
Rruga e Evropës, do të varet nga ajo nëse liderët e saj mund të balancojnë sharmin vetjak me veprimin, joshjen me kompetencën, dhe fuqinë e butë me rezultatet e vështira...
Muajin e kaluar, ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi, publikoi një raport shumë të rëndësishëm me titull “E ardhmja e konkurrencës evropiane”. Ai paralajmëroi se Evropa gjendet realisht në një moment shumë kritik.
Duke u përballur me sfida të mëdha, si rritja e dobët ekonomike, konkurrenca nga fuqitë globale si SHBA-ja dhe Kina, pasiguria energjetike dhe dobësitë gjeopolitike, kontinenti i vjetër duket se gjendet në një udhëkryq ekzistencial. Ndër të tjera, është shumë shqetësues inovacioni i vonuar i Evropës në krahasim me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, si dhe dështimi i saj për të kapur ritmin e revolucionit teknologjik.
Sipas Draghit, për t’i adresuar si duhet këto sfida, Evropa ka nevojë urgjente të rritë produktivitetin dhe të nxisë rritjen e qëndrueshme ekonomike, duke përfshirë vetëdijësimin mbi problemet që vijnë nga ndryshimi i klimës, të pasurit një rol udhëheqës në fushën e teknologjisë dhe financimin e modelit të sistemit saj social.
Një pyetje që ngrihet në këtë kontekst, është nëse brezi aktual i liderëve evropianë, zotëron apo jo karizmën e nevojshme për ta udhëhequr kontinentin në këto kohë të trazuara. Karizma, e lidhur shpesh me udhëheqjen, ka qenë e njohur për frymëzimin, bashkimin dhe mobilizimin e shoqërive.
Por përballë sfidave aktuale që ka Evropa, a mund të ndihmojë një lidership karizmatik për ndryshimin e tendencës së gjërave? Apo ajo është thjesht një tipar sipërfaqësor, që e largon vëmendjen nga kompetencat thelbësore të nevojshme për ta udhëhequr Evropën drejt së ardhmes?
Sociologu gjerman, Max Weber, e përkufizonte karizmën si një “dhunti”, që e karikon një individ me “fuqi ose cilësi të mbinatyrshme, mbinjerëzore, ose të paktën veçanërisht të jashtëzakonshme”, që i dallojnë ata nga njerëzit e zakonshëm.
Sipas Weber, karizma ka të bëjë më pak me veprime konkrete, dhe më shumë me perceptimet që krijojnë liderët, si e prezantojnë ata veten dhe si priten nga audienca e tyre. Kjo qasje, ka bërë që karizma të konsiderohet shpesh si një cilësi sipërfaqësore, e përqendruar tek dukja dhe jo tek substanca.
Megjithatë, karizma mund të jetë gjithashtu edhe një mjet jetik për një udhëheqje efektive. Një lider karizmatik, ka aftësinë të frymëzojë besim, të ngjallë shpresë dhe të mobilizojë veprime kolektive. Peizazhi aktual politik, ofron shembuj të shumtë të një lidershipi karizmatik në veprim.
Ish-presidenti amerikan Barack Obama, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau, janë që të gjithë liderë modernë të përshkruar shpesh si karizmatikë. Ata projektojnë besim, bindje dhe dhembshuri - cilësi që i ndihmojnë të lidhen me ndjekësit e tyre dhe të nxisin angazhimin.
Këto aftësi të fuqisë së butë, nuk duhen nënvlerësuar kur merret parasysh aftësia e një lideri për të ndikuar, frymëzuar dhe udhëhequr një komb apo një organizatë drejt rritjes dhe inovacionit. Megjithatë në Evropë, liderët me karizëm të konsiderueshëm duken se janë të paktë.
Emmanuel Macron, i cilësuar shpesh si një udhëheqës karizmatik dhe pro-evropian, është një përjashtim i rrallë. Nga ana tjetër, kancelari gjerman Olaf Scholz është etiketuar nga mediat si një lider pa karizëm, duke nënvizuar stilin e tij më të përulur dhe më pragmatik të lidershipit.
Scholz, ashtu si paraardhësja e tij Angela Merkel, shihet si një udhëheqës i përqendruar tek arsyeja dhe stabiliteti, dhe jo tek sharmi dhe retorika. Përvojat historike të Gjermanisë me liderët karizmatikë, veçanërisht gjatë epokës naziste, kanë rrënjosur me gjasë një skepticizëm të kujdesshëm ndaj figurave tepër karizmatike.
Ndaj pyetja është nëse stanjacioni aktual i Evropës, mund të cilësohet apo jo si një reflektim i mungesës së karizmës në udhëheqjen e saj. Dhe nëse po, a mund të jetë zgjidhja pasja e më shumë liderëve karizmatikë? Karizma luan një rol jetësor në fuqinë e butë, e cila përfshin ndikimin e të tjerëve përmes tërheqjes ndaj ideve të tyre dhe jo forcës.
Evropa konsiderohet shpesh si një shembull global i fuqisë së butë, duke u mbështetur tek diplomacia, joshja përmes kulturës dhe vlerave, sesa tek fuqia ushtarake. Fuqia e butë, është thelbësore në menaxhimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për nxitjen e unitetit.
Dhe një udhëheqje karizmatike, mund t’i përmirësojë këto dinamika të fuqisë së butë. Për shembull, Kina e ka përdorur me sukses fuqinë e butë për ta zgjeruar ndikimin e saj në nivel global, duke u renditur e treta në Indeksin Global të Fuqisë së Butë për vitin 2024 .
Ndërsa BE-ja mbetet prapa konkurrentëve globalë si SHBA dhe Kina në këtë indeks, karizma mund të jetë një levë efektive për të ndihmuar në mbylljen e këtij hendeku. Duke iu drejtuar vlerave globale si demokracia, qëndrueshmëria dhe të drejtat e njeriut, liderët karizmatikë evropianë mund të rrisin potencialisht pozitën dhe ndikimin ndërkombëtar të kontinentit.
Gjithsesi, karizma duhet të mbështetet edhe nga substanca. Ndërsa mund të ndihmojë në “transportimin” e vlerave dhe të frymëzojë veprime, ajo nuk duhet të errësojë nevojën për një politikë të shëndoshë dhe një qeverisje efektive. Kurthet e karizmës, siç shihen tek figura si Donald Trump, tregojnë se si ajo mund të shndërrohet lehtësisht në një besim të tepruar, manipulim apo kult të individit.
Kështu, karizma pa themele të fortë tek kompetenca dhe transparenca, rrezikon të jetë më shumë një shpërqendrim sesa një aset. Duke pasur parasysh stanjacionin ekonomik që përshkruan Draghi, nevoja e Evropës për udhëheqës karizmatikë mund të ketë më pak lidhje me aftësitë e tyre personale, dhe më shumë me aftësinë e tyre për të bërë bashkë shtete të ndryshme anëtare, nxitur inovacionin dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e unionit.
Karizma mund të luajë një rol me peshë në komunikimin publik dhe në grumbullimin e mbështetjes për politika të guximshme, sidomos përballë konkurrencës nga ekonomitë e avancuara teknologjikisht si SHBA-ja dhe Kina. Sfidat e udhëheqjes së Evropës, e kanë shpesh origjinën tek vendimmarrja e saj e fragmentuar.
Siç e thekson edhe Draghi në raportin e tij të shumë-diskutuar javët e fundit, Evropa është e aftë në artikulimin e qëllimeve të përbashkëta, por lëkundet jo pak kur bëhet fjalë për zgjedhjen e prioriteteve dhe kryerjen e veprimeve të përbashkëta.
Një lider karizmatik, mund të ndihmojë në kapërcimin e këtyre boshllëqeve, duke frymëzuar veprime kolektive dhe duke motivuar bashkëpunimin ndërkufitar. Roli i Emmanuel Macron në skenën botërore, tregon se si karizma mund të projektojë unitetin dhe ambicien evropiane.
Megjithatë, ajo nuk duhet trajtuar si një formulë magjike që zgjidh çdo krizë. Përqendrimi i tepërt tek karizma, rrezikon të lërë në hije cilësitë që kanë vërtet rëndësi për lidershipin: vizionin, kompetencën dhe qeverisjen etike. Udhëheqësit karizmatikë, janë të prirur ndaj besimit të tepruar tek vetja dhe në disa raste ndaj demagogjisë.
Historia politike e Evropës dekadat e fundit, përfshirë qëndrimin e kujdesshëm të Gjermanisë ndaj figurave karizmatike, nxjerr në pah rreziqet e mundshme të mbështetjes së tepërt tek karizma. Atëherë, a ka nevojë Evropa për më shumë udhëheqës karizmatikë?
Përgjigja është e nuancuar. Karizma mund të forcojë fuqinë e butë, të ndihmojë në komunikim, si dhe të frymëzojë unitet. Por vetëm ajo nuk mjafton. Ajo për të cilën Evropa ka dëshpërimisht nevojë, janë liderët që kombinojnë aftësitë e buta të karizmës me ato më të ashpra të politikë-bërjes, diplomacisë dhe qeverisjes.
Për më tepër, lidershipi i ardhshëm i Evropës duhet të përqafojë edhe diversitetin. Politika mbetet kryesisht e dominuar nga burrat, dhe një diversitet më i madh gjinor mund të sjellë perspektiva të reja dhe qasje të reja për udhëheqjen.
Ndoshta Evropa ka nevojë jo vetëm për udhëheqës më karizmatikë, por edhe për liderë si Kamala Harris, pra për njerëz që mishërojnë si karizmën ashtu edhe substancën, duke nxitur në të njëjtën kohë një përfaqësim më të gjerë në rolet udhëheqëse.
Në përmbyllje, e theksoj se karizma mund të jetë një mjet i rëndësishëm për të ecur me sukses përpara. Megjithatë rruga e Evropës, do të varet nga ajo nëse liderët e saj mund të balancojnë sharmin vetjak me veprimin, joshjen me kompetencën, dhe fuqinë e butë me rezultatet e vështira./Përshtati Pamfleti nga “The Independent”
Lini një Përgjigje