Historia rikthehet përmes shenjave të vogla. Ne duhet t’i shohim këto 5 drita të verdha - sulmet kibernetike, inkursionet rrotull Tajvanit, operacionet në Detin e Kinës Jugore, ndërtimin e Marinës nga Pekini dhe luftën tregtare në përshkallëzim e sipër- sepse nëse ato bëhen të kuqe, mund të fikin llambat në të gjithë botën...

Teksa Shtetet e Bashkuara dhe Kina njoftuan vendosjen e tarifave tregtare gjithnjë e më ndëshkuese kundër njëra-tjetrës gjatë javës së fundit, ne kemi kaluar nga teoria e një “lufte të re të ftohtë” në raundet fillestare të një lufte tregtare shumë reale.
Përplasja e fundit, mund të përfundojë me një marrëveshje “të madhe e të bukur” me Kinën, siç ka premtuar vazhdimisht presidenti amerikan Donald Trump. Ose mund të çojë në një shkëputje të zgjatur dhe të dhimbshme të dy ekonomive më të mëdha në botë, nëse të dyja palët ngulmojnë të ruajnë pozicionet agresive, diçka që Kina duket e gatshme të bëjë.
Koha do ta tregojë gjithçka. Megjithatë, pyetja që më bëhet vazhdimisht nuk ka të bëjë me luftën tregtare. Ajo është: A po shkojmë drejt një lufte të armatosur me Kinën? Përgjigja e shkurtër është se shpresoj që jo, megjithatë jam gjithnjë e më i shqetësuar për tendencat që shoh. E kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës sime në Marinën e SHBA-së në ujërat e Paqësorit, dhe nuk e kam ndjerë në ndonjë rast se ishim kaq afër një lufte të vërtetë me Pekinin sa jemi sot.
Pra, a po afrohet vërtet një konflikti i tillë? Cilët janë treguesit më të mirë që duhen analizuar, në mënyrë që mund të shpresojmë ta shmangim një luftë konvencionale në shkallë të plotë? Ndërsa vëzhgoj zhvillimet në rajonin e Paqësorit, shoh 5 sinjale paralajmëruese, të cilat duhet të monitorohen nga afër, pasi situata mund të përshkallëzohet.
1. Sulmet kibernetike
Kina po e sulmon gjithnjë e më shumë infrastrukturën jetike të SHBA-së përmes aftësisë së saj të fuqishme teknologjike. Më i njohuri nga këta programe quhet “Volt Typhoon”. Mbi të është folur hapur nga zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Thuhet se ai ishte objekt diskutimi, edhe në një takim sekret të dhjetorit 2024 midis autoriteteve amerikane dhe atyre kineze. Sipas Wall Street Journal, sulmet janë drejtuar kundër “porteve, ujësjellsave dhe aeroporteve”, si dhe objektivave të tjera infrastrukturore.
Një program i veçantë që buron nga Pekini, Salt Typhoon, thuhet se po përdoret kundër infrastrukturës së telekomunikacionit të SHBA. Kina po tregon jo vetëm aftësinë për të zhvilluar një luftë kibernetike shumë të sofistikuar, por ka edhe vullnetin për ta bërë këtë. Nëse rritet rrezja dhe pasojat e sulmeve kibernetike, do të rritet në mënyrë proporcionale edhe rreziku i një lufte më të gjerë.
2. Presioni i aviacionit luftarak kinez ndaj Tajvanit
Mbikëqyrja e nivelit të inkursioneve kineze në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Tajvanit (ADIZ) mund të jetë një tregues kyç i strategjisë ushtarake të Kinës për të vënë gradualisht nën kontroll “provincën rebele”.
Vitin e kaluar, pati më shumë se 3.000 incidente të tilla, ose gati 2-fishi i rasteve të regjistruara në vitin 2023. Admirali Sam Paparo, komandanti i Komandës Indo-Paqësorit të SHBA-së në Honolulu, informohet çdo ditë për këto fluturime. Dhe të gjithë duhet t’u kushtojmë vëmendje.
3. Operacionet në Detin e Kinës Jugore
Pekini i mbështet pretendimet e tij për gati të gjitha këto ujëra, që janë rreth gjysma e madhësisë së SHBA-së kontinentale. Kjo pjesërisht për shkak të udhëtimeve historike admiralit kinez të shekullit XV-të, Zheng He. Por këto pretendime janë gjykuar në gjykatat ndërkombëtare dhe janë hedhur poshtë.
Gjithsesi, Kina po ndërmerr një sërë veprimesh, përfshirë krijimin e të paktën 7 ishujve artificialë si baza për marinën e saj gjithnjë e më të fuqishme. Të quajtur nganjëherë si “Muri i Madh prej Rëre”, këta ishuj po përdoren për të kryer pararoja të vogla detare dhe ngacmime kundër shteteve bregdetare, veçanërisht Filipineve, një aleate e ngushtë e SHBA-së në rajon.
Presidenti i Filipineve Ferdinand Marcos Jr. po punon shumë më ngushtë me ushtrinë amerikane sesa paraardhësi i tij, Rodrigo Duterte. Ai ka lejuar qasjen e ushtrisë amerikane në bazat filipinase në ishujt më afër pjesës kontinentale të Kinës.
Pra, niveli i operacioneve të marinës dhe i rojeve bregdetare kineze në dhe përreth Detit Qendror të Kinës Jugore, veçanërisht ato që kërcënojnë fqinjët e saj, është një tregues i fuqishëm i një konfliktit të mundshëm.
4. Ndërtimi i Marinës Kineze
Kina po ndërton anije luftarake me një ritëm të jashtëzakonshëm, mesatarisht 20-30 në vit. Flota aktuale, referuar numrit të anijeve luftarake, është më e madhe se ajo e Amerikës: mbi 360 anije krahasuar me rreth 300 që ka SHBA-ja.
Objektivi i deklaruar i Kinës, është të ketë më shumë se 400 anije luftarake. Pekini e di se çdo luftë me SHBA-në, do të zhvillohet kryesisht në det. Për të pasur një tregues të mirë të synimeve të Pekinit për luftime të rëndësishme, duhet të vëzhgoni vazhdimisht nivelin e prodhimit në kantieret e tij detare.
5. Tarifa dhe lufta tregtare
Por treguesi ndoshta më i rrezikshëm, është ai që po përdoret tashmë: niveli dhe shtrirja e tarifave të vendosura nga secila palë. Vlen të kujtohet se si filloi Lufta e Dytë Botërore në Paqësor: me sanksionet tregtare që e shkëputën Japoninë nga burimet jetike, veçanërisht nafta, çeliku dhe goma.
Shumë historianë besojnë se sulmi në Pearl Harbor në dhjetor 1941 ishte kulmi i një dekade mosmarrëveshjesh ekonomike dhe hapave provokues. Tani Kina po fillon të ndërpresë furnizimet me minerale të rralla. Tarifat e SHBA-së do t’i shkaktojnë një dëm të menjëhershëm dhe të konsiderueshëm ekonomisë kineze.
Por janë përgjigjet e Kinës, ato që do të jenë treguesi i pestë kyç i konfliktit të afërt.
Disa vite më parë shkrova librin “2034: Një roman mbi luftën e ardhshme botërore”,
që përshkruante se si SHBA dhe Kina mund të zhyteshin në një konflikt shkatërrues.
Nuk ishte një trillim me synime parashikuese, por më tepër një tregim paralajmërues. Libri nis me një incident në dukje të vogël midis disa anijeve në Detin e Kinës Jugore, por që përshkallëzohet shumë shpejt në një konflikt të gjerë.
Në kohën që e shkrova, kisha në mendje ditët që i paraprinë fillimit të Luftës së Parë Botërore, kur plumbi i vrasësi në një cep të pluhurosur të Ballkanit, ndezi një flakë që i fiku llambat në të gjithë Evropën.
Historia rikthehet përmes shenjave të vogla. Ne duhet t’i shohim këto 5 drita të verdha - sulmet kibernetike, inkursionet rrotull Tajvanit, operacionet në Detin e Kinës Jugore, ndërtimin e Marinës nga Pekini dhe luftën tregtare në përshkallëzim e sipër- sepse nëse ato bëhen të kuqe, mund të fikin llambat në të gjithë botën./Pamfleti nga “Bloomberg”
Shënim: James Stavridis, admiral në pension i Marinës Amerikane, ish-komandant suprem i aleatëve të NATO-s.
Lini një Përgjigje