrëveshjen e fundit për Detin e Zi, ai po i afrohet pranimit të heqjes së disa kufizimeve mbi eksportet ruse, pa miratimin nga Ukraina ose Bashkimi Evropian.
Një armëpushim i tillë, nuk ka gjasa të zgjasë ose të çojë në një fazë të dytë. S’ka dyshim se Putin po ndjek me vëmendje sjelljen e Netanyahun. Ai po mban shënime të kujdesshme dhe po identifikon 4 leksione:
Mësimi i parë: Shkel marrëveshjen e mëparshme.
Mësimi i dytë: Lajkato Trumpin.
Mësimi i tretë: Përdor fuqinë maksimale të zjarrit.
Mësimi i katërt: Shpërfill opinionin ndërkombëtar.
Simpatia aspak parimore e Trump, si për Putinin ashtu edhe për Netanyahun, do të prodhojë vetëm llojin më të keq të armëpushimit, atë që të fortët e përdorin si një prelud për përpjekjen e tyre përfundimtare për të eliminuar më të dobëtit./Përgatiti Pamfleti
Lini një Përgjigje