TAGS-AT E JAVËS

Forum25 Janar 2024, 20:32

Përse nuk kemi opozitë?

Shkruar nga Artur Ajazi

Përse nuk kemi opozitë?

Opozita sot është inekzistente, apatike, e pafuqishme të identifikojë dhe mbledhë njerëzit dhe mbeshtetësit e saj.

Ka vite që pyesim veten, “përse nuk kemi opozitë, ku është opozita”. Dhe përgjigjen më të mirë, e marrim tek retorika dhe shterpësia e të bërit politikë e të vetmes parti, të ndarë në 3-4 pjesë. Tek partia e cila lindi dhe u formua, mbi idealet e studenteve të Dhjetorit 1990, tek partia e cila sot pas afro 33 vitesh, ka një histori të dyshimtë dhe një ish-lider. Dhe sërish shqiptarët pyesin, “a kemi vërtetë opozitë”, duke mënjanuar atë të flakadanëve, shashkave, bilbilave, rrugicave, protestave të dhunshme.

Kjo pasi, nuk mund të imagjinosh dhe pranosh se, opozita na qenkësh një parti, me një kryetar që rri aty për 33 vjet, me një lidership të akuzuar nga shqiptarët për afera të pista, dhe që sot me patjetër kërkon ikjen e qeverisjes Rama dhe marrjen e pushtetit. Po si mund ti besosh një force politike, që nuk mund të bëjë bashkë njerëzit e saj dhe nesër të bashkojë vendin, shqiptarët dhe qeverisë mbi ligje? Përse sot nuk ka opozitë, përse mbahet peng e ardhmja e një partie që nuk i përket një grushti njerëzish të pasuruar padrejtësisht, por studenteve, të djathtëve, apo çdo shqiptari që mund ti përkrahë ata politikisht?

Opozita sot është inekzistente, apatike, e pafuqishme të identifikojë dhe mbledhë njerëzit dhe mbeshtetësit e saj. Sot kjo që quhet “opozitë” nga ata që kryesojnë 3-4 grupimet e ndara, ka marrë përsipër të bllokojë punimet normale të Parlamentit, ka marrë përsipër të bllokojë rrugët dhe rrugicat e Tiranës, ka marrë përsipër të përgojojë gjithë dynjanë, por kurrë të paraqesë publikisht idetë racionale, programet e saj mbi një qeverisje të nesërme, bashkimin e të djathtës, etj. Opozita ka mbetur një vegim i largët për ata që e menduan, përkrahën dhe milituan në Partinë Demokratike. Kjo forcë politike, nuk ka fare lidhje me lirinë, demokracinë, fjalën e lirë, progresin dhe integrimin, nuk ka fare lidhje madje me faktorin mbështetës ndërkombëtar që mbështet demokracitë në Ballkanin Perëndimor. Atëherë, për çfarë na duhet një parti e ndarë, e pabashkuar, humbëse dhe më keq akoma ta quajmë “opozita e vendit”.

Koha kërkon të nxjerrë në skenën politike emra të rinj, grupime dhe parti të reja, me vizion dhe mentalitet europianist, që nuk kanë lidhje me të shkuarën e dikurshme apo dhe atë postkomuniste të vendit. Shqiptarët u lodhën, u mërzitën, janë drobitur me skena dhune, me skena lufte dhe fjalime tipike si të udhëheqësve komunistë në Ballkan dhe Europë para 1990. Nuk mund ta mbajnë peng vendin, të ardhmen dhe domosdoshmërinë e të pasurit opozitë, një grusht njerëzish, që vijnë nga një parti klanore, krahinore dhe e shpartalluar.

Do të ishte fatale, vazhdimësia e një situate të tillë, e cila është sa qesharake aq edhe brutale. Shqipëria është sot, më afër se kurrë, anëtarësimit në BE. Ajo ka vendin e nderit në takimet dhe mbledhjet e rëndësishme politiko-strategjike që mbahen në Europë apo SHBA. Ndaj mungesa e opozitës, mbetet emergjencë kombëtare. Eshtë koha e “shkundjes” dhe krijimit të një opozite të re, e paimplikuar nga e shkuara.

Lini një Përgjigje