Një Rusi fitimtare, të cilës i shtohet edhe Ukraina sipas skenarit të parë, do të bëhej sërish “xhandari e Evropës”. Përveç frikës së një “ariu rus” fitimtar, BE-ja dhe NATO-ja do të përballen me depërtimin e flukseve të mëdha në para nga Rusia për korruptimin e politikanëve dhe zyrtarëve, opinionistëve, keq-informimet dhe propagandën...

Në vazhdën e operacionit të ushtrisë ukrainase në rajonin rus të Kurskut, disa media globale kanë diskutuar muajt e fundit sërish mbi negociatat e mundshme për një “armëpushim”, bazuar tek një shkëmbim territoresh, dhe tek një përsëritje e precedentit të Gjermanisë Perëndimore me anëtarësimin e një pjese të Ukrainës në NATO.
Analistët nuk luhaten aspak nga deklaratat publike të Moskës se negociatat nuk janë ende në tryezë, dhe as nga mungesa e vullnetit të disa udhëheqësve të NATO-s për ta diskutuar seriozisht çështjen e pranimit të Ukrainës në aleancë.
Për më tepër, propozime të tilla do të kërkonin një ndryshim të shpejtë dhe efektiv të strategjisë evropiane të mbrojtjes, dhe një rikthim në Luftën e Ftohtë dhe politikën e parandalimit, e cila është shumë e njohur për administratën aktuale të Shtëpisë së Bardhë.
Por nga ana tjetër kjo kërkon një burim krejtësisht të ndryshëm, për të cilin ekspertët dhe politikanët perëndimorë preferojnë të heshtin. Për shembull, në kulmin e Luftës së Ftohtë, madhësia e buxheteve ushtarake të Gjermanisë Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara, ishte përkatësisht 3 dhe 5 për qind e PBB-së.
Gati gjysmë milionë ushtarë shërbyen në ushtrinë e RFGJ, ndërsa në Evropë ishin të vendosura në mënyrë të përhershme rreth 340.000 trupa amerikane. Sot shifra të tilla duken si një fantazi absolutisht e paarritshme (vetë ushtria gjermane, ka aktualisht më pak se 200.000 ushtarë).
Shtetet anëtare evropiane të NATO-s, mezi ia kanë dalë të shpenzojnë më në fund 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen (edhe pse ende vetëm 18 nga 31 anëtarë të aleancës). Dhe kjo e lë krejtësisht të pambrojtur pjesën evropiane të NATO-s, teksa situata është e tillë që investimet në mbrojtje duhet të rriten jo me 10 apo 20 për qind, por me disa herë.
Njëkohësisht, në SHBA po ndodhin proceset natyrale të izolimit. Uashingtoni po fokusohet më tepër në çështjet e brendshme në përputhje edhe me kërkesat e votuesve. Dhe kjo nuk vlen vetëm për ideologjinë MAGA-n të Donald Trump, por edhe për Partinë Demokratike.
Edhe demokratët po këmbëngulin publikisht që BE-ja të investojë më shumë në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe të mbështetet më pak tek SHBA-ja. Dallimi kryesor midis MAGA-s dhe Partisë Demokratike, qëndron vetëm tek shpejtësia e tërheqjes nga pjesëmarrja aktive në çështjet evropiane.
Republikanët do të donin ta përfundonin që tani këtë proces, ndërsa demokratët duan ta bëjnë më ngadalë dhe gradualisht. Në këtë kuadër mund të rikujtojmë formulimet e paqarta për “mbështetjen e ukrainasve për aq kohë sa është e nevojshme”, apo se “Putin nuk mund të lejohet që të fitojë”.
Ndërkohë në të dyja anët e Atlantikut, vazhdojnë të bëhen deklarata të hapura pro-ruse nga disa përfaqësues të elitave politike. Dhe e gjitha kjo dëshmon vetëm për një gjë:Një pjesë e konsiderueshme e politikanëve perëndimorë, ëndërrojnë për rikthimin e gjërave si në vitin 2021, duke mbyllur sytë ndaj realitetit dhe duke ri-shpikur “parandalimin”, pa pasur asnjë burim të besueshëm për ta imponuar atë.
Është vërtet një marrëzi të supozohet se Kremlini nuk i vë re që të gjitha këto procese, dhe ndërkohë të shpresohet se rusët janë gati të braktisin ultimatumin ndaj NATO-s, shpallur në dhjetorin e vitit 2021. Dhe në fakt, në të kishte kërkesa jo vetëm për të rivendosur “Perandorinë Sovjetike”, por edhe për Traktatin e Varshavës.
Të gjitha këto kushte, e bëjnë të pamundur kthimin e situatës në vitin 2021, në botën e vjetër dhe të mirë të stabilitetit evropian. Në rrugët e kryeqyteteve evropiane, era e harruar e ndryshimit, po fryn tashmë aq fort sa që është e kotë t’i rezistosh. Sot jemi në një udhëkryq, dhe duhet të zgjedhim se çfarë lloj të ardhmeje duam që të ndërtojmë.
Dhe përballë kemi vetëm 2 skenarë. I pari është skenari i atyre që duan “të qetësojnë agresorin”, duke mos kuptuar se çfarë i pret në fund. Le të lëmë mënjanë çështjet morale (fitorja e Rusisë është e mundur vetëm në rastin e tradhtisë së Ukrainës nga ana e aleatëve të saj perëndimorë).
Në rastin e aneksimit të plotë ose të pjesshëm të Ukrainës nga rusët (dhe s’ka asnjë mundësi tjetër), SHBA-ja pëson një goditje të rëndë në politikën e jashtme, nga e cila nuk do ta marrë veten asnjëherë. Largimi i saj nga Afganistani, u ndoq me interes nga regjimet diktatoriale.
Humbja e Ukrainës, e mbështetur nga një aleat kaq i fuqishëm, do të perceptohet me siguri si një shfaqje e dobësisë dhe si një sinjal për veprim. Ndikimi i SHBA-së në gjeopolitikë dhe tregtinë ndërkombëtare do të bjerë me disa herë, gjë që do të çojë në izolimin e saj brenda kontinentit të Amerikës së Veriut.
Ndërkohë Evropa do të mbetet tërësisht e pambrojtur. Është e vërtetë, që kjo e fundit është e pambrojtur edhe tani, përveç nëse nis me urgjencë të investojë shumë të mëdha parash në kompleksin ushtarako-industrial evropian, të krahasueshme me madhësinë e aseteve ruse të ngrira si pasojë e sanksioneve.
Një Rusi fitimtare, të cilës i shtohet edhe Ukraina sipas skenarit të parë, do të bëhej sërish “xhandari e Evropës”. Përveç frikës së një “ariu rus” fitimtar, BE-ja dhe NATO-ja do të përballen me depërtimin e flukseve të mëdha në para nga Rusia për korruptimin e politikanëve dhe zyrtarëve, opinionistëve, keq-informimet dhe propagandën.
Kjo është duke ndodhur tashmë. Mjafton që të lexosh deklaratat e kryeministrave hungarezë dhe sllovakë, Viktor Orban dhe Robert Fico, apo të shohësh fitoren e STASI-t në zgjedhjet në Gjermani. Sapo të fitojë Rusia në Ukrainë, numri i udhëheqësve të tillë do të rritet me shpejtësi.
Dhe “Blloku i ri i Varshavës” do ta gërryeje BE-në dhe NATO-n nga brenda si një tumor. Formalisht, do të jetë ende e njëjta NATO, por shumica e udhëheqësve të vendeve evropiane të aleancës do të udhëhiqen nga “dëshirat” e Moskës. Kjo do të ishte finalja e trishtë e projektit evropian.
Në dallim nga aleatët tanë, Rusia është e gatshme të shpenzojë gjithçka në këtë luftë. Dhe në një luftë të ngjashme me atë të Luftës së Parë Botërore, Moska ka avantazhe që janë të pamohueshme. Zotëron shumë tanke, predha dhe ushtarë. Ndaj Ukraina duhet ta çojë luftën atje ku ‘perandoria ruse’ është më e dobët, në territorin e saj.
Rusia perandorake, është mbajtur gjithmonë bashkë nga pushteti i centralizuar dhe tejet shtrëngues. Zhdukeni këtë bërthamë dhe ajo do të shkërmoqet. Operacioni ukrainas në Kursk, tregoi se Rusia nuk është në gjendje të mbrojë territoret e saj të gjera. Dhe “vijat e kuqe” të Putinit ekzistojnë vetëm në kokat e disa politikanëve evropianë dhe amerikanë.
Ukraina duhet të vazhdojë të godasë në këtë pikë të dobët. Operacioni i Kurskut do të pasohet nga operacionet në Bryansk, Voronezh dhe Minsk (Kremlini e konsideron tashmë Bjellorusinë si territorin e tij). Kjo qasje, së bashku me goditjet me armë me rreze të gjatë në thellësi të Federatës Ruse, do të jetë një goditje e vërtetë për regjimin e Kremlinit, do të shkaktojë kaos dhe në fund shpërbërjen e Rusisë në shtete të veçanta.
Kjo është rruga jonë drejt fitores së përbashkët. Ka ardhur koha të korrigjojmë gabimin e vitit 1991, dhe të çojmë deri në fund shembjen e “perandorisë të së keqes”. Por pa një të prapavijë të besueshme, është e pamundur ta fitosh luftën. Dhe SHBA-ja dhe BE duhet ta garantojnë më në fund një të tillë.
“Nëse ka një gjë për të cilën jam penduar deri diku, është se duhet t’i kishim dhënë Ukrainës shumë më tepër mbështetje ushtarake dhe shumë më herët- u shpreh ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas dorëheqjes së tij. Por tani ka mbaruar koha e keqardhjeve dhe ka ardhur koha e veprimit të vërtetë.
Bashkimi Evropian duhet të rindërtojë industrinë e tij të mbrojtjes, në mënyrë që sasia e ndihmës për Kievin të jetë në përputhje me Planin e Fitores, jo me Planin e Mbijetesës.
Dhe kjo duhet bërë pikërisht tani, që rezultatet të vijnë të paktën një vit më vonë.
Ushtria ukrainase mund t’u japë ende një vit politikanëve të pavendosur evropianë. Vetëm atëherë lufta mund të përfundojë brenda një viti. Jo për të arritur një armëpushim poshtërues për Ukrainën dhe Perëndimin, por për të pranuar dorëzimin e Rusisë.
Megjithatë kjo e fundit kërkon veprime shumë kreative dhe të lëvizshme të Ukrainës me mbështetjen e vërtetë, dhe jo vetëm me llafe, të aleatëve të saj. Dhe më e rëndësishmja:ne nuk duhet të frikësohemi më dhe të vendosim vetë se çfarë duan anëtarët e NATO-s, fitoren e Ukrainës apo të Rusisë. Edhe pse përgjigja është tashmë e qartë.
Natyrisht, kjo nuk do ta kthejë botën në vitin 2021. Por do të krijojë një arkiteketurë të re sigurie, në të cilin ndikimi rajonal do të zhvendoset nga Moska drejt Kievit. Ukraina, e cila e fitoi luftën kundër “perandorisë ruse”, është e destinuar të bëhet një lidere rajonale, duke bashkuar rreth vetes vendet skandinave dhe baltike (pa llogaritur këtu shtetet e reja të pavarura që do të lindin nga shpërbërja e Rusisë).
Dhe kjo shembje e “perandorisë së ligë”, do të jetë një nxitje e re për rilindjen e BE-së për dekadat e ardhshme, sikurse edhe ishte pas shembjes së Bashkimit Sovjetik. Dhe kjo do t'i japë një strukturë të qartë dhe të besueshme sigurie projektit të madh evropian, të bazuar këtë herë tek Ukraina./Përshtati Pamfleti nga ”Kyiv Post”
Lini një Përgjigje