A do ta pranonte Moska marrëveshjen që do t’i ofronte Donald Trump?

Raportimet se ish-presidenti Donald Trump, vazhdoi që të komunikonte me udhëheqësin rus Vladimir Putin edhe pas largimit të tij nga detyra, duket se ka gjasa të nxisë një vëmendje të re ndaj pretendimit të tij, se ai ka një plan sekret për t’i dhënë fund Luftës së Ukrainës që “para se të bëhem sërish president”.
Shumë analistë mendojnë se plani i Trump mund të ketë sukses, vetëm nëse Shtetet e Bashkuara do ta detyrojnë Kievin të bëjë lëshime të njëanshme territoriale ndaj Rusisë. Kjo mund të jetë e vërtetë, por ajo injoron një pyetje të rëndësishme: A do ta pranonte Moska marrëveshjen që do t’i ofronte Trump?
Shumë zyrtarë në Uashington - por edhe media - supozojnë se Trump planifikon që të heqë dorë nga mbështetja e Ukrainës, dhe Putin do të bjerë dakord me të. Por ky mendim i thjeshtëzuar, e lë mënjanë rekordin e Trumpit si president, përfshirë atë të kërkimit të arritjes së marrëveshjeve të mëdha, që në rastin më të mirë është i përzier.
Po ashtu, ai lë mënjanë edhe kërkimin e dukshëm por dhe disi të dëshpëruar të Trump për lavdi personale dhe triumf publik, përmes arritjes së suksesshme të marrëveshjeve. Kujtojmë pak deklaratën e tij në vitin 2019 se “do të fitonte Çmimin Nobel për shumë gjëra, nëse ky çmim do të jepej vërtet sipas meritës, gjë që nuk ndodh”.
Në fakt, parë në retrospektivë, Trump e mori detyrën në fillim të vitit 2017 me premtimin se do të mund të bisedonte me liderët më autoritarë të botës, përfshirë Putin, Xi Jinping të Kinës, Ali Khamenei e Iranit dhe Kim Jong-un të Koresë së Veriut, dhe të dilte prej tyre me fitore.
Mos harroni gjithashtu se si ish-presidenti amerikan, u përpoq të përdorte kombinime të ndryshme lajkash dhe kërcënimesh, për të ripërtërirë marrëdhëniet SHBA-Rusi, ri-balancuar marrëdhëniet tregtare SHBA-Kinë, për ti detyruar liderët e Teheranit që të braktisnin programin e tyre të armëve bërthamore, si dhe për të frenuar zhvillimin e mëtejshëm të armëve bërthamore nga ana e Koresë së Veriut.
Me përjashtimin e pjesshëm të diplomacisë së tij me Kinën, e cila solli një marrëveshje që Pekini nuk e respektoi, përpjekjet e tjera dhanë frytet e tyre. Suksesi diplomatik më mbresëlënës i ish-presidentit ishte Marrëveshja e Abrahamit, e cila normalizoi marrëdhëniet midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Marokut.
Ajo ishte një arritje e madhe për Lindjen e Mesme, rajon që megjithatë vazhdon të sfilitet nga ndarjet e tij të brendshme. Marrëveshja e paqes e Trump me talebanët, edhe pse e rëndësishme pasi i dha fund të luftës së gjatë, të kushtueshme dhe kryesisht të pasuksesshme të SHBA-së në Afganistan, ishte në tërësi shumë më pak e frytshme.
Kjo edhe për shkak të pozitës së dobët negociuese të Amerikës. Dhe pas menaxhimit katastrofik të tërheqjes ushtarake së SHBA-së nga ana e administratës Biden, pak njerëz e vlerësojnë Trumpin për kontributin e tij në nxjerrjen e Amerikës nga një luftë 20-vjeçare.
Ata që shqetësohen nga pretendimet e Trump mbi aftësinë e tij unike për të zgjidhur konfliktin Rusi-Ukrainë, duken të fiksuar pas gjasave që qasja e tij ndaj një marrëveshje, do të kopjonte modelin e negociatave të administratës së tij me talebanët (leva të dobëta të SHBA-së, lëshime të mëdha, në fund një rezultat i keq) apo Kinës (një partner i pa besueshëm që firmos një marrëveshje, dhe më pas refuzon t’i përmbahet angazhimeve të saj).
Por sikur qasja e Trump të ndjekë trajektoren e përpjekjeve të tij të mëparshme për arritjen e marrëveshjeve me Moskën, apo qasjen e tij ndaj Teheranit apo Phenianit? Në përpjekjen e tij të mëparshme për t’u afruar me Vladimir Putinin, Trump dukej se nuk kuptonte as atë që dëshironte pala e tij (brenda vendit dhe aleatët e SHBA) dhe as se çfarë dëshironte Putin.
Kjo nxiti edhe përpjekjet e brendshme për të nënvlerësuar qasjen e tij, përfshirë aktet e Kongresit, rrjedhjet e informacioneve dhe hetimet, si dhe rezistencën nga aleatët e SHBA-së. Në të njëjtën kohë, Trump nuk shënoi asnjë përparim thelbësor nga raportet e mira me Putinin. Trump u mbështet më shumë tek presioni, dhe më pak tek sharmi në negociatat me Kim Jong-un të Koresë së Veriut, dhe veçanërisht me udhëheqësit e Iranit.
Megjithatë, në secilin prej këtyre dy rasteve, ai duket gjithashtu se nuk ka arritur të kuptojë motivet dhe qëllimet e homologëve të tij. Në lidhje me Teheranin, Trump duket se e ka mbivlerësuar shumë ndikimin e njëanshëm të Uashingtonit mbi Iranin.
Për pasojë, Shtetet e Bashkuara ishin ndoshta në një pozitë më të keqe pas braktisjes së Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit të administratës Obama dhe përpjekjes historike, por të zbatuar shumë keq nga Trump, për të biseduar drejtpërdrejt me Kim.
Thelbi i problemit të Trump në negocimin e marrëveshjeve të mëdha ndërkombëtare, mund të jetë fakti që përvoja e tij si biznesmen, dhe marrëveshjet në sektorin e pasurive të paluajtshme - shpesh me drejtuesit gati diktatorialë të kompanive të tjera private - është më pak e zbatueshme në fushën e diplomacisë sesa mendon ai.
Zhvillimi i pasurive të paluajtshme është pa diskutim një punë komplekse, sidomos në një zonë si Manhattan. Ai kërkon jo vetëm të punosh me kompani të tjera, por edhe me qeveritë lokale, bizneset dhe banorët. Thënë këtë, kur prishet një marrëveshje, do të ketë gjithmonë një projekt tjetër të mundshëm dhe një partner të ri të mundshëm.
Negociatat e mëdha ndërkombëtare, kanë shumë më tepër këndvështrime dhe palë të interesuara, dhe dështimi i tyre ka kosto shumë më të larta. Këto marrëveshje të mëdha janë gjithashtu shumë më të rralla, dhe nëse nuk funksionojnë herën e parë, kushtet që nevojiten për arritjen e tyre mund të mos ekzistojnë më kurrë.
Kjo flet shumë edhe për pyetjet kryesore që pakkush ia ka bërë Trumpit: Çfarë është në fakt “marrëveshja alla Trump”? Më konkretisht, meqë ish-presidenti duket se ka pak interes për pavarësinë ose integritetin territorial të Ukrainës, çfarë pret ai që t’i japë Putin në këmbim të tyre, dhe pse mendon se Putin do ta bënte vërtet këtë?
Trump nuk do të fitonte Çmimin Nobel për Paqen, dhe do të merrte lëvdata nga askush tjetër përveç mbështetësve të tij më besnikë për dorëzimin e Ukrainës tek Rusia, pa marrë diçka në këmbim. Ajo që kërkon të arrijë Trump është e pasigurt.
Megjithatë, marrëveshja e tij e parë na tregon diçka në lidhje me prioritetet e tij: konkurrenca me Kinën dhe adresimi i rreziqeve bërthamore që paraqesin për Amerikën dhe aleatët e saj Koreja e Veriut dhe Irani. Por ai është më pak e qartë se deri në çfarë mase Vladimir Putin, do të ishte i gatshëm të ndihmonte në arritjen e ndonjërit prej tyre.
Në rast se Donald Trump do ta kishte diskutuar këtë me Putinin, një pretendim që shumë njerëz mund ta besojnë në mënyrë intuitive pa pasur ndonjë provë specifike, ndoshta ai do të kishte arsye të mira të mendonte se lideri rus është i gatshëm të negociojë.
Nëse nuk ka, atëherë pse mendon se Putin mund të bjerë dakord me të? Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, e hodhi publikisht poshtë mundësinë e një marrëveshje të shpejtë paqeje gjatë verës që shkoi.
Ajo tha:“Është e nevojshme të ndahet retorika parazgjedhore nga deklaratat e zyrtarëve qeveritarë të pajisur me kompetencat e duhura. Le të jemi realistë”. Jo më pak e rëndësishme është nëse Trump mendon se një marrëveshje e tillë mund të funksionojë.
Si do t’i sinkronizonte ai veprimet e SHBA-së dhe Rusisë, për t’u siguruar që Putin do të zbatonte marrëveshjen? Çfarë mekanizmash do të përdorte ai, që Moska të mos ndryshonte kurs më vonë? A do të binte dakord Putin për një marrëveshje, pa heqjen e sanksioneve nga Kongresi?
A mund të marrë Trump mbështetjen e Senatit dhe Kongresit për këtë? Ç’do të bënin Ukraina dhe aleatët e Amerikës në NATO? Ndërsa zyrtarët e administratës së parë Trump, kanë bërë disa parashikime të besueshme mbi strategjinë e Trump, mungojnë detajet kryesore.
Nëse ato ekzistojnë vetëm në mendjen e Trump apo të këshilltarëve të tij kryesorë, dhe nëse ata kanë arsye të forta për të menduar se Putin do të pranojë të nënshkruajë, atëherë ndoshta marrëveshje-bërësi amerikan mund të nënshkruajë me sukses një marrëveshje me homologun e tij rus.
Nëse nuk ndodh - skenar më i mundshëm - Uashingtoni mund ta shohë si një përpjekje të dështuar për t’u angazhuar me Putinin, pasi presidenti i ri hipotetik i SHBA-së e përsëriti kërcënimin e tij të kaluar ndaj Rusisë: “Nëse nuk bëni marrëveshje, ne do t’i japim Ukrainës akoma më shumë ndihmë. Ne do t’u japim atyre më shumë ndihmë nga sa kanë marrë deri më sot”. Dhe ky kërcënim ngre një pyetje të fundit: Cili është Plani B i Donald Trump?/Përshtati Pamfleti nga “National Interest”
Shënim: Paul J.Saunders, drejtues i institutit amerikan “Center for National Interest”, ekspert mbi politikën e jashtme dhe të sigurisë së SHBA-së, sigurinë energjetike etj.
Lini një Përgjigje